Luftërat në Bosnje dhe Ukrainë: A mund të nxjerrim mësime nga Sarajeva?
Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës duhet ta bëjë Perëndimin t’i kushtojë më shumë vëmendje lojërave politike përçarëse dhe shkatërruese që luhen nga liderët nacionalistë në Bosnjë dhe Hercegovinën bashkëkohore.
Në një demonstratë në Sarajevë kundër luftës së Putinit kundër Ukrainës javën e kaluar, në një pankartë shkruhej: “Mësoni nga Sarajeva – Shpëtoni Kievin!” Në të njëjtën kohë, një miku im boshnjak postoi në Facebook: “Miq në Ukrainë, mos prisni mbështetje ndërkombëtare. Më besoni, e di nga përvoja ime.”
Pankarta dhe postimi tregojnë dy mënyra të ndryshme për të lidhur luftën e viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë dhe luftën aktuale në Ukrainë: njëra shpreh shpresën se Perëndimi nuk do të bëjë të njëjtat gabime si në Bosnje dhe Hercegovinë dhe do ta mbështesë me vendosmëri Ukrainën. Tjetra paralajmëron kundër çdo iluzioni dhe hamendëson se Perëndimi nuk do të bëjë asgjë.
Kjo në mënyrë të pashmangshme ngre pyetjen nëse lufta aktuale në Ukrainë dhe lufta në Bosnje dhe Hercegovinë kanë paralele dhe nëse ka disa “mësime” që mund të nxirren nga njëra për tjetrën. Natyrisht, çdo situatë është specifike, krahasimet historike janë gjithmonë të ndërlikuara dhe paradigma e “mësimeve (jo) të nxjerra” është tejpërdorur.
Megjithatë, mund të jetë e dobishme të shihet se çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë jo të dy luftërat, dhe nëse mund të nxirren disa përfundime nga ky krahasim.
Sigurisht që ka ngjashmëri në politikat e Vladimir Putinit në lidhje me Ukrainën nga njëra anë, dhe Sllobodan Millosheviçit dhe më pas edhe Franjo Tudjmanit në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën nga ana tjetër: shteti fqinj i sulmuar përkufizohet si artificial dhe si rrjedhim mohohet e drejta e tij për të ekzistuar, sajohet një “gjenocid” i bashkatdhetarëve të vet, i cili duhet të ndalet ose parandalohet, një luftë agresioni paraqitet si një luftë mbrojtëse dhe të afërmit etnikë në vendin fqinj përdoren për të pohuar brutalisht pretendimet e veta për pushtet dhe territor. Qëllimi përfundimtar është zgjerimi territorial.
Ngjashmëritë mund të shihen edhe në qëndrimin e vendeve të sulmuara: vullneti i fortë i shumë boshnjakëve dhe ukrainasve për të rezistuar, për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e tyre territorial, dhe në mënyrë të ngjashme në mënyrën se si ata i drejtohen botës së jashtme: “Ne jemi një vend evropianë, ne mbrojmë vlerat evropiane, prandaj ju duhet të na ndihmoni.”
Ngjashmëria në këtë diskurs evropian mund të shihet edhe në ribërjen aktuale të posterit të famshëm “Wake up Europe” (Zgjohu, Evropë) nga grupi i dizajnit Trio nga lufta e Bosnjës në vitin 1993. Në atë kohë posteri mbante nëntitullin: “Sarajeva i bën thirrje çdo burri, gruaje dhe fëmije”, dhe në përshtatjen e vitit 2022, thuhet: “Ukraina i bën thirrje çdo burri, gruaje dhe fëmije”.
Por kjo na sjell gjithashtu një ndryshim kryesor midis viteve 1990 dhe sot: reagimi i Evropës, apo i Perëndimit në përgjithësi. Pas fillimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992, Perëndimi refuzoi të qëndronte pa mëdyshje pas shtetit sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjës dhe Hercegovinës, politikisht dhe ushtarakisht.
Ushtarakisht, ai refuzoi të mbështeste të drejtën e Bosnjës për vetëmbrojtje duke ruajtur embargon e armëve të OKB-së, e cila mbulonte të gjithë ish-Jugosllavinë, por që e vinte në disavantazh të madh shtetin e ri të Bosnjës Hercegovinës, i cili nuk ishte i mirëarmatosur.
Politikisht, qeveritë perëndimore e interpretuan luftën kryesisht si një luftë civile midis tre grupeve etnike njësoj fajtore dhe e trajtuan qeverinë e ligjshme të Bosnjës dhe Hercegovinës në të njëjtin nivel me para-shtetet separatiste të vetëshpallura të “Republikës Srpska” dhe “Herceg Bosnjës”.
Është sikur Perëndimi do të niste dhe do të zhvillonte negociatat tani midis qeverisë së ligjshme të Ukrainës dhe liderëve të dy “republikave popullore” separatiste të Luhanskut dhe Donetsk për të rënë dakord për një paqe të përbashkët. E paimagjinueshme sot, por, në fakt, ky ishte realitet midis viteve 1992 dhe 1995.
Shkurtimisht, zyrtarët evropianë nuk u “zgjuan” gjatë luftës në Bosnje, ndryshe nga pjesë të shoqërisë civile, e cila mbështeti qartë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe shpesh kritikonte qeveritë e tyre për indiferencën ose “neutralitetin” e tyre.
Një kërcënim për sigurinë evropiane
Një poster i famshëm kundër luftës në Sarajevë nga viti 1993 (majtas) është ridizenjuar nga Trio për 2022.
Dallimi me të sotmen është i dukshëm: Perëndimi menjëherë dhe pa mëdyshje e përmendi me emër dhe e dënoi agresorin rus dhe mbështet fuqishëm shtetin e pavarur dhe sovran që sulmohet. Këtë e bën jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht, pasi ka vendosur të furnizojë Ukrainën me armë për të mbështetur rezistencën e saj.
Logjikisht, kjo ngre pyetjen se përse reagimi i Evropës dhe Perëndimit është kaq i ndryshëm sot sesa ishte midis viteve 1992 dhe 1995. Shpjegimi kryesor është se në vitet 1990, shumë qeveri perëndimore e konsideruan luftën në Bosnje dhe Hercegovinë si diçka thjesht rajonale që nuk kërcënonte sigurinë e tyre. Por Putini, si kreu i Rusisë, dhe pushtimi i tij gjithëpërfshirës i Ukrainës sovrane, shihet si një sulm dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për të gjithë sigurinë evropiane.
Për më tepër, në vitet 1990, shumë qeveri perëndimore besuan (ose donin ta besonin) trillimin e përjetësuar nga Millosheviçi se lufta në Bosnje dhe Hercegovinë ishte një konflikt i brendshëm në të cilin Serbia nuk ishte e përfshirë. Putini ndoqi një strategji të ngjashme midis 2014 dhe 2022 në lidhje me luftën në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës dhe “republikat popullore” separatiste atje, por ai ndryshoi rrënjësisht strategjinë e tij me pushtimin e hapur të Ukrainës.
Qëndrimi “neutral” i qeverive perëndimore ndaj luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë karakterizohej sigurisht edhe nga një paragjykim i caktuar anti-mysliman. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk bëri shumë për të mbështetur Kroacinë kundër Serbisë deri në vitin 1995 dhe bombardimi i NATO-s i Serbisë në vitin 1999 lidhej me një rajon – Kosovën – me një popullsi kryesisht myslimane.
Një arsye për të cilën mund të përjashtojmë qëndrimin aktual të prerë të Perëndimit kundër Rusisë së Putinit është se qeveritë kanë menduar për luftën e Bosnjës dhe kanë nxjerrë disa “mësime” prej saj. Për shumë në Perëndim, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë ende nuk konsiderohet një ngjarje e rëndësishme në historinë evropiane dhe për këtë arsye nuk luan një rol të madh në kujtesën kolektive të Evropës. Dhe shumë ende nuk besojnë se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj Bosnjës midis 1992 dhe 1995 ishte thelbësisht i gabuar.
Kjo nuk do të thotë se Perëndimi nuk nxori asnjë përfundim nga lufta e viteve 1992-1995. Një nga arsyet për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja në 1999 ishte sigurisht se qeveritë perëndimore ishin ndërgjegjësuar për strategjinë e Millosheviçit dhe politikat e tij vrastare. Në një farë mënyre, thirrja “Wake up Europe” nga Sarajeva në vitin 1993 pati njëfarë efekti, jo në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën, por në raport me Kosovën në vitin 1999.
Por nëse qëndrimi aktual i qartë i Perëndimit ndaj Putinit nuk është një mësim i nxjerrë nga lufta në Bosnje, mund të ndodhë e kundërta: që Perëndimi të mësojë nga lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe se kjo mund të ndryshojë gjithashtu politikën e tij ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.
Fillimisht, mendova se lufta në Ukrainë do ta largonte edhe më shumë vëmendjen e Perëndimit nga Bosnja dhe se lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik dhe miku i tij i ngjashëm kroat Dragan Coviç do të përdornin mundësinë për të çuar para agjendat e tyre për ta përçarë edhe më tej vendin.
Në fakt, megjithatë, duket se lufta në Perëndim ka rritur ndërgjegjësimin për politikën e Putinit për të mbështetur forcat destabilizuese edhe në pjesë të tjera të Evropës, veçanërisht në Ballkan. Kjo pasqyrohet, për shembull, në paralajmërimin e fundit të Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, i cili deklaroi se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë dhe se është e nevojshme të ndiqen nga afër edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Shkurtimisht, pyetja më e rëndësishme sot nuk është ndoshta “Çfarë mund të mësojmë nga Sarajeva?” në lidhje me luftën në Ukrainë, por më shumë “Çfarë mund të mësojmë nga Kievi?” në lidhje me paqen në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ndoshta lufta e tmerrshme kundër Ukrainës të paktën do të ketë efektin pozitiv për ta bërë BE-në t’i kushtojë sërish më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe të ndërgjegjësohet për lojërat shkatërruese që Dodik dhe Coviç dhe ata që qëndrojnë pas tyre po luajnë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një nga “mësimet” e mundshme të dobishme për BE-në nga lufta në Ukrainë në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën mund të përmblidhet si më poshtë: loja kartën e të bërit qejfin me mini-autokratë nacionalistë ngacmues (hapur ose në mënyrë diskrete) mund të jetë vetëm e rrezikshme dhe kundërproduktive.
Fatkeqësisht, tashmë ka mjaft forca brenda BE-së që luajnë lojërat e tyre përçarëse në Bosnjë dhe Hercegovinë, si Viktor Orban i Hungarisë apo qeveria kroate. Por shpresojmë që kriza aktuale do të forcojë forcat pro-boshnjake brenda BE-së, të cilat më pas duhet ta naxirin shumë më tepër BE-në që më në fund të dëgjojë zërat anti-nacionalistë brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.
Dhe kështu “Wake up, Europe!” mbetet një thirrje shumë urgjente – në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Ballkanin Perëndimor.
Nicolas Moll është një studiues i pavarur me bazë në Sarajevë.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.
Rruga Press