Suvenire me imazhet e dokumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore, që ruhen në fondin e Arkivit Shtetëror
Këto janë suveniret e para të prodhuara nga një institucion shtetëror me imazhet e trashëgimisë sonë dokumentare që ruhet në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror dhe që secili mund t’i blejë prej këtij fundviti.
Akti i Pavarësisë së Shqipërisë në disa variante, sete zyre apo të përdorimit të përditshëm, deri në riprodhimin artizanal të Kodikut të Beratit.
Kjo është një nismë që synon promovimin e vlerave arkivore që DPA-ja administron, dhe që realizohet përmes riprodhimit të disa prej objekteve simbol të trashëgimisë, apo mbishkrime dokumentesh dhe fotografi me rëndësi historike.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido theksoi rëndësinë e këtij projekti:
“Pasuria arkivore e jona është e pafundme. Këtu ne kemi vetëm suportet por përtej këtyre që ne kemi prodhuar, imazhet që vendosen mbi suporte i vendos edhe vetë individi duke e personalizuar suvenirin e tij. Kështu nuk përqëndrohemi vetëm tek imazhet që kemi ne kemi përzgjedhur në mënyrë simbolike, siç janë deklaratëa e pavarësisë, firma e Ismail Qemalit, kodikët, fermanët, medaljonin e Kamenës, dekorata në kohën e Zogut”.
Këto suvenire do të prodhohen vetëm nga ato mjete financiare që prodhon vetë shitja e tyre. Çdo suvenir i blerë nga një qytetar do të prodhojë një suvenir të ri pa harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti.
10% e çdo suveniri do të shkojë për në buxhetin e shtetit, për t’u përdorur aty ku ka nevojë!
Cilido qytetar mund të porosisë suveniret me imazhin që ai do të dëshirote të kishte dhe për vetëm 1 javë, ai do të jetë gati dhe mund t’i shkojë me postë kudo në Shqipëri. Këtë mund ta bëjë fizikisht në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose online.