Kostoja e luftës për rusët e thjeshtë
Veprimet e presidentit Putin në Ukrainë kanë krijuar një skenar të pasigurtë për rusët ndërsa lufta dhe saksionet ekonomike po krijojnë një të ardhme të zymtë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina është një qytetin rus Rostov-mbi-Don dhe nga intervistat me banorët përgjatë kufirit rus me Ukrainën lindore mëson se ndërsa disa janë të etur të luftojnë, të tjerë thonë se ndjenja e patriotizmit nuk është aq e fortë krahasuar me vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë.
Rusët u zgjuan sot me rublën e dobësuar kundrejt dollarit dhe euros pas fillimit të sulmit të hapur nga forcat ruse në Ukrainë. Rubla ra 7.5% kundrejt dollarit amerikan, tregjet botërore të aksioneve janë tronditur dhe çmimet e naftës u rritën me gati 6 dollarë për fuçi.
Chris Weafer, shefi i firmës së konsulencës së investimeve me bazë në Moskë, Macro-Advisory, beson se sanksionet e reja do të godasin një bazë më të gjerë të ekonomisë ruse dhe do të prekin më drejtpërsëdrejti qytetarët e zakonshëm.
“Do të ketë sanksione më të dëmshme që shkojnë përtej asaj që kemi parë deri më tani, që kanë në shënjestër elitat ose oligarkët rusë ose pjesë të strukturës së mbrojtjes. Sanksionet e ardhshme do të jenë më të gjera dhe do të synojnë një bazë më të gjerë të ekonomisë, dhe për këtë arsye do të prekin rusët e zakonshëm në një masë shumë më të madhe nga sa kemi parë deri më tani”.
Në brigjet e lumit Don është qyteti i Rostovit – një nga qytetet më të mëdha në Rusinë jugore, vetëm 90 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Mijëra njerëz po shkojnë aty nga rajonet e Luhanskut dhe Donjetskut, të zhvendosur nga konflikti në rritje. Ndërsa mbërrijnë, rriten shqetësimet se çfarë do të sjellë kjo luftë dhe cilat do të jenë pasojat e saj në jetën e tyre.
“Jam i shqetësuar për pasojat që do të ketë lufta tek njerëzit e thjeshtë, ekonomia. A do të rritet sërish dollari, a do të bien pagat, a do të ketë operacione të tjera ushtarake? Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh, shumica dërrmuese e njerëzve nuk e dinë të vërtetën e asaj që po ndodh.”
Për disa njerëz, çmimi që duhet paguar për përfshirjen ushtarake të Rusisë në konfliktin me Ukrainën fqinje është shumë i lartë. Ata thonë se këtë herë nuk është si në vitin 2014, kur aneksimi i Krimesë pati një mbështetje të gjerë popullore.
“Nuk e mbështes këtë vendim. Dakort, ata kanë një konflikt, por është një çështje e brendshme, pse duhet të përfshihemi në të, pse t’ua njohim pavarësinë? Është një vend tjetër! Lërini të zgjidhin problemet e tyre. Dhe tani, për shkak të këtij vendimi, nuk e di se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme”, thotë Vadimi, banor në Rostov-mbi-Don.
Të tjerë thonë se janë të gatshëm të paguajnë çfarëdo çmimi që është i nevojshëm.
“Unë dhe familja ime mbështesim plotësisht vendimin e Vladimir Putinit për të njohur këto republika. Kemi vuajtur shumë, që nga viti 2014. Nuk është diçka e vogël për ne, dhe jemi të gatshëm të përballemi me sanksionet”, thotë Alexandra Kashchienko, banore në Rostov-mbi-Don.
Shumë në këtë pjesë të Rusisë kanë lidhje familjare dhe shoqërore me Luhanskun dhe Donjetskun, dhe megjithë dallimet politike për njohjen e pavarësisë së këtyre territoreve nga Rusia, të gjithë pajtohen me dëshirën për të ndaluar dhunën.
“Kam të njohur, miq dhe familjarë atje, prindërit e mi janë atje tani. Natyrisht, unë jam e shqetësuar sepse situata atje është e keqe, nuk do t’ia uroja armikut tim më të keq”, thotë Nadeshda, banore në Rostov-on-Don.
Sanksionet e reja kundër Rusisë janë vendosur, ndërsa në rrugë, pasiguria, shqetësimi për të ardhmen dhe frika e një lufte më të madhe rëndojnë në mendjet e rusëve./VOA
Rruga Press