“Ukraina sot, Ballkani nesër”
Shkruan Sebastian Zonja
Mbrëmjen e së hënës trupat ushtarake ruse nisën marshimin e tyre drejt Ukrainës Lindore.
Më herët, presidenti Vladimir Putin njohu me dekret pavarësinë e rajonit të Luhanskut dhe Donetskut. Këto rajone të kontrolluara nga separatistët pro-rusë, shpallën në mënyrë të njëanshme pavarësinë më 12 maj të 2014-ës kur Rusia aneksoi edhe Krimenë.
Situata në Ukrainë është ngërthyer nga një spirale tensioni orë pas ore, ndërsa aktorët më të lartë të politikës euroatlantike e kanë cilësuar këtë hap si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe kanë artikuluar vendosjen e sanksioneve të forta financiare ndaj Rusisë, teksa Gjermania ka njoftuar bllokimin e gazsjellësit Nord Stream 2.
Situata është tensionuar edhe në Ballkan. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç rriti gadishmërinë e ushtrisë serbe mbrëmjen e së hënës.
“Jam i shqetësuar dhe situata nuk është e lehtë. Presioni politik mbi Serbinë pas fjalimit të Putinit do të jetë më i fortë se kurrë. Askush nuk mund të parashikojë më se çfarë do të ndodhë. Sot i dhashë urdhër Ushtrisë si Komandant i Përgjithshëm që të përgatitet në mënyrën më të mirë për çdo eventualitet” tha kreu i shtetit serb Vuçiç.
Ndërkohë, më herët, mediet serbe njoftuan se presidenti rus Vladimir Putin ka dërguar në Ballkan zyrtarin e lartë të inteligjencës ruse, Nikolai Patrushev. Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, krahu i djathtë i Putinit, mbërriti në Beograd për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vizita në Beograd vjen pas deklaratës së kryediplomatit rus Sergei Lavrov që solli në qendër të vëmendjes Ballkanin. “Ka informacione se janë duke u rekrutuar mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë dhe Hercegovinë për t’i dërguar në zonat e konfliktit në Ukrainën lindore,” tha Lavrovi. Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Do të ishte vetë Presidenti i Rusisë Vladimir Putin që solli në vëmendje lidhjen e ngushtë dhe strategjike mes Rusisë dhe Serbisë. Ai e uroi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, duke i thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen në mënyrë dinamike dhe në frymë të partneritetit strategjik ku lidhjet Rusi-Serbi i kontribuojnë sigurisë në Evropë.
Kosovën do ta sillte në vëmendje vetë kryediplomati rus gjatë takimit të Këshillit rus të Sigurisë lidhur me situatën në dy rajonet në Ukrainën lindore. Gjatë diksutimeve nëse Rusia duhet të njohë pavarësinë e këtyre dy rajoneve, Donetskut dhe Luhanskut, Lavrovi solli në vëmendje shpalljen e pavarërsisë së Kosovës.
“Ju përmendët termin gjenocid gjatë takimit me Olaf Shcholzin”, iu drejtua Lavrovi, Putinit, “gjenocidi ka të bëjë me historinë se si Kosova u shpall e pavarur, pa asnjë lloj referendumi. Kështu i manifestojnë sulmet ndaj sllavëve, ndaj ortodoksëve, dhe në rastin e Ukrainës, ndaj të gjithë rusëve. Shpresoj që t’i dërgojmë një mesazh të fortë botës ruse”, deklaroi Lavrovi.
Presidentja Vjosa Osmani e ka ngritur problemin e sigurisë ballkanike gjatë konferencës vjetore të Sigurisë në Mynih. Osmani tha se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është i qartë. Sipas Osmanit, Kosova po përballet me një shtet “fqinj agresiv dhe destabilizues”. Presidentja parashtroi kërkesën se është e nevojshme për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete. Procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon” – tha Osmani.
Analistë të ndryshëm argumentojnë se një pikë e dobët e sigurisë ballkanike është edhe Bosnje – Hercegovina. Vetë kryediplomati evropian Josep Borrell ka folur me nota të larta alarmi për situatën në Bosnje.
“Situata atje nuk ka qenë e lehtë, por duke parë spiralen e tensioneve në vend mund të them se është më shqetësuese se kurrë” – tha kreyediplomati nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së u kërkoi ministrave të jashtëm të bllokut evropian të ndërmarrin veprime të shpejta për të parandaluar që një krizë që do të ishte “kritike” për Bosnje-Hercegovinë, ku sipas tij mund ta shpërbëjë vendin e brishtë të Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarja më e lartë që tërhoqi vëmendjen për sigurinë në Ballkan ishte Sekretarja e Jashtme britanike kur tha se nëse sot lejohet që të pushtohet Ukraina, vende të tjera e kanë radhën.
“Ai ka qenë shumë i qartë – ambicia e tij nuk është vetëm marrja nën kontroll e Ukrainës. Ai dëshiron ta kthejë kohën pas, në mesin e viteve ‘90, apo edhe para kësaj. Shtetet baltike janë në rrezik… edhe Ballkani Perëndimor” – tha zyrtarja e lartë britanike.
Ndërkohë që situata në Ukrainë është e tensionuar dhe këto tensione rezonojnë edhe në Ballkan, sërish vendet kanë lënë një shteg për diplomacinë. Pritet të ketë një takim të nivelit të lartë mes Sekretarit amerikan Blinken dhe ministrit të Jashtëm Lavrov. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë thërritur një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, pas thellimit të krizës në Ukrainë.
Në skenarin më minimal, “Financial Times” shkruante pak ditë më parë se rusët do të marrin zonat që tashmë i kanë nën zotërim në Ukrainën lindore. Putini kënaq popullin e tij dhe i thyen hundët Ukrainës dhe perëndimit, ndërsa qeveria qendrore e Kievit nuk e ka të gjatë për shkak të protestave që mund të shpërthejnë. Ukraina kthehet në një vend me destabilitet të gjatë politik për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, në kërkesat e parashtruara ndaj amerikanëe, rusët kërkojnë që NATO të mos anëtarësojë Ukrainën në aleancë, ndërsa vijojnë më tej se duhet të mbylljen bazat ushtarake të NATO-s në Bullgari dhe Rumani. Putini e ka cilësuar rënien e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeoplotike të shekullit XX. Rusët kanë kërkuar zyrtarisht nga amerikanët që të tërheqin trupat ushtarake nga vendet që u bashkuan me NATO-n pas vitit 1997.