Rruga Press dënoi gjuhën fyese ndaj ministres Gërvalla, vjen reagimi i RTK-së: Distancohemi, nuk përkon me etikën dhe standardet e punës në RTK
Ditën e djeshme Rruga Press denoncoi publikisht gjuhën skandaloze që dëgjohej në bisedën e dy personave, në momentin kur RTK po jepte drejtpërdrejt pamjet nga Konferenca e Mynihut. Gjatë ditës së sotme erdhi reagimi i radhës edhe nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili e cila dënoi gjuhën e tyrpshme dhe kërkoi që ky rast të trajtohet me seriozitetin më të lartë.
Poashtu, vetë Radio Televizonit i Kosovës ka reaguar pas publikimit të këtij komunikimi mes dy personave brenda RTK-së, të cilët përdorën gjuhë fyese ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në një transmetim live të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Përmes një sqarimi, RTK ka thënë se komunikimi është bërë në mes një montazheri të RTK-së dhe një përkthyesi me kontratë me shërbime, duke shtuar se kanë inicuar procedurë diciplinore ndaj përgjegjësve.Menaxhmenti i RTK-së është distancuar nga kjo lloj gjuhë duke shprehur keqardhje për një bisedë të tillë.
Sqarimi i plotë:
Menaxhmenti i RTK-së shpreh shqetësim për gjuhën e papërshtatshme të përdorur nga një punonjës i RTK-së (montazher) dhe një përkthyes, i kontraktuar për shërbime, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Youtube.
RTK shpreh keqardhje si dhe e dënon dhe distancohet nga gjuha e përdorur nga punonjësi i RTK-së, ndaj zv. kryeministres Donika Gërvalla.
Kjo sjellje nuk përkon me etikën dhe standardet e punës në RTK.
Ju informojmë se lidhur me këtë rast, RTK-ja ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj përgjegjësve.
Rruga Press e përshëndet distancimin e televizionit RTK nga ky rast dhe zotimin për masa të mëtejshme. Shpresojmë që së shpejti të vijë një reagim edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, pavarësisht se tashmë kanë kaluar disa ditë nga ky skandal.
Rruga Press