KryesoreOpinion/Aktualitet

ÇELU QIELL! EKSIK, PLASI EDHE KJO !

AS MEDIA AS SHTETI S’BOHEN ME THASHETHËME DHE SHARJE:
QOFTË TË NANAVE, MINISTRËS GËRVALLA APO KUJTDO TJETËR!

Shkruan Hana Mitrovica

Nga njoftimi i një miku, kuptova mbi skandalin e turpshëm që ndodhi në Radio Televizionin e Kosovës.

Dy punonjës të RTK-së, tutje gazetarë, ditë më parë jashtë çdo kufiri normativ të kodit: moral, etik, profesional dhe rregullativ, paskëshin sharë Ministrën e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zonjën Donika Gërvalla – Schwarz.

Bëhet fjalë, siç raportohet më tej dhe në media, për dy punonjës, evidencialisht gazetarë të Radio Televizionit të Kosovës.

Ata në tandem në mënyrën më të ulët kishin bërë komente të papranueshëm dhe denigruesë, thënë butësisht.Me shprehje poshtëruese ndaj eksponentit të lartë ekzekutiv shtetëror, përkatësisht Ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Flagrancë e mungesës së kulturës institucionale dhe soj paedukate themelore.

Fraza tej çdo kufiri tolerance edhe po të bëheshin ndaj kujtdo qoftë tjetër para publikut apo privatisht.

Si t’i cilësojmë ndryshe këto shprehje por se fjalë fyese. Të bëjnë të kapësh kokën me dy duar!

E dini si thonë: sharrjet, fyerjet dhe thashethëmet janë uvertyrë për forma tjera të dhunës. Me radhë. Pak më larg. Etapë në akt. Gabim në hapa. Një mendje e shëndoshë nuk shanë dhe as nuk e përflet tjetrin. I dobëti po. Gjithmonë. Edhe aktet e dhunës fillojnë nga gjuha. Et verbas vulnerant (latinët thonë se : edhe fjalët lëndojnë).

Sharje gratis dhe pa merita për Ministren Gërvalla nga gazetarët e RTK-së. Të paparamendueshme kudo tjetër, se lëre më në një institucion mediatik. Shtylla numër IV e demokracisë. Shërbim publik i cili do të duhej të ishte oaza e kulturës dhe burim i edukatës.

E pikërisht aty ndodhi flagranca e fyerjes së madhe mediatike. Para gjithë opinionit publik – audiencë e gjërë telespektatorësh.

M’u kujtua koha në Radio Televizionin e Kosovës, rreth dy dekada më parë, më rastësiste ndonjëherë ta takoja edhe Bacën Adem (Demaçi) në takimet periodikë të bordit të lartë ekzekutiv, me prezencë edhe ndërkombëtare. Pavarësisht ngrohtësive të natyrshme miqësore kolegiale midis të gjithë neve, me momente nënkuptueshëm joformalë gjatë komunikimit, porse, mirësjellja njerëzore dhe profesionale ishte bollshëm prezente, dhe nuk është se mungoi. Jo. Asnjëherë. Secili secilin me njerëzi nderonte.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Krahas hartimeve të akteve, shkresave të rregulloreve për përdorim brendainstitucional, përgatiteshin edhe pliko përmes të cilave shpërndaheshin kopjet për secilin punonjës pa dallim. Brenda në ato pliko ishte: KODI I MIRËSJELLJES I RADIO TELEVIZIONIT TË KOSOVËS. Duket se iu paska ra pluhuri kohëve të fundit, andej pari. Ah, çka ta bën indolenca, kush nuk ta bën!

Kodi i mirësjelljes, pra.E di. Sot nocion abstraksioni më vete. I disolvuar. Porse, besoni një gjë e tillë ekzistonte atëbotë dhe respektohej. E si respektohej se!
I dorëzohej secilit punonjës të RTK-së veç e veç. Tash vërtet do t’ju zhdrejtoja po të më pyesnit për numrin e faqeve dhe përmbajtjen në detaje. Një gjë e di: jini të sigurtë se sharjet me një sërë sjelljesh të natyrës denigruese, bullizuese apo linçuese në baza gjinore dhe të tjera akoma, assesi nuk përbënin konduktim të pranueshëm institucional. Ndaj, ky epizod i turpshëm kundrejt Ministres Gërvalla nuk e besoj se do të kalonte lehtë pa një filtrim të mirë e të thellë disciplinor. Jo në atmosferë kominterne apo politbyroje, assesi jo. Por efikas, po, gjithsesi.

Punkti prej ku u dëgjua gjuha denizoviniane, gjasme studio transmetimi nga ku po rridhte e papenguar biseda denigruese e dy gazetarëve të RTK-së kundër zonjës Gërvalla, për fatin e tij të keq transmetues, qëlloi të ishte shërbimi publik informativ i qindra dhe mijëra teleshikuesve të të dyja gjinive; tërë shkallës moshore demografike vendore dhe asaj në mërgim. Prej aty ku ndodhi skandali, pak minuta më pas do të fillonte transmetimi i konferencës në Mynih.

Dy përfolësit bullizues të RTK-së, dëgjoheshin teksa po prisnin transmetimin e Konferencës, ndërkaq gjuhët e fëlliqura nga studio i kishin i lëshuar si bagëtinë në kullosje të THASHETHEMALAND me shprehje fëlliqësisht të ndyera.

Në audio regjistrim dëgjohen zërat e komentuesve direkt në etër, pa dijeninë e tyre.

Me sa kuptova, teksa po prisnin, zunë e po flisnin serbez, gojëplot kundër zonjës Gërvalla. Në mënyrën më të ulët e të padëgjuar asisoji më parë në TV. Pas shpine. Ashtu siç bëjnë rëndom përfolësit e mjerë dhe ordinerë, plot komplekse për shërim shkaku i mangësive personale. Pré e komplekseve dhe përfoljes së tyre u bë Ministrja Gërvalla.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Më e rënda, në vargun sharjeve të pafolshme të shqiptuara, po dëgjohej edhe ajo sharja famëkeqe dhe atavike, për të cilën nuk e di nëse ekziston shqiptar që nuk e ka dëgjuar të paktën një herë në jetë, e që në gjuhën shqipe gjithnjë verbalisht ‘ia bën punën’: Nanës Shqiptare!

Merrni me mend situatën: me qindra mijëra shikues e dëgjues të ulur para televizionit e midis tyre me siguri jo vetëm gra e burra por, pleq e fëmijë po dëgjojnë të tilla fyerje, denigrime, poshtërime dhe sharje kundër zonjës Gërvalla!… ÇELU QIELL!

“T’i ‘bëhet’ nëna këtij e atij” dhe çkamos!

“Fjalëkalime” për të trajtuar temën gjon-e-gjat’. Nuk e di a ka edhe pjesëtare tjera të gjinisë femërore në Universin Shqiptar të cilat i mundon “fenomeni” i tillë. Shpresoj po. Mua gjithsesi po. Më mundon sharja e nanave shqiptare në çdo hap. Më intereson dhe çrrënjosja e këtij tabijati të pistë. Më ka munduar gjithmonë. Gjer në dhimbje. Shpesh pyes vetën : si duan komb e shtet kur esencën amnore të lindjes së të dy komponentave e shajnë?

Solidarizohem në plotni me Ministren Gërvalla dhe shpresoj të hiqet edhe ky ves i keq i sharjes me nanë, i thashethemave dhe përfoljeve. Kam bindjen, janë importuar ku me ditë me cilin okupim të radhës, që po kanoste treva e troje me dhunë mbi gratë e nanat shqiptare pa pikë droje. E ju do të thoni tash çfarë lidhje ka ? Ka lidhje, ka ! Urdhnoni e mendoni. Dhuna prej fjale fillon. Me intrigën vazhdon. Aty diku është edhe bullizmi që s’ngecë. Edhe linçimi. Dhe të ngjashmët. Ashtu janë. Shkojnë tok si shokë…

Sa do të doja t’ia gjeja një palindrom sinonim fjalës njerëzim – e jo mjerim. Ndoshta në neologji si MIRIM – që lexohet njësoj – nga e majta dhe djathtas – sikur kjo data e sotme palindrome: 2/22/22

Ndërkohë pres: mediat, analistët, opinionistët dhe mbarë komunitetin gazetaresk të reagojë bashkë me në krye shoqërinë civile, në prag të festës femërore edhe rrjeti grave le t’bëzajë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *