Rrjedhja masive zbulon pronarët e fshehtë të 80 mld paund në Credit Suisse, në hartë edhe Shqipëria
Një rrjedhje masive nga një prej bankave private më të mëdha në botë, Credit Suisse, ka ekspozuar pasurinë e fshehur të klientëve të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.
Në këtë rrjedhje të dhënash, gjenden detajet e llogarive të lidhura me 30,000 klientë të Credit Suisse në të gjithë botën. Në të demaskohen përfituesit e më shumë se 100 miliardë frangave zvicerane (80 miliardë £) të mbajtura në një nga institucionet financiare më të njohura të Zvicrës. Lajmi u publikua nga The Guardian, që është pjesë e një konsorciumi të organeve mediatike që kanë akses ekskluziv në të dhënat.
Rrjedhja tregon se Credit Suisse nuk ka pasur kujdesin e duhur ndaj historikut të klientëve, pavarësisht nga premtimet e përsëritura gjatë dekadave për të hequr klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.
Raportet zbulojnë se Credit Suisse në mënyrë të përsëritur hapi ose mbante llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.
Ato përfshijnë një trafikant qeniesh njerëzore në Filipine, një drejtues të bursës së Hong Kongut të burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës së tij, që ishte yll i popit libanez, dhe drejtuesit që grabitën kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë.
Nga të dhënat e rrjedhura u gjet se një llogari në pronësi të Vatikanit u përdor për të shpenzuar 350 milion € (290 milion £) në një investim të dyshuar mashtrues për një pronë në Londër, që është në qendër të një gjyqi penal që po vijon për disa të pandehur, duke përfshirë një kardinal.
Katalogu i madh i të dhënave bankare u zbulua nga sinjalizues anonim dhe iu dha gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung. “Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale,” tha burimi i sinjalizuesit në një deklaratë. “Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të shmangësve fiskalë.”
Credit Suisse tha se ligjet e rrepta të sekretit bankar të Zvicrës e pengojnë atë të komentojë mbi pretendimet në lidhje me klientët individualë.
“Credit Suisse kundërshton me forcë pretendimet dhe konkluzionet në lidhje me praktikat e supozuara të biznesit të bankës,” tha banka në një deklaratë, duke argumentuar se çështjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të marra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze të biznesit të bankës.”
Banka tha gjithashtu se akuzat ishin kryesisht historike, dhe në disa raste datonin në një kohë kur “ligjet, praktikat dhe pritshmëritë e institucioneve financiare ishin shumë të ndryshme nga ku janë tani”.
Ndërsa disa llogari në të dhënat ishin të hapura që në vitet 1940, më shumë se dy të tretat u hapën që nga viti 2000. Shumë prej tyre ishin ende të hapura në dekadën e fundit dhe një pjesë mbeten të hapura edhe sot.
Reagimi
Publikimi i të dhënave shkaktoi tronditje në sektorin financiar të Zvicrës dhe tërboi SHBA-të, të cilat i ushtronin presion Zvicrës që të zbulonte në mënyrë të njëanshme se cilët nga taksapaguesit e saj kishin llogari sekrete zvicerane nga viti 2014. Po atë vit, Zvicra nënshkroi pa dëshirë konventën ndërkombëtare për shkëmbimin automatik të informacionit bankar .
Duke miratuar të ashtuquajturin standard të përbashkët të raportimit (CRS) për ndarjen e të dhënave tatimore, Zvicra në fakt ra dakord që bankat e saj në të ardhmen të shkëmbejnë informacione për klientët e tyre me autoritetet tatimore në vendet e huaja. Ata filluan ta bëjnë këtë në vitin 2018.
Anëtarësimi në sistemin global të këmbimit përmendet shpesh nga industria bankare e Zvicrës si një pikë kthese. “Nuk ka më konfidencialitet të klientëve të bankave zvicerane për klientët jashtë vendit”, tha Shoqata Zvicerane e Bankierëve për Guardian. “Ne jemi transparentë, nuk ka asgjë për të fshehur në Zvicër.”
Megjithatë, ligji pothuajse 90-vjeçar i Zvicrës për sekretin bankar, mbetet në fuqi – dhe u zgjerua kohët e fundit. Rrjeti i Drejtësisë Tatimore vlerëson se vendet në mbarë botën humbasin të gjitha së bashku 21 miliardë dollarë (15.4 miliardë £) çdo vit nga të ardhurat tatimore për shkak të Zvicrës. Shumë nga këto vende janë kombe më të varfra që nuk janë regjistruar në shkëmbimin e të dhënave CRS.
Më shumë se 90 vende, shumica e të cilave janë në botën në zhvillim, nuk arrijnë të kenë inormacion kur taksapaguesit e tyre të pasur fshehin paratë e tyre në llogaritë zvicerane.
Kjo pabarazi në sistem u përmend nga sinjalizuesi që nxorri të dhënat. Ai tha se sistemi CRS “imponon një barrë joproporcionale financiare dhe infrastrukturore mbi vendet në zhvillim, duke bërë të mundur përjashtimin e tyre nga sistemi në të ardhmen e parashikueshme”.
“Kjo situatë mundëson korrupsionin dhe i privon vendet në zhvillim nga të ardhurat tatimore shumë të nevojshme. Prandaj, këto vende janë ato që vuajnë më shumë nga marifeti i Zvicrës, që është e kundërta e asaj që bënte Robin-Hood,” tha sinjalizuesi.
Denoncuesi pranoi se rrjedhja mund të përmbante llogari që ishin legjitime dhe të deklaruara nga klienti në autoritetin e tyre tatimor.
“Unë jam i vetëdijshëm se të kesh një llogari bankare zvicerane offshore nuk nënkupton domosdoshmërisht evazion fiskal ose ndonjë krim tjetër financiar,”. “Megjithatë, ka të ngjarë që një numër i konsiderueshëm i këtyre llogarive janë hapur me qëllimin e vetëm për të fshehur pasurinë e mbajtësve të tyre nga institucionet fiskale dhe/ose për të shmangur pagesën e taksave mbi fitimet kapitale.”
The Guardian thekson se për gazetarët që u përfshinë në projektin Suisse Secrets nuk ishte e mundur të përcaktonin se sa nga më shumë se 18,000 llogaritë në këtë rrjedhje të dhënash ishin deklaruar tek autoritetet përkatëse tatimore.
Në hartën e publikuar nga The Guardian për shtetet, individët e të cilëve kanë llogari në rrjedhjen e Credis Suisse, ndodhet dhe Shqipëria/ Monitor
Rruga Press