Bota i ka sytë nga Ukraina, shqiptarët tek Big Brother/ Biden vs Putin apo Iliri vs Donaldi
Bota ka muaj që po përjeton kriza që ndezin alarmin e luftës botërore. Ndër to mund të përmendim kërcënimet e Kinës ndaj Taivanit, krizen e emigrantëve në kufirin Bjellorusi-Poloni, grindjet e vazhdueshmë për hapësirën detare Turqi-Greqi, tentativat e shpeshta për destabilizim në Bosnjë dhe Hercegovinë nga Milorad Dodik, kërcënimet me ushtri në kufi të Kosovës nga Serbia, e së fundmi, më seriozja nga të gjitha, konflikti Ukrainë-Rusi.
Ky konflikt, më shumë se Ukrainë-Rusi, po na shfaqet si përballje NATO-Rusi. Implikimi i NATOS në një përballje direkte me Rusinë sjell në mendjen e çdo njeriu normal imazhet një lufte botërore, ku asgjë dhe asnjë nuk është në paqe.
World War III vs Big Brother VIP
Shka bajn shqyptarët?… Han fiq e kastraveca
Gjergj Fishta
Në të gjitha luftërat e shekullit të kaluar, asnjëherë nuk kemi marrë pjesë si shtet i organizuar dhe përfaqësuar me ushtri. As në Luftën e Parë ballkanike (sapo e shpallëm shtetin), as në Luftën e Dytë Botërore, as në Luftën e Kosovës e Maqedonisë, e aq më pak në Luftën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
E siç duket, as në Luftën e Tretë Botërore (po ndodhi).
Aftësia e shqiptarit për t’ia mbyll sytë vetës ndaj historisë që ngulmon të ndodhi në të sotmen bën të duket banal (në sytë e shqiptarit) çdo vullnet e angazhim njerëzor që merr pjesë në historinë e njerëzimit.
Big Brother, Iliri, Donaldi, fiqt e kastravecat janë simboli i një populli që nuk mund të degradojë më, sepse tashmë është zhgarravit përdhe.
Në orën 2 pas mesnate, kur gjasat janë reale që të jemi tashmë në luftë botërore, sheshet sdo jenë të mbushura me njerëz që protestojnë për armatim të ushtrisë, por me bori makinash që festojnë fitoren e fundërrinës së radhës në spektalin shqiptar.
Lotës fallco të Arbanës nuk do munden të shqiten nga mendja e telespektatorëve (telespektatorë edhe të vetë jetës së tyre), që kanë harruar se lotët e vërtetë janë ato të nenavë të viktimave të luftës, që shpejt mund ta kemi te gardhi i shtepisë.
Nëse nuk duam shqiptarë të vdekur në fushëbeteje, të përdhunuar në oborr të shtepisë, e të zhdukur në furrnalta a varreza masive, duhet:
- Armatim e jo spektakël
- Luftimi i korrupsionit e jo spektakël
- Moral e përgjegjësi qytetare e jo spektakël
- Atdhedashuri e jo spektakël
- Dije e jo spektakël
Rruga Press