Në Lezhë u shpërndanë 500 teste covid FALSE, arrestohet farmacistja
Farmacistja Kristjana Luka është arrestuar në Lezhë ndërsa në kërkim është shpallur administratorja, Aurora Ujka. Dy gratë u arrestuan pas finalizimit të operacionit ‘Fake Test’, falë të cilit u zbuluan 2 raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde dhe të lëshimit të dokumentit të rezultatit të testit fals dhe fiktiv. Policia dyshon se farmacia ka pajisur 500 shtetas me teste COVID pozitive dhe negative false, duke përfituar 100 euro për test COVID pozitiv dhe 50 për atë negativ.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “FAKE TEST”, goditen 2 raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde dhe të lëshimit të dokumentit të rezultatit të testit fals dhe fiktiv. Arrestohet një farmaciste, shpallet në kërkim administratorja e farmacisë, procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “FAKE TEST”. Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasja Kristjana Luka, 25 vjeçe, banuese në Shënkoll, me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë, si dhe është shpallur në kërkim shtetasja Aurora Ujka, 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.
Rruga Press