Ukraina më e bashkuar se kurrë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, hodhi poshtë pretendimet ruse për tërheqje, duke vënë në dukje mungesën e dëshmive për një tërheqje. Në një vizitë në stërvitjet ushtarake në rajonin Rivne në Ukrainën Perëndimore, Zelenskyy lavdëroi ushtrinë e tij
Ukrainasit kundërshtuan presionin nga Moska me një shfaqje kombëtare të unitetit të valëvitjes së flamurit të mërkurën, teksa Perëndimi paralajmëroi se nuk shihte asnjë shenjë të një tërheqjeje të premtuar të trupave ruse nga kufijtë e Ukrainës, pavarësisht deklaratave të Kremlinit për tërheqje.
Derisa një pushtim i frikshëm rus i Ukrainës të mërkurën nuk u materializua, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pohojnë se kërcënimi mbetet i fortë, me sigurinë dhe stabilitetin ekonomik të Evropës në ekuilibër.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sinjalizuar se dëshiron një rrugë paqësore për të dalë nga kriza, ndërkaq presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i japin diplomacisë “çdo mundësi”, megjithëse kishte një ton skeptik për qëllimet e Moskës. Bideni këmbënguli gjithashtu se Washingtoni dhe aleatët e tij nuk do t’i “sakrifikojnë parimet bazë” duke e respektuar sovranitetin e Ukrainës.
Rusia ka grumbulluar rreth 150.000 trupa në lindje, veri dhe jug të Ukrainës. Moska mohon se ka ndonjë plan për të pushtuar dhe njoftoi një tërheqje të disa forcave dhe armëve, megjithëse dha pak detaje. Edhe pse Putini nuk është zotuar për një tërheqje të plotë, deklaratat ruse gjithashtu dukej se ulnin temperaturën politike pas javëve të përshkallëzimit të tensioneve Lindje-Perëndim.
Pretendimet ruse
Videoja e Ministrisë së Mbrojtjes ruse tregoi një ngarkesë treni me automjete të blinduara që lëviznin nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Ajo gjithashtu ka njoftuar se më shumë njësi tankesh të Qarkut Ushtarak Perëndimor po ngarkoheshin në trena për t’u kthyer prapë në bazat e tyre të përhershme pas ushtrimeve stërvitore.
“Nuk kemi parë ndonjë tërheqje”, ka theksuar sekretari i SHBA-së, Antony Blinken, për ABC News. Putini mund ta tërheqë këmbëzën. Mund ta bëjë atë që sot. Mundet edhe nesër. Ose javën e ardhshme. Forcat janë aty, në rast se ai dëshiron të ripërtërijë agresionin kundër Ukrainës”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca gjithashtu nuk kishte parë “ndonjë tërheqje të forcave ruse”. Përpara se të kryesonte një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ai është shprehur: “Nëse ata vërtet fillojnë të tërheqin forcat, kjo është diçka që ne do ta mirëpresim, por kjo mbetet për t’u parë”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, hodhi poshtë pretendimet ruse për tërheqje, duke vënë në dukje mungesën e dëshmive për një tërheqje. Në një vizitë në stërvitjet ushtarake në rajonin Rivne në Ukrainën Perëndimore, Zelenskyy lavdëroi ushtrinë e tij, duke thënë: “Kur ju shikoj juve, kam besim si në të sotmen ashtu edhe në të nesërmen”.
Udhëheqësi ukrainas ka kërkuar vazhdimisht të projektojë qetësi dhe forcë gjatë krizës, duke e shpallur të mërkurën “Ditë të Unitetit Kombëtar”.
“Jemi të bashkuar nga dëshira për të jetuar të lumtur në paqe”, tha Zelenskyy në një fjalim drejtuar kombit. “Ne mund ta mbrojmë shtëpinë tonë vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar”.
Festa me flamuj
Mbarë vendin, ukrainasit e të gjitha moshave valëvitën flamuj në rrugë dhe nga dritaret e apartamenteve.
Qindra prej tyre shpalosën një flamur 200 metra në stadiumin Olimpiyskiy të Kievit, teksa një tjetër u shpalos mbi një qendër tregtare në kryeqytet.
Në pjesën e kontrolluar nga qeveria të rajonit lindor të Ukrainës, Luhansk, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar kundër trupave ukrainase që nga viti 2014, banorët shtrinë një tjetër flamur të madh nëpër rrugë.
“Kjo ngjarje, ky numër njerëzish të bashkuar rreth flamurit ukrainas do të tregojë se ne qëndrojmë për Ukrainën e bashkuar”, tha banorja Olena Tkachova.
Zyrtarët rusë kundërshtuan frikën perëndimore për një pushtim duke pretenduar se Ukraina mund të përpiqet të rimarrë kontrollin mbi lindjen rebele, edhe pse Kievi mohon ndonjë qëllim të tillë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka theksuar se furnizimet me armë perëndimore në Ukrainë mund ta inkurajojnë atë të nisë një “agresion vetëvrasës”.
Rusia dëshiron që Perëndimi t’i mbajë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s, ta ndalojë vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat nga Evropa Lindore. SHBA-ja dhe aleatët e saj i kanë hedhur poshtë ato kërkesa, mirëpo ata ofruan mundësinë të angazhohen në bisedime me Rusinë mbi mënyrat për ta forcuar sigurinë në Evropë.
Pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Putini të martën ka thënë se Perëndimi ka rënë dakord të diskutonte një ndalim të vendosjes së raketave në Evropë, kufizime në stërvitjet ushtarake dhe masa të tjera për ndërtimin e besimit – çështje që Moska i vuri në tryezë vite më parë. Ai shtoi se Rusia ishte e gatshme t’i diskutonte ato çështje, mirëpo vetëm pasi të ishin diskutuar “çështjet parësore të Rusisë”.
Ndërkohë, Scholz, ka përsëritur se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes “nuk është në rendin e ditës- kjo dihet shumë mirë”, kurse Putini u përgjigj se Moska nuk do të qetësohet me garanci të tilla.
“Ata thjesht po thonë se kjo nuk do të ndodhë nesër”, ka spikatur Putini. “Epo, kur do të ndodhë? Pasnesër? Duam ta zgjidhim këtë çështje tani si pjesë e procesit të bisedimeve në mënyrë paqësore”.
Të mërkurën, avionët luftarakë rusë fluturuan në misione stërvitore mbi Bjellorusinë fqinje dhe parashutistët zhvilluan stërvitje të shtënash në poligonet e qitjes atje, si pjesë e lojërave masive luftarake që Perëndimi kishte frikë se mund të përdoreshin si mbulesë për një pushtim të Ukrainës. Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, ka ripohuar se të gjitha trupat e armët ruse do të largohen nga vendi kur të përfundojnë manovrat të dielën.
Rruga Press