Eto’o për përballjen e sotme në Champions: “Calhanoglu ndikon, nëse Liverpooli nuk e ndalon. Lautaro? I vështirë nëse…”
Analiza e ish-lojtarëve zikaltër për Inter-Liverpool: kamerunazi, te mikrofonat e “Mirror”, identifikon pesë duelet kyçe të ndeshjes.
Duke folur në mikrofonat e tabloidit të njohur anglez, “Mirror”, Samuel Eto’o, ish-sulmuesi i Interit, ka treguar pesë duelet kyçe të ndeshjes së sotme në Champions League kundër Liverpool. Kjo është analiza e tij.
Vidal-Henderson: “Në netë si këto, përvoja ka shumë rëndësi. Asnjëri nga këta lojtarë nuk është më i riu, apo më i shpejti në fushë. Të dy kanë luajtur kaq shumë ndeshje të rëndësishme ndër vite. Do të ketë momente ndeshja, në të cilat të paktën një skuadër do të ketë nevojë për qetësi”.
Dzeko-Van Dijk: “Edin në moshën e tij është ende një nga golashënuesit më të mëdhenj në Itali. Ai është shumë i fortë me kokë dhe nëse Interi mund t’i shërbejë në mënyrën e duhur, do të jetë rrezik për Liverpool. Cilësitë e Van Dijk janë evidente; ai është një nga mbrojtësit më të mirë të Champions League”.
Calhanoglu-Thiago: “Hakan ishte një blerje shumë e rëndësishme për Interin, vijon ai, është plot kreativitet dhe ide. Thiago do të luajë një rol të rëndësishëm në frenimin e tij. Calhanoglu ndikon shumë te Interi, ndaj është e rëndësishme që Liverpooli të përpiqet ta ndalojë”.
Skriniar-Mané: “Skriniar është një nga mbrojtësit më me përvojë në Itali dhe me cilësitë sulmuese të Liverpoolit do t’i duhet kjo përvojë. Mane do të ketë kaq shumë besim pas Kupës së Afrikës dhe do të jetë i uritur për trofe.”
Lautaro-Matip: “Martinez ka shumë aftësi, shumë cilësi dhe bën diferencën te Interi. Nëse mund t’i tregojë këto cilësi edhe në këto ndeshje, do të jetë e vështirë edhe për një mbrojtës me të njëjtën përvojë, si Matip,”– përfundon Eto’o.
Rruga Press