Dy Tradhtitë e Vogla në Fotografinë e Madhe të Deklaratës së Përbashkët së Tiranës
Editorial nga Rruga Press
Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit 2016 të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë ( së Veriut), pas qeverisjeve brutale të një autokrati si Nikola Gruevski të VMRO për të paktën 12 vite rresht pa ndërprerje së bashku me partnerin e përhershëm shqiptar BDI-në e Ali Ahmetit, Tirana zyrtare si asnjherë më parë pati një rol aktiv në sjelljen e faktorit shqiptar në Maqedoni.
Pra pas një politike agresive të VMRO-së dhe patericizmin e BDI-së për vite të tëra në raport me shqiptarët dhe të drejtat kolektive politike të tyre, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përkatësisht Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë , Edi Ramën u kujdesën për një takim përbashkues sa i përket linjave të kuqe që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në kërkesat e tyre, që në fakt supozohej se do të merrnin trajtën e kushteve në marrëveshjet post-elektorale në çdo palë zgjedhje që do të mbaheshin.
Dy F-të; Forma dhe Fotografia
Për nga forma, takimi pati një dimension historik, sepse për herë të parë subjektet parlamentare shqiptare të Maqedonisë (tashmë të Veriut) do të përbashkoheshin në një fotografi, nën ombrellën e Tiranës zyrtare, duke dhënë mesazhin e qartë se për disa çështje shqiptarët nuk kanë asnje dallim, e për këtë blloku maqedonas duhet të reflektojë në të gjitha cepet e tij.
Tavolina si diskutim mes atyre që kanë pak dallime, dhe rreshtimi në një vijë përballë atyre që mund të mendojnë se do të çajnë ashtu si kanë depërtuar gjithmonë mes interesave partikulare të partive (krahinore dhe klanore) shqiptare ishte një porosi e rëndësishme.
Ishte e rëndësishme, sepse për herë të parë ishte një ekspozim që nuk tronditi askënd në ballkan apo në komunitetin e bashkësisë ndërkombëtare. Ishte një ekzemplar, se takimi i shqiptarëve nuk është një retorikë emergjente, porse duhet kthyer në një konstantë, që nuk dëmton askënd, pos interesave të ngushta të autokratëve dhe autokratëve në tentativë.
Ai që u ankua për këtë marrëveshje ishte vetëm, Nikolla Gruevski, i cili tashmë siç dihet ndodhet në Hungari si azilant politik.
Dy P-të: Përmbajtja dhe Pikat
Pikat në shumë pikëpamje ishin të çuditshme dhe gati regresive dhe jashtë realitetit.
Ministria e Komuniteteve- që presupozohej të shpikej e t’u jepej shqiptarëve në çdo qeveri ishte një gafë. Si mund të trajtohet si komunitet dhe vetëm si i tillë një popullsi që në rastin më pesimist të fjalës përbën 25 përqind të popullsisë ( në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002).
Aderimi në BE dhe Nato- janë refrene që nuk përkojnë më me nevojat akute të shqiptarëve në Maqedoni dhe rajon. Së pari, në Nato Shqipëria është që në 2009-ën, ndërsa vetë Nato është në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. Kurse BE, ka aq shumë probleme së brendshmi duke filluar nga Brexit dhe duke përfunduar me rrezik permanent të së djathës ekstreme, sa politikat e zgjerimit si dëshirë nga poshtë nuk janë fare relevante.
Përveç gafave të atyre që u shkruan e bardhë në të zezë, gafa më e madhe qëndronte tek pikat që nuk u shkruan, ta zëmë nënshtetësia e dhjetëra mijëra shqiptarëve.
Deklarata nuk harroi të përmendte nevojën për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në kontestin me Greqinë ( që më vonë u zgjidh me marrëveshjen e Prespës), por që nuk ofronte asnjë strategji dhe qëndrim konkret, se si dhe çfarë ofrojnë e fitojnë shqiptarët.
I vetmi progres ishte presioni i njësuar mbi zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe.
Dy Kontekste: Çfarë ndodhi në Shqipëri dhe Maqedoni më pas
Iniciativa për deklaratën e përbashkët në plan të parë tregoi se Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërsië po tregonte një qasje alternative përbashkuese.
Por, ajo çfarë ndodhi më pas ishte thjesht kontekst elektoral.
Në tubimin e madh të Partisë Socialiste, Edi Rama kësaj radhe si Kryetar i PS-së, në stilin e Donald Trumpit, jashtë njohurive minimaliste të tij mbi politikëbërjen në Maqedoninë ( e Veriut) mes mburrjeve të tjera nuk harroi të përmendë në ligjëratë të drejtë:
‘’ Pa Partinë Socialiste të Republikës së Shqipërsë , Gjuha Shqipe nuk do të ishte zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.’’
Ishte viti 2017, pas më shumë se 100 ditësh, Qeveria Zaev I me partnerët shqiptarë hartuan një ligj që avanconte përdorimin e Gjuhës Shqipe, por që kurrsesi nuk mund të quhet zyrtarizim, e aq më tepër me tone triumfaliste.
Marrëveshja e Ohrit nuk mund të jetë caku i të drejtëve të shqiptarëve në Maqedoni, do të mund të thoshin mjaft kritikë të saj, por të thuash që Edi Rama e zyrtarizoi Gjuhën Shqipe, edhe përtej mosndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ( së Veriut) ishte goditja e parë që i’u bë Deklaratës së Përbashkët.
Goditja tjetër nuk është spektakolare, por konstantë e qëndrimeve të Tiranës zyrtare, më saktë të mosqëndrimeve të saj. Në vitin 2013, megjithëse shumë kritikë nuk e cilësojnë të sukseshme qasjen proestablishment të tij, ish Ambasadori i Shqipërisë në Shkup z. Arben Çejku, pati një rol aktiv në roundin e dytë të zgjedhjeve lokale në atë kohë. Me ç‘rast u bashkua vota shqiptare në Kërçovë dhe Strugë, ku fituan alternativat e ndryshme shqiptare, përkatësisht Fatmir Dehari (BDI) dhe Ziadin Sela (PDSH, tani ASH).
Kurse roli i ambasadorit tjetër (që mezi i gjendet emri në google) ishte inekzistent. Nuk u tha as edhe një sygjerim on apo off record, mbi marrëveshjet e kulisat Zaev-Ahmeti, me ç‘rast u humbën vota shqiptare, më e madhja humbja e Komunës së Haraçinës.
Goditja finale ndaj kësaj deklarate erdhi me shkarkimin e z. Ditmir Bushati nga detyra si Ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendësimi i tij me një person të papërvojë në kontekstin rajonal.
Në Maqedoninë e Veriut, kjo marrëveshje është kaluar në heshtje. BDI nuk e kujton asnjëherë për shkak të kompleksimit ( në terma oportune) kur vjen puna tek bisedat postzgjedhore, pazaret me bllokun politik maqedonas, ndërsa Aleanca për Shqiptarët nuk e ka trajtuar në vazhdimësi nga kompleksimi se duket shumë nacionaliste krahasuar me alternativat tjera shqiptare, por edhe për faktin se do t’i japë me të drejtë jehonë dështimeve të BDI-së dhe jo Tiranës zyrtare, nga njëra anë, dhe zhgënjimit me faktorin e Tiranës zyrtare nga ana tjetër.
Ajo që mund të themi me siguri është se ky zotim/dokument është tradhëtuar dyfish; edhe nga faktori shqiptar në Maqedoni, por edhe nga Tirana zyrtare.
Alternativa e re: Prishtina ombrellë?
Pas implikimeve me çështjen e korrigjimit të kufijve dhe indiferencës nda problemeve të shqiptarëve në rajon, Edi Rama në cilsësinë e Kryetarit të PS-së dhe Kryeministrit të RSH, e humbi kredibilitetin e tij në ligjërimin panshqiptar.
Në zgjedhjet e fundit, implikimi më direkt dhe më frytdhënës ka qënë ai nga VETËVENDOSJE se sa nga faktorët politikë të Tiranës, të gjithë marrë së bashku.
Ky nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë, përkundrazi. Tirana jashtë kontekstit shqiptar, e zvogëlon rëndësinë e saj në rajon. Tirana pa shqiptarët jashtë kufijve është shumë e izoluar, ndoshta më e izoluara në 30 vitet e fundit.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara