Kuriozitete

“Vikingu boshnjak” shndërron shtëpinë e tij në një punishte sëpatash të vikingëve

Stipe Pleiç, i njohur si “Vikingu boshnjak” i cili jeton në Tomislavgrad të Bosnjës e Hercegovinës ka tërhequr vëmendjen me stilin e tij të jashtëzakonshëm të jetesës.

Pleiç, i cili e shndërroi shtëpinë ku lindi dhe u rrit në një punishte ku bën sëpata vikinge ka treguar për Anadolu Agency (AA) historinë e jetës dhe planet e tij.

Duke thënë se jeton në Gjermani për shumë vite dhe më pas vendosi të kthehej në qytetin ku lindi, Pleiç tha se e pa për herë të parë mënyrën e jetesës së vikingëve në një serial që ndoqi dhe se ishte i ndikuar nga jeta e luftëtarit viking, Ragnar Lodbrok dhe gruas së tij legjendare luftëtare, Lagertha.

“Derisa shikoja këto seriale, më pëlqyen shumë sëpatat që vikingët përdornin si armë lufte. Më interesonte gjithmonë përpunimi i drurit. Kështu që u përpoqa ta bëja një sëpatë vikingësh”, tha Pleiç.

Ai tha se pas kësaj sëpate të parë u përpoq të bënte sëpata të reja. “Pas sëpatave që bëra dhe serialeve që pashë, u interesova edhe për mitologjinë skandinave. Fillova të prodhoja armë dhe mjete të tjera vikinge që pashë në serialet televizive”, u shpreh Pleiç.

Më tej ai theksoi se armët dhe sendet vikinge që bëri përfshinin mburoja, shpata, shtiza dhe karrige.

“Është një hobi për mua”

Pleiç thotë se shtëpinë e tij të vjetër, e cila tani është e ngjashme me shtëpitë e vikingëve, e ka bërë dy vjet më parë. “Në fillim doja të ndërtoja një anije prej druri. Pasi ndërtova dhe përfundova anijen, mendova se kjo shtëpi mund të përdoret shumë më mirë, kështu që 2 vjet më parë unë e ktheva shtëpinë time të vjetër, e cila tashmë është e ngjashme me shtëpitë e vikingëve”, tha ai.

Ai tha se këtë biznes nuk e bën për qëllime fitimi. “Ky është një hobi për mua. Përpiqem të jetoj sa më shumë si viking në jetën moderne. Këtë e bëj thjesht për veten time. Shes sëpata, megjithëse shumë pak, por në përgjithësi ky është një hobi për mua”, potencon Pleiç.

Për sëpatat që bën, Pleiç thotë: “Të gjitha vijnë nga punishtja ime. Janë të gjitha të punuara me dorë. Nuk ka asnjë shembull të dytë të sëpatës. Është e gjitha unike”.

Ai thekson se së shpejti do të hapë një “Axemen Club” në Bosnjë e Hercegovinë. “Qëllimi im është të kaloj kohë me ata që janë të interesuar në këtë sport. Ky sport është shumë i zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Francë. Ka një klub i quajtur ‘Axe Throwing Arena’ në Zagreb. Me ndihmën e tyre, së shpejti do të kemi një klub të sëpatave”.

Pleiç shtoi se dëshiron të fillojë një “kampionat të hedhjes së sëpatës” në Bosnjë e Hercegovinë menjëherë pas hapjes së klubit, duke shtuar se kushdo që nuk është shtetas i BeH-së mund të marrë pjesë në këtë garë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *