Raporti i Gjykatës Europiane për Shqipërinë: Nga ndërhyrjet në drejtësi te korrupsioni me tenderat
Eurodeputetët e komisionit të buxhetit dhe të punëve të jashtme të Parlamentin Europian janë befasuar nga e vërteta e pasqyruar në raportin Gjykatës Europiane të Auditorëve mbi impaktin e vogël që ka mbështetja e Komisionit Europian dhe aksionit të jashtëm të BE-së për reformat e sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo efikasitetin e këtij impakti. “Raporti na tregon, se kemi një problem të vërtetë me politikën e zgjerimit,” është shprehur eurodeputeti Vladimir Bilcik, ndërkohë që eurodeputetët e tjerë si raportuesi Joachim Kuhs, Sarvana Petri, Corina Cretu, Klemen Groseli, Viola Von Cramon e kanë konsideruar si “shumë shqetësues regresin në reformat e sundimit të ligjit, nivelin e korrupsionit, problemet me lirinë e medias dhe jo kushtëzimin e ndihmës së Bashkimit Europian me rezultate të prekshme në terren deri në pikën sa kanë kërkuar pezullim konkret të fondeve të para anëtarësimit IPA III nëse regresi vazhdon”. Eurodeputetët mbështesin plotësisht raportin e Gjykatës Europiane të Auditorëve dhe presin që Komisioni Europian dhe servisi i jashtëm i Bashkimit Europian të marrin në konsideratë dhe zbatojnë rekomandimet e gjykatës.
Ndërhyrja dhe presionet në sistemin e drejtësisë në Shqipëri problematike
Gjykata Europiane e Auditorëve konstaton me shqetësim, se në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, zyrtarët të rangut të lartë, qeveritarë dhe deputetë ende komentojnë publikisht dhe rregullisht hetime në vijim dhe procedurat gjyqësore. Në raport thuhet, se kjo ndodh ndonjëherë edhe për gjyqtarë dhe prokurorë individualë.” Në Shqipëri, tentativa për ndërhyrje në gjyqësor, përfshirë nga autoritetet brenda gjyqësorit, dhe presioni i brendshëm dhe i jashtëm ndaj prokurorëve mbetet problematike” thuhet në raport.
Rënie e mbështetjes së opinionit publik për reformën në drejtësi
Gjykata Europiane e Auditorëve evidenton, se edhe në Shqipëri, e cila ka bërë përparimin më të madh në fushën e pavarësisë së gjyqësorit, përçarja e shkaktuar në sistemin e drejtësisë nga shkalla dhe ritmi i ngadaltë i procesit të verifikimit ka ndikuar në mbështetjen e publikut për reformën në drejtësi. Në raport kjo shpjegohet për shkak të një numri në rritje të çështjeve dhe rreziqeve. duke minuar legjitimitetin e tyre të perceptuar. Sipas raportit, shqiptarët që besojnë se reforma do të kenë një ndikim pozitiv u tkurrën nga niveli 71 % në 2016 në 53 % në 2019 dhe ata që mendojnë se reformat po zbatohen siç duhet janë pakësuar nga 46 % në 32 % gjatë së njëjtës periudhë.
Edhe pse e vështirë, reforma e gjyqësorit duhet të vazhdojë
Gjykata Europiane e Auditiorëve vlerëson se reforma e drejtësisë në Shqipëri edhe pse sfiduese duhet të ruajë momentumin dhe të vijojë. Në skemën e paraqitur, evidentohet vendosja e Operacionit Ndërkombëtare të Monitorimit (ONM) për të mbështetur rivlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vitin 2016. Ndërkohë që në 2017 u bë nënshkrimi i kontratës së grantit për këtë operacion. Në 2018 Këshilli i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe Nënkomiteti për Drejtësi, Liri dhe Siguri theksojnë se “Institucionet e vettingut janë krijuar dhe kanë filluar të funksionojnë. Së bashku me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është inkurajuar mbështetja e mëtejshme tek institucionet e vettingut dhe ONM”.Në 2020-2021, raportet mbi Shqipërinë pranuan se rivlerësimi i gjyqtarëve ka përparuar dhe duhet të përparojë më tej.
Korrupsion me prokurimet publike me elementë të kapjes së shtetit
Në skemat e prezantuara në raportin e Gjykatës treguesit për forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit e rendisin Shqipëria vazhdimisht të parafundit në rajon, me rënie të dukshme nga 2015 në 2019.
Në Shqipëri, Agjencia e Prokurimit Publik raporton se numri i procedurave me negocim pa publikim paraprak ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. “Megjithatë, përfaqësuesit e biznesit dhe gazetarët e intervistuar thanë se korrupsioni në prokurimet publike është i përhapur, me tregues të qartë të kapjes së shtetit. Procedurave shpesh u mungon konkurrenca efektive, çmimet e ofertave për veprat publike janë të fryra dhe mungon transparenca për prokurimin mbi marrëveshjet koncesionare” thuhet në raport.
Gjykata shtjellon, më tej, se publiku shqiptar kryesisht e merr informacionin e tij nga burimet tradicionale të medias, të cilat perceptohen si me interesa personale dhe në këtë mënyrë ose mund të minimizojnë ose theksojnë skandalet e korrupsionit në varësi të besnikërisë së tyre politike ose të biznesit. “Kjo, gjithashtu, rrezikon të minojë legjitimitetin e perceptuar të reformave” thuhet në raport.Për lirinë e stypit, raporti vlerëson, se me përjashtim tê Maqedonisë së Veriut dhe Kosovês, nuk ka përmirësim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e treta në rajon, por shënon rënie tê treguesve në 2020 krahasuar me 2018 dhe 2019 . Raporti përmban edhe pjesën e saj kritike për mediat shqiptare bazuar në gjetjet e Këshillit tê Europës: “ Këshilli i Evropës kritikoi praktikën e mediave online për përhapjen e thashethemeve dhe sulmeve ndaj personazheve publike” theksohet në raport.
Nuk raportohet performanca. Kjo cenon vlerësimin e rezultateve
Sipas Gjykatës Europiane të Auditorëve, raportimi i dobët i performancës kufizon vlerësimin e rezultateve. Nga projektet e shqyrtuara, përmendet projekti midis qeverisë shqiptare dhe shteteve anëtare të BE-së për mbështetjen institucionale në Shqipëri gjatë periudhës 2016-2019. Objektivi i përgjithshëm i projektit ishte përmirësimi i qeverisjes duke reduktuar rreziqet e korrupsionit dhe ofrimin e mbështetjes për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale të vendit kundër korrupsionit. Rekomandimet për ekipin shqiptar kanë qenë lidhur me përmirësimin e kornizës logjike të projektit dhe prezantimit të treguesve përkatës të rezultateve me objektiva të matshëm. Në raport theksohet, se ekipi shqiptari binjakëzimit nuk i mori këto dy propozime në konsideratë për të përmirësuar kornizën logjike dhe raportimi mbeti kryesisht përshkrues, siç konfirmohet nga raporti i ROM-it 2019.” Si rezultat, megjithëse shumica e aktiviteteve u zhvilluan sipas planifikimit, ne nuk ishim në gjendje të vlerësonim efektin e tyre në arritjen e objektivave të projektit” thuhet në raportin
Shoqëria civile injorohet
Gjykata Europiane e Auditorëve evidenton, se rrjeti i intervistuar në Shqipëri dhe Serbi konfirmoi se konsultimi me shoqërinë civile është ad hoc dhe se rekomandimet e shoqërisë civile shpesh injorohen në versionet përfundimtare të dokumenteve. “Shoqëria civile dëshiron të forcojnë bashkëpunimin e tyre me delegacionet e BE-së, komunitetin e pavarur të medias dhe gazetarët hulumtues, me qëllim që, ndër të tjera, të monitorojnë zbatimin e reformës dhe efektin e saj në evoluimin e korrupsionit; dhe të alarmojë opinionin publik dhe qeveritë e rajonit’ thuhet në raport. /abc/
Rruga Press