“Dhurata” për Ballkanin Perëndimor, 70 milionë euro për të marrë shpejt vaksina nga vendet e BE-së
Komisioni Europian ndihmon Ballkanin Perëndimor në luftën ndaj pandemisë koronavirus. “Dhurata” është një paketë prej 70 milionë eurosh, e miratuar nga KE në kuadrin e Instrumentit për Para-Anëtarësim, për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat për Covid-19 të siguruara nga shtetet anëtare të Unionit.
Njoftimi erdhi nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili zbuloi detajet.
“Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë për mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me përparësi në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjeve të BE-së me gjashtë prodhues, me shtetet anëtare individuale të BE-së që do të ndajnë një pjesë të dozave të tyre të paracaktuara”, u shpreh Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Eurokomisioneri shtoi se, “BE-ja vazhdon të mbështesë nismën COVAX, struktura botërore për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19”. Por, shton se dorëzimi i dozave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE.
Varhelyi thotë se imunizimi i shpejtë i qytetarëve do të jetë vendimtar në mposhtjen e pandemisë dhe për fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim thotë se Komisioni dhe Qendra Europiane për Kontrollimin e Sëmundjeve po e ndihmojnë rajonin në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Unionit.