Kantieri Tiranë, mijëra viktima që dhunën sistemike e përjetojnë individualisht
Sot banorët e tre lagjeve në Tiranë u rimblodhën për të protestuar para parlamentit në Tiranë. Banorët e lagjes së “5 Majit”, Paskuqanit dhe Laprakës janë duke provuar shumë forma të rezistencës për të mos lejuar shkatërrimin e shtëpive të tyre apo për të marrë kompensimin e drejtë. Edhe pse një pjesë e banesave tashmë janë hedhur poshtë nga IMT, përsëri këta banorë nuk janë duke u dorëzuar.
Me dokumentat që tregojnë legalizimin e banesave brenda normave ligjore, hedhjen në gjyq të kryebashkiakut Veliaj, edhe pse ky i fundit nuk është paraqitur në seancë, mbrojta fizike me trupat e tyre, protestat para parlamentit dhe zyrave të përfaqësisë ndërkombëtare, këta banorë po bërtasin me shpresën, frikën, që ka çdokush pasi ka mbetur pa çati.
Prej kohësh Tirana është shndërruar në kantier pallatesh. Në parim askush nuk është kundër zhvillimit, por jo kur ky zhvillim ndodhë mbi shkatërrimin e jetëve të qytetarëve, pa kriter dinjotoz dhe duke zhdukur monumente të kulturës dhe historike. Pse ndodh kjo gjë?
Qyetarët e zonave të prekura janë vendosur aty kryesisht nisur nga fakti se kostot kanë qenë më të vogla. Dikush që vjen nga një qytet i vogël i Shqipërisë rrallë herë vendoset brenda zonës “VIP” në Tiranë, sepse e kanë të pamundur të përballojnë çmimet e zonave të parisë.
Historia në Shqipëri përsëritet dramatikisht. Vetëm duke parë raste të tilla të vjen në mendje se si populli është mbajtur vazhdimisht larg vendeve ku banonte elita e partisë-shtet. Sot paria ka zgjedhur që t’i zgjerojë kufinjtë, kurse banorët që janë aty t’i zhvendosë me polici dhe fadroma.
Qytetarët vazhdojnë të bëjnë gabimet e njëjta, për sa kohë nuk e shohin njëri-tjetrin në të njëjtën llogore. Ky pushtet e ka pasur shumë të lehtë të shtypë; përveç mekanizmave logjistikë, ata kanë trashëguar metoda dhe e mbajnë gjallë, por të rifreskuar, idenë “përça e sundo”. Partia- shtet e di se viktimat e “projekteve” të tyre duhen mbajtur të izoluar, kurse qytetari tjetër ta njohë viktimën si të tillë vetëm kur mbi shpinën e tij të bjerë fati i ngjajshëm dhe të jetë vonë.
Përsa që vetëdija mbi krizën politike në Shqipëri fitohet në çastin e pësimit individual të “projekteve” të pushtetit, ky vetëdijësim do të jetë i mangët, duke mos u bërë kurrë program dhe vullnet politik.
© Rruga Press