Mbi ‘Të Lirë’
Nga Pavjo Gjini
Në panairin e fundit të librit, ndër disa libra që bleva, dy prej tyre mu dukën sikur të thërrisnin të lexoheshin së bashku: “Jetë Burgu” nga Fatos Lubonja dhe “Të Lirë” nga Lea Ypi. Teksa “Jetë Burgu” nuk duket të ketë tërhequr ndonjë vëmendje të publikut, “Të lirë” vazhdon të ngazëllejë e irritojë shumëkënd. Vëmendja brenda vendit për të dytin ndoshta lidhet me suksesin ndërkombëtar të librit dhe me vëmendjen paraprake që ka tërhequr vetë autorja në qarqet akademiko-politike në perëndim si profesoreshë e teorisë politike. Ndërsa mungesa e vëmendjes për të parin ndoshta lidhet me faktin se prania e Lubonjës është aq e madhe në sferën publike brenda vendit sa botimi i një libri prej tij i drejtohet një publiku të mbingopur me praninë e autorit tashmë. Në kontrast me promovimin dhe intervistat e shumta të Ypit, botimi i Lubonjës për çudi nuk është shoqëruar as nga promovime e as nga intervista. Mjafton të kërkosh në youtube për të parë se nuk ka as edhe një kronikë apo intervistë të vetme mbi “Jetë Burgu”. Gjithsesi, përtej vëmendjes dhe mosvëmendjes mbi to, veprat hedhin dritë mbi aspekte të rëndësishme të përvojave jetësore përgjatë socializmit dhe pas tij. Libri i Lubonjës merret me trajtimin e personazheve të ndryshëm në burgjet ku ka vuajtur dënimet autori dhe të cilët duken më të mëdhenj se çdo lloj narrative apo burgu e të pareduktueshëm në to, ndërsa Ypi merret me identifikimin e plotë të një fëmije me ideologjinë zyrtare socialiste të përçuar në shkolla dhe pastaj me thyerjen ideologjike pas rënies së regjimit deri në shembjen e regjimit të radhës. Nëse libri i Lubonjës fokusohet në përvojën e të burgosurve në burgjet socialiste, libri i Ypit fokusohet në përvojën e familjes së saj mes shembjes së dy regjimeve, atij socialist e liberal, nga mesi i viteve ‘80 deri në vitin 1997. Ky tekst është analizë e vetëm njërit prej librave të sipërpërmendur dhe ngjarjeve të lidhura me të.
Mbi promovimin e Të Lirë
Një pjesë e ngarendjes drejt librit të Ypit erdhi edhe falë shtëpisë botuese Dudaj, e famshme për tregtimin e këtij malli, mirëpo jo aq për botimin e teksteve radikale majtiste dhe të teorive kritike e politike bashkëkohore. Ndër këto truke të saja tregtare e mediatike ishte edhe promovimi i shumëpërfolur i librit të Ypit te shtëpia e Enver Hoxhës ku bëri bashkë mes gazetarësh e personazhesh publikë në një aktivitet bukur shumë të kontrolluar kabinetin qeveritar, artistin kryeministër dhe autoren e librit. Argumenti i autores se promovimi në atë vend është si një lloj ‘hakmarrjeje’ historike e një familjeje të persekutuar që ia mbërrin ta fusë narrativën e saj brenda ish-katër mureve të diktatorit tingëllon më shumë si një përgjigje e improvizuar për të shmangur analizën kritike të atij vendi. Autorja duket e habitur me vëmendjen e madhe dhe kritikat që mori kjo mbrëmje promovuese. Të dyja këto reagime tingëllojnë të pavetëdijshme ndaj faktit se promovimi në atë shtëpi nuk është një ndërhyrje singulare, një rrufe në qiell të hapur, por përkundrazi një aktivitet i kornizuar dhe i kuruar sipas një praktike më të gjerë estetiko-politike që ka shoqëruar politikat e qeverisë socialiste dhe miqve të saj në revizionimin e periudhës socialiste.
E marrë veçmazi, mbrëmja promovuese duket ngadhënjimi i të shtypurve përmbi shtypësin. Mirëpo, nëse e zgjerojmë lenten duke pyetur se çfarë hapësirash janë krijuar në kryeqytet përgjatë këtyre 9 viteve që trajtojnë socializmin, se çfarë qasje kuratoriale kanë, se çfarë narrativash mbi të mbartin, dhe se çfarë presin të përbrendësojë prej tyre publiku bashkëkohor, atëherë na del që shtëpia e Enverit si një vend që promovon aktivitete ku trajtohet diktatura duhet të merret në analizë bashkë me vendet e tjera të krijuara për t’u marrë me historitë e diktaturës. Kështu do të mundej të nxirrej në pah një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës bashkëkohore në kryeqytet: cilat janë vendet publike ku flitet për të shkuarën tonë kolektive dhe si trajtohet ajo në këto vende?
Sipas kësaj qasjeje na del që promovimi te shtëpia e Enverit nuk na qenka diçka kaq e parëndësishme sa e përmend autorja dhe as një akt performativ singular. Mund të tingëllojë e ashpër, mirëpo autorja do të duhej të ishte më modeste në mënyrë që të ishte më kritike në raport me performativitetin e atij promovimi. Autores do të duhej t’ia kishte marrë mendja se libri i saj, para se të lexohet e të ketë efektet e tij specifike në mendimin tonë publik, më së pari do të bëhej pjesë e një ambienti e narrative të formësuar tashmë mbi të shkuarën socialiste. Pra, analiza e funksionit të shtëpisë së Enverit sot është po aq e rëndësishme për të kuptuar mënyrën sesi i qasemi të shkuarës sa është libri i autores. Në fund të fundit, këto vende si shtëpia e Enverit janë hapësira publike ku tentohet të kurohet përvoja e sotme kolektive ndaj diktaturës, një pretendim ky shumë më i madh sesa pretendimi i autores për të ndarë përvojën e saj autobiografike mbi temën.
E thënë ndryshe, do të kisha dashur ta pyesja autoren mbi tema që nuk më duken t’i jenë shtruar (qofsha gabim!) përkundër shumësisë së intervistave të dhëna përgjatë këtyre dy-tre muajve: si i duket qasja që shoqëria shqiptare ka sot ndaj historisë së socializmit përmes institucioneve publike, kulturore dhe qeveritare? Çfarë mendon ajo për bunkartin 1 e 2, shtëpinë e gjetheve, fatin e tullave të Spaçit, rreth 6000 trupat e zhdukur nga regjimi, minierën që vazhdon të punojë në Spaç, burgun e Burrelit që vazhdon të jetë burg, azilin politik të Agron Tufës, akuzat se ish-sigurimsat vazhdojnë të drejtojnë institucionet kryesore në vend, dhe drejtimin dogmatik neoliberal të vendit nga bijtë, bijat, nipërit e mbesat e Enverit më mirë sesa demokratët anti-enveristë.
. . .
Aktivitetet te shtëpia e Enverit duken pjesë e praktikës estetiko-politike të këtyre 9 viteve ku diskutime mbi socializmin kurohen me disa elementë për të cilët ndoshta autorja nuk është në dijeni, por që tashmë janë bërë qasja mbizotëruese ndaj të shkuarës. Me ardhjen e saj në pushtet, Partia Socialiste duket se ka zgjedhur një mënyrë specifike të revizionimit të socializmit. Si te shtëpia e gjetheve, shtëpia e Enverit, Bunkart 1 e Bunkart 2, me marifete tregtare, estetike dhe kuratoriale, diktaturës i nxirren në pah aparatet e saj të dominimit: bunkerët, shtëpitë e survejimit-spiunimit, shtëpia e diktatorit, planet e tij të mbrojtjes dhe aparatet që arredonin këto hapësira dhe mbarëvanin sistemin. Vizitori pritet të magjepset me mënyrat e survejimit, kontrollit, dominimit dhe reagimit të regjimit: visit exotic Albania, vendi ku ka nga një bunker e spiun për çdo frymë banori. Më së shumti, prej vizitorit pritet të magjepset me këto aparate pushteti si të ishin mallra në vitrinë: maska kundërgaz, rroba, radio, abazhurë, orendi, çimka, e kështu me radhë. Një tjetër kënaqësi që pritet të argëtojë momentalisht shikuesin është edhe përvoja e të ndarit të së njëjtës hapësirë me diktatorin, me bunkerin, dhomën e tij të gjumit e ilaçet e tij kundër diabetit nëpër sirtarë: “Një orë Enver”, “Një orë në kuzhinë me Enverin“, “Një sy gjumë në krevatin e Enverit.” Kjo zgjidhje i shkon shumë mirë përshtat një partie e cila e mban gjallë dhe fort lidhjen organizative, afektive dhe historike me Partinë e Punës dhe prej të cilës nuk mund të pritet një ballafaqim me terrorin, absurditetin dhe ideologjinë enveriste. Kështu, raporti traumatik me këtë të kaluar, shpërlahet dhe rehatohet përmes një kurimi estetiko-politik që e argëton vizitorin përmes një magjepsjeje të pervertuar me regjimin, në vend se të mprehë përmes tyre një ndërgjegje kritike historike.
Nëse vizitat në Spaç janë shumë të mundimshme dhe historitë e treguara nga viktimat edhe më shumë, vizitat turistike në këto vende të reja turistike shfaqen si vizitat e shpenguara e grishëse në qendra tregtare ku shfaqen pas xhamash shumëfishësia e aparateve shtypëse si mallra argëtimi e konsumi. Një kitsch postmodern diabetik i cili vë në një dhomë gjumi një disko-ball, garderobën e diktatorit, raki rrushi, dhe një listë emrash apo manekinësh viktima. Mjafton të përmendet kritika që Elsa Demo dhe Vincent Van Garven Oei kanë bërë për Bunkart 2 përshembull, sesi është i kuruar në mënyrë sipërfaqësore dhe për turistë të huaj në të cilin viktimat e regjimit figurojnë vetëm si fotografi dhe manekinë pa përfshirë ligjëratën e tyre të reflektuar në libra e rrëfime të tjera. Në vend se të ketë një trajtim të përvojës së viktimave, sesi ato e kanë folur e treguar historinë e tyre dhe trashëgimisë bashkëkohore të asaj përvoje, ka një fetishizim të spiunit, Enverit dhe bunkerit.1
Sigurisht që promovimi nuk është as për së afërti e vërteta e librit dhe as nuk ia ul vlerat atij. Mirëpo, gjithsesi analiza e vendit të atij promovimi nuk është e parëndësishme. Nga mënyra sesi i është qasur publikut në raport me këtë debat, autorja për fat të keq – përkundër nevojës tonë të madhe si shoqëri për intelektualë kritikë, progresistë e socialistë të cilët dekonstruktojnë mënyrën sesi ish-socialistët qeverisin sot neoliberalizmin në pushtet e sesi i qasen socializmit të djeshëm – nuk duket se po na ndihmon këtu, madje nuk duket se as po i shkon mendja te ky shqetësim. Përkundrazi, për ne si publik i cili ka lexuar se autorja është eksperte e Kantit dhe e mendimit kritik të lidhur me të është pikërisht arsyetimi i sforcuar e i habitur rreth atij promovimi i cili na habit e zhgënjen për naivitetin që presupozon te publiku, duke mbajtur me kokëfortësi bindjen se nuk ka asgjë për t’u menduar e diskutuar më gjatë rreth atij promovimi, një rezistencë kjo ndaj vetë të menduarit kritik. Ypi mund t’i tregojë vetes historinë e një akti performativ ndërhyrës të ndërmjetësuar nga botuesja performative Dudaj dhe në praninë e kabinetit performativ Rama, mirëpo për ne që e ndjekim sesi Partia Socialiste dhe një pjesë e artistëve e tregtarëve bashkëkohor në Shqipëri sillen me të shkuarën, ai promovim duket shumë më lehtësisht i rehatueshëm në serinë e pervertimeve përmes të cilave tentohet të kornizohet socializmi enverist nga Partia Socialiste dhe miqtë e saj të zakonshëm.
Me keqardhje të madhe, si dikush të cilin libri e ka bërë thellësisht për vete dhe që e ka lexuar me një frymë, më duket se autorja e ka gjetur veten papritur të respektuar, tepër të respektuar nga PS-ja. Seç kutërbon erë e keqe ideja se po promovohet një libër kritik ndaj diktaturës socialiste nga një socialiste bashkëkohore mu në shtëpinë e diktatorit të socializmit të shekullit të kaluar dhe mu para pranisë së kryeministrit të socializmit të sotëm neoliberal. Nuk ndodh shpesh që në Shqipëri të gjenden bashkë në një ambient të vetëm kaq shumë socialistë të të gjitha erërave.
Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, nuk mund të rri pa përmendur edhe kopertinën kallkan të librit, hera e dytë ku Dudaj nuk ia qëlloi me Lean, e cila me ngjyrat e saj të akullta morg plotësisht në kundërshtim me shumësinë e ngjyrave të gjalla të librit e bën Lean të duket sikur të jetë një personazh i ndonjë filmi horror si Ring. Ndoshta Lea e ka zgjedhur Dudajn ngase kjo shtëpi botuese është shumë e zonja për të t’u imponuar e për të të tunduar; ndoshta ngase kanë miq a kushërinj të përbashkët, ose ndoshta ngase Lea në mënyrë pragmatike ka menduar për një shtëpi botuese e cila e ka namin përtej lexuesve kritikë dhe e ka patur merak që libri t’i shpërndahej masivisht. Kushdo qoftë arsyeja, ia ka parë hajrin shtëpisë me kopertinën dhe promovimin pashije të librit.
Mbi Librin
Përpos kritikave ndaj promovimit, libri ka tërhequr edhe shumë kritika mbi mënyrën sesi pasqyrohen dy regjimet në Shqipëri, ai socialist dhe ky liberal. Me një lëvizje gjeniale dhe me një guxim intelektual me të cilin s’jemi të mësuar, autorja ia provokon nervin asaj pjese brenda nesh e cila nuk e duron një narrativë që tregon sesi komunizmi nuk është mbajtur në këmbë vetëm nga dhuna, por bukur shumë edhe nga një ideologji tunduese dhe apeluese për një pjesë të madhe të shqiptarëve, sidomos të fëmijëve, dhe madje edhe brenda radhëve të familjeve të persekutuara. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, po ashtu libri i provokon nervin asaj pjese tonës që nuk është ende gati të analizojë sesi ajo Shqipëri që duroi 45 vite sistem diktatorial shkoi dhe u gjend e aksidentuar tej normave të lejuara në kapitalizmin e shpresave të mëdha brenda 6 vitesh; ne e kemi parë kapitalizmin të dështojë e të përfundojë në luftë civile, mirëpo si guxon dikush ta thotë këtë; ne jemi gati të pranojmë dështimin e komunizmit, mirëpo jo edhe të kapitalizmit, paçka se e kemi kaluar edhe atë. Autorja e tregon këtë histori të dy regjimeve duke shtruar dy narrativa, nga njëra anë paturp atë të një fëmije (ajo vetë) të interpeluar plotësisht nga mësimet e mësuese Norës dhe aparatit ideologjik shkollor mbi socializmin, duke shkuar deri aty sa të kritikonte edhe prindërit bazuar në ato besime, dhe nga ana tjetër shpresat dhe dalldinë e madhe kapitaliste e cila thyen kokën pas skemave piramidale në 1997, kapitalizëm i dalë piramidë.
Mirëpo, këto dy provokime të mendimit dhe ndjenjave në libër përçohen pa cinizëm e moralizim edhe pse përmes një toni të sinqertë e të drejtpërdrejtë. Toni dhe perspektiva e fëmijës e bëjnë lexuesin të ndihet empatik ndaj narratores, personazheve të saj dhe historive që tregohen. “Të lirë” të bën lehtësisht për vete duke qenë se është shkruar me sytë e një fëmije teksa po rritet. Kjo e bën leximin e tij tepër lozonjar, me një sens humori çapkën teksa tregon tensionin mes një fëmijë që po identifikohet gjithnjë e më shumë me ideologjinë zyrtare dhe familjes së saj e cila i reziston pa u ndjerë këtij identifikimi si pjesë e klasave të përmbysura. Ndër momentet më të bukura e të tensionuara të librit përgjatë viteve ’80 është ai i pajtimit të familjes së Leas me fqinjët e tyre.
Dy familjet, njëra me biografi të keqe, tjetra me anëtarë partie, të cilat i besonin njëra-tjetrës edhe çelsat e shtëpive, vjen një moment që prishen për shkak të akuzave të mamasë së Leas ndaj fqinjes së saj për vjedhjen e kanaçes së koka-kolës. Shumë lexues, sidomos ata ndërkombëtar, janë tërhequr nga përmasa komike dhe fetishizimi i kanaçes së koka-kolës. Mirëpo, mendoj se momenti më komik e dramatik është pasi Lea duke mos e duruar prishjen mes dy familjeve vendos të bëjë sikur humbet në qytet duke u fshehur në bahçen e fqinjëve në mënyrë që ankthi për të dhe rigjetja e saj t’i pajtojnë dy familjet. Plani i Leas funksionon në mënyrë perfekte. Menjëherë pas operacionit ankthioz të të dyja familjeve për gjetjen e saj, vjen edhe pajtimi. Mirëpo, bash kur realizohet plani i saj, krejt në mënyrë naive në bisedë e sipër Lea i ankohet fqinjëve se prindërit e saj nuk ia kanë plotësuar ende dëshirën për t’i vendosur një foto të Enverit në krye të dhomës së ndjenjes për arsye se nuk e duan Enverin. Pjesa është sa komike aq edhe e tensionuar dhe Ypi e shpjegon shumë mirë atmosferën e rëndë që i bie mbi supe të sajëve në këtë moment. Mirëpo, pikërisht në gjithë tensionin e pritjes së reagimit të fqinjëve, për çudi Mihali anëtar partie e qetëson situatën duke e kritikuar Lean ngrohtësisht për akuzën e pavend të sajën dhe miqësia mes familjeve vazhdon.
Atmosfera e librit shoqërohet nga njëra anë nga humori i situatave groteske që krijohen përreth kësaj fëmije syçelë dhe nga ana tjetër një gjendje ankthi nga pamundësia për t’ua ndryshuar rrjedhën gjërave. Gjendja e ankthit vjen e përçuar përmes personazhit të babait të Leas. Më duket se për shkak të një dashurie të pamatë e shumë të ndjerë për të atin, i cili, po ashtu, mua më duket sikur është personazhi kryesor i librit, leximi i tij të lë një shije shumë të ngrohtë njerëzie e dashurie përgjatë tij. Përmes figurës së babait, i cili i kalon të dy regjimet duke thithur ankthshëm aparatin e astmës, tregohen disa nga historitë më kyçe, komike e prekëse të librit: përpjekjet e shqiptarëve për të konvertuar mormonët në myslimanë përgjatë kurseve të anglishtes që këta të fundit organizonin, banketi gjaknxehtë për ekspertin gjakftohtë të Bankës Botërore, presioni i gruas e ai shoqëror për të futur paratë në skemat piramidale për të financuar fushatën e tij si kandidat për deputet i PD-së, dhe tensioni mes urdhërit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe atij si drejtor i portit të Durrësit për të pushuar romët nga puna dhe romët që i luten para portës së shtëpisë që të mos i pushojë. I ati i Leas pasqyrohet si një figurë e cila është gjithnjë duke dëshiruar një revolucion që nuk ka ndodhur ende, gjithnjë i parehatueshëm në regjimet nëpër të cilat kalon vendi, as me Enverin, as me Bankën Botërore, personazhi që duket se i ka mundësuar Leas këndin reflektues mbi regjimet në Shqipëri dhe pakënaqësitë e tyre.
Libri ka një mbyllje po ashtu shumë prekëse kur autorja vendos që vitin 1997 ta tregojë përmes ditarëve që ka ruajtur nga ajo periudhë në pamundësi për të gjetur një mënyrë më të mirë për të shpërfaqur krisjet dhe shpërbërjen e çdo narrative koherente nga kaosi i atij viti tragjik. Në ditar tregohet Lea e frikësuar që lexon Lufta dhe Paqja, babai që thirret vazhdimisht në mbledhje parlamentare si deputet i PD-së e votat e tij në kundërshtim me partinë, arratisja e të emës krejt papritur me të vëllain drejt Italisë me anije, mbytja e anijes Katri i Radës nga forcat detare italiane në Otranto, dhe atmosfera e përgjithshme e luftës civile. Pikërisht nga kjo shpërbërje e përgjithshme e çdo lloj narrative koherente prej situatës kaotike të krijuar, Lea vendos të vazhdojë studimet për filozofi shtyrë nga intuita se vetëm filozofia mundëson shtrimin e pyetjeve themeltare mbi organizimin e shoqërive; një nevojë që ndihet nga autorja pasi çdo përgjigje dhe praktikë e pjesshme mbi shoqërinë, çdo karrierë në ndonjë fushë specifike dukej e pakuptimtë në kaosin e 1997-s.
Në mbyllje, “Të Lirë” përmban një epilog prozaik që tingëllon disi i fryrë, duke shtruar nga një çështje të madhe për çdo paragraf; një epilog që tingëllon i sforcuar në raport me librin, me shënjues e pretendime të mëdha shpjeguese me shumë presupozime mes rreshtash, të cilat nuk është se i qëndrojnë narrativës së librit. Por gjithsesi, ato shqetësime e tema qëndrojnë edhe si shenja të aq shumë çështjeve që ende mbeten për t’u adresuar e shtjelluar më tutje. Libri është vlerësuar shumë si një tekst i cili shtjellon çështje të teorisë politike mbi lirinë, organizimin e shoqërisë, ideologjinë e kështu me radhë, përmes mjeteve estetike letrare dhe autobiografike. Për nga forma e narrativës së tij, libri duket më afër estetikës sesa teorisë. Vështirë të nxirret një teori prej tij, mirëpo mund të nxirret një estetikë sipas përkufizimit të Rancierit për të si, “përvoja ndjesore e një bote të përbashkët.” Madje duket sikur libri ka ardhur në një formë të ndjerë letrare pikërisht nga pamundësia për të ngritur një teori shpjeguese për përvojën e trajtuar, si për të thënë se estetika i paraprin teorisë dhe në të njëjtën kohë është gjëja që bëjmë kur nuk mundemi të teorizojmë.
Hegeli ka thënë diku me ashpërsinë e tij absolute se kuptimi i Luftës së Peloponezit, arsyeja pse ka ndodhur ajo, del retroaktivisht të ketë qenë që Tukiditi të shkruante dhe bota të arkivonte veprën e tij prozaike ‘Lufta e Peloponezit’. Ne si lexues shqiptarë, që i kemi trupat e përvojave të librit ende gjallë, luhatemi mes nevojës për të lexuar një odiseadë poetike të përvojës tonë të përbashkët dhe nevojës për të kuptuar nga një teori prozaike po këtë përvojë. Si publik jemi në nevojë të të dyjave, dhe aventurat e shkruara të shpirtit të Leas janë një kontribut që na e ngroh dhe rrit ndjeshmërinë për këto nevoja.
______
- Përkundër qasjes së kurimeve neoliberale të socializmit nga ana e PS-së, mund të shihet produksioni ‘Muzeu Virtual: Kampet e Maliqit’ me regji të Elton Baxhakut dhe me skenar të Luljeta Lleshanakut, i cili rindërton vizualisht kampet e Maliqit falë një pune të gjatë kërkimore dhe të shoqëruar nga narrativat dhe zëri i të dënuarve në to që janë ende gjallë. Filmi mund të qaset përmes vegzës: https://www.youtube.com/watch?v=afuzcgknvgg
Rruga Press