Lajme

Kush është gjyqtari që futi në burg Saimir Tahirin

Pas pesë vjetësh betejë ligjore, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua me pesë vjet heqje lirie nga apeli i GJKKO. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar Tahiri parashikohet të bëjë 3.4 vite burg, por avokati i tij mbrojtës ka deklaruar se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërsa dënimin e quajti të padrejtë.

Tahirit i janë vënë prangat dhe u shoqërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për t’u dërguar më pas në paraburgim tek “313”.

Gjykata e gjeti fajtor Saimir Tahirin për lidhjet me kushërinjtë e largët, Habilaj, Moisiun dhe Artanin, duke e akuzuar për shpërdorim të detyrës.

Por, cila ishte trupa gjyqësore që dënoi ish-ministrin?

Kryesuesi i trupës ishte Engert Pëllumbi me anëtarë Igerta Hysin dhe Florian Kalanë. Megjithëse prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara u qëndruan akuzave për trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal, trupi gjykues vendosi të lërë në fuqi vendimin e shtatorit 2019 të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e dënoi Tahirin me 5 vjet heqje lirie për shpërdorim detyre, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua me 3.4 vjet. Ndryshe nga vendimi i mëparshëm, pezullimi i dënimit për Tahirin u cilësua i pabazuar duke e çuar pas hekurave.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Engert Pëllumbi, i komanduar në Gjykatën e Apelit të Vlorës në tetor të vitit të kaluar kaloi vetingun. Ai përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitet 2017-2020, Pëllumbi punoi si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe prej nëntorit 2020 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Vlorës si pjesë e skemës së delegimit.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Gjyqtarja Igerta Hysi e Gjykatës së Fierit u konfirmua në detyrë në nëntor të 2021 duke kaluar me sukses vetingun. Hysi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas kryerjes së stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në vitin 2011 në Gjykatën e Rrethit Fier.

Florjan Kalaja u konfirmua në detyrë në dhjetor 2020. Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, më pas gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Rruga Press

YouTube player