Inflacioni në Eurozonë, arrin në 5.1% në janar! Sa do të transmetohet në Shqipëri
Inflacioni në zonën euro pritet që të arrijë në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë sot Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë.
Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore të rritjes në janar (28.6%, krahasuar me 25.9% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.6%, krahasuar me 3.2% në dhjetor. ), shërbimet (2,4%, e qëndrueshme krahasuar me dhjetorin) dhe mallrat industriale joenergjetike (2,3%, krahasuar me 2,9% në dhjetor).
Shifra prej 5.1% përfaqëson një tjetër nivel të ri rekord, pasi në nëntor u shënua fillimisht niveli imë i lartë i të gjitha kohërave prej 4.9%.
Në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni në janar vlerësohet paraprakisht në 5.3% në janar, me një kërcim të fortë, nga 4.2% në dhjetor të vitit të kaluar. Në Greqi ky tregues arriti në 5.5%, në Gjermani në 5.1%.
Ekonomistët globalë kanë argumentuar se pandemia dhe inflacioni janë ndër rreziqet më të mëdha për ecurinë ekonomike në vitin 2022.
“Nëse inflacioni do të rritej më tej, bankat qendrore mund të detyrohen të shkelin fort frenat,” thanë të analistët në Berenberg në perspektivën e tyre globale për vitin 2022. Ata shtuan se Banka Qendrore Europiane mund të përgatisë terrenin për një rritje të parë të interesave në pranverën e vitit 2023.
Sa do të ndikohet Shqipëria
Në dhjetor 2021, inflacioni në vend arriti në 3.7%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë, që nga qershori 2011. Rritja u udhëhoq nga rritja e çmimeve në shërbimet e transportit dhe argëtimit për shkak të bazës krahasuese të ulët në dhjetorin e vitit 2020, por përbërësi kryesor i inflacionit në vend mbeten çmimet e ushqimeve, të cilat kontribuuan me 60 për qind të inflacionit të dhjetorit 2021.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e inflacionit ndikohet nga çmimet e importuara, ndaj një rritje e tyre në Eurozonë, ku bëjnë pjesë partnerët kryesorë të vendit pritet të vijojë ta ndikojë negativisht edhe Shqipërinë.
Edhe faktorë të brendshëm pritet të vijojnë të ndikojnë negativisht, si rritja e kostove të prodhimeve bujqësore nga ngricat dhe ndryshimet fiskale. Në peshën e shpenzimeve, ushqimet dhe pijet në vend zënë rreth 42% të totalit (më e larta në Europë, që e ka mesataren rreth 13%), ndaj shtrenjtimi i ushqimeve ka ndikim të lartë në inflacion.
Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar, kur këto subjekte do e blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre./MONITOR