Normat e interesit! BSH i mban të pandryshuara, paralajmëron rritje të afërt të tyre
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%, duke shtyrë edhe pak në kohë procesin e pritshëm të tërheqjes së stimulit monetar.
Guvernatori, Gent Sejko, tha në deklaratën pas mbledhjes së sotme se goditjet e ofertës në inflacion po rezultojnë më të forta se parashikimet, por megjithatë Banka e Shqipërisë i qëndron projeksionit bazë se këto goditje do të zbuten deri në mesin e këtij viti.
Sipas parashikimit të ri të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të kthehet pranë objektivit prej 3% në vitin 2023, ndërsa në projeksionet e mëparshme pritej që kjo të ndodhte brenda vitit 2022.
Megjithëse Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuara normat e interesit, orientimet për tregun ishin të ngjashme me ato të përcjella në dy mbledhjet e mëparshme. Sejko tha se tërheqja e stimulit monetar do të nisë gjatë muajve të ardhshëm, çka nënkupton se norma bazë e interesit dhe normat e tjera referuese të Bankës së Shqipërisë do të rriten.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarit bazë, ai i konsolidimit të mëtejshëm të rimëkëmbjes, i vijimit të rritjes graduale të presioneve të brendshme inflacioniste dhe i frenimit të goditjeve të ofertës, do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë vitit 2022.
Ky normalizim pritet të fillojë në muajt në vijim dhe të vijojë në mënyrë graduale gjatë horizontit afatmesëm. Nëpërmjet tij, Banka e Shqipërisë do të synojë respektimin e objektivit tonë të inflacionit dhe do të krijojë premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë,” tha Sejko.
Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare ka vijuar rimëkëmbjen dhe rritjen pozitive edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar dhe se tashmë Prodhimi i Brendshëm Bruto është kthyer në nivelet e shënuara para pandemisë dhe para tërmetit të 2019. Guvernatori Sejko nënvizoi se këto goditje nuk kanë shkaktuar pasoja strukturore afatgjata në ekonominë shqiptare.
Ai tha se rritja ekonomike pritet të vazhdojë edhe për vitin 2022, por me ritme më të ulëta krahasuar me ritmet e vitit të kaluar. Për tre tremujorët e vitit 2021, ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 10.6%. Normat e larta të rritjes së vitit të kaluar i detyrohen edhe efektit të fortë të bazës krahasuese që shkaktoi pandemia gjatë vitit 2020.
“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Rritja e aktivitetit pritet të mbështetet si nga kërkesa e brendshme dhe nga ajo e huaj, duke pasqyruar kushtet e favorshme të financimit, përmirësimin e besimit dhe të bilanceve të sektorit privat, si dhe rritjen e kërkesës në ekonomitë partnere.
Përkundrejt niveleve të larta të vitit 2021, normat e rritjes ekonomike pritet të vijnë në reduktim gjatë vitit 2022 e në vazhdim. Megjithatë, zgjerimi i kërkesës pritet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar rritje të punësimit në linjë me ofertën e tregut dhe rritje të pagave në linjë me objektivin tonë të inflacionit.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë vlerëson se zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime do të mundësojë rritjen e pothuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë, ndonëse disa prej tyre do të përballen me kosto të rritura për produktet bazë dhe ato energjetike,” u shpreh ai.
Rreziku kryesor për objektivin e inflacionit, por edhe për vijimësinë e rimëkëmbjes ekonomike ngelet goditja inflacioniste që po vjen kryesisht nga çmimet e lëndëve të para dhe produkteve energjetike. Nëse rritja e çmimeve do të vijojë edhe përtej parashikimeve të skenarit bazë të bankës së Shqipërisë (mesi i këtij viti), kjo do të përkthehehj në një shtrëngim më të madh monetary dhe rritje më të shpejtë të normave të interesit./MONITOR