Hap ekspozitën e parë, Elidon Luarasi: Peng që ime më nuk e vizitoi
Tabloja e detit të trazuar, përfaqëson më së miri piktorin Elidon Luarasi.
Ju desh jo pak, por plot tre dekada që i biri i dy artistëve të njohur Mihal e Edi Luarasi të çelë ekspozitën e parë në Tiranë. Simbolikisht në galerinë FAB, vendin ku ju mohua e drejta për shkollim në diktaturë, shkak biografia.
Sapo shkel në sallën qendrore të shfaqet portreti i ndjerë i nënës së tij, artistes Edi Luarasi që u nda nga jeta dy muaj më parë.
“Rrëfimet” e pikturave shpalosin tre dimensione, objekte, portrete e nudo, këto të fundit i cilëson të rrezikshme.
Në 33 pikturat në vaj e 2 në akrilik realizuar gjatë 7 viteve të fundit, si element kryesor ai ka hulumtimin e qenies njerëzore duke nxjerrë në pah anën e padukshme, e ku ai fton publikun që të ndërtojë bashkëbisedim për veprën e tij me shikuesit.
Ekspozita “Rrëfimet”, e kuruar nga Genc Përmeti me tekst të Persida Asllanit, do të jetë e hapur për publikun deri në 10 shkurt.
Rruga Press