Art & Kulturë

“Zgjoi”, producenti Uka: Filmi, një mesazh nga Kosova për gratë e gjithë botës

Filmi “Zgjoi”, një ndër pretendentët për t’u nominuar për Oskar në kategorinë e filmit ndërkombëtar, është vlerësuar gjerësisht nga Kritika. Ai është një nga 15 filmat e listës që po shqyrtohen nga Akademia, e cila e jep vendimin e saj më 8 shkurt. Filmi me regji të Blerta Bashollit është vlerësuar me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Filmi është frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, hap një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Hoti përballet me një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në një intervistë me Skype për MCN TV, producenti i filmit, Ylli Uka, tha se filmi ka zanafillën para 10 viteve dhe janë dashur 7 vite për ta realizuar.

E gjithë kjo lindi para 10 vitesh, kur regjisorja Blerta Basholli, erdhi me këtë skenar për jetën e znj. Fahrije Hoti, dhe më pas gjithçka filloi si producent, meqë jemi si njëra prej shtëpive filmike Ikonë, që prodhon filmin. Na u deshën 6-7 vite për të realizuar filmin në fjalë.

Jeta e zonjës Fahrije, si një heroinë e vërtetë, e cila ka arritur të mbijetojë mes shumë vështirësive që i solli lufta, dhe sot ka një gjendje shumë të mirë ekonomike përmes biznesit që ka hapur, ajo u ka ndihmuar shumë grave të veja. Nuk është vetëm puna materiale dhe financiare, por edhe vetë jeta që i kanë kthyer shpresën përmes punës, është ngjarja është realizimi, mbi të gjitha, që e bënë kaq të veçantë këtë film emocional dhe në fund të japë shpresë, duke inkurajuar jo vetëm gratë shqiptare, por shumë gra të botës.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, e cila është vlerësuar nga kritika për lojën aktoriale.

Filmi “Zgjoi” po shfaqet në Amerikë, Zvicër, Zelandë të Re, Australi, një distribuim i gjerë në mbi 50 vende të botës, i cili përçon mesazhin e inkurajimit të grave në shumë vende të botës që do ia dalin pavarësisht vështirësive. Është vlerësuar puna e jashtëzakonshme aktoriale e Yllka Gashit, e cila si një punëtore e jashtëzakonshme dhe një aktore e madhe, thjesht ka qenë perfekt e realizuar.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri.

Lexo më shumë  Zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë në Durrës, daton në shekullin e parë para Krishtit

Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

Rruga Press

YouTube player