Opinion/Aktualitet

“Pse formula e dialogut Kosovë-Serbi që parashtroi Escobar në Prishtinë, duke patur në krah të dërguarin e BE, ishte një mesazh drejtuar vetë BE-së”

Nga Shaban Murati

Gjëja më pozitive e vizitës së përbashkët në Prishtinë në 31 janar të zëvëndësndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të posaçëm të BE, Miroslav Lajçak, është kalibrimi zyrtar i pozitës së BE për dialogun Kosovë-Serbi me qëndrimin e SHBA. Kemi një intonim të ri të kuadrit ndërmjetësues, ku SHBA dhe BE po veprojnë sëbashku në kalendarin diplomatik të ndërmjetësimit midis dy vendeve. Kjo don të thotë se kemi një zhvillim pozitiv, sepse BE tani duhet të pranojë zyrtarisht dhe të bashkohet me atë që Escobar në Prishtinë e quajti “perspektiva amerikane”, ku theksoi se SHBA përkrahin pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Perspektiva amerikane” si formulë e dialogut Kosovë-Serbi, të cilën parashtroi emisari amerikan duke pasur në krah të dërguarin e BE Lajçak dhe kryeministrin Kurti, duket në rradhë të parë si një mesazh drejtuar vetë BE. Themi kështu, sepse diplomacia e BE dhe përfaqësuesit e saj diplomatikë të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, gjatë procesit të ndërmjetësimit të vetmuar dhjetëvjeçar të dialogut, e kanë futur atë në një konfuzion të qëllimshëm dhe pa krye, i cili ka pasur motiv zvarritjen pa fund. Perspektiva amerikane e parashtruar nga diplomati i lartë amerikan në Prishtinë ka dy parametra kryesore: 1- SHBA mbështesin pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. 2- SHBA janë për qendërzimin e dialogut në çeshtjen e njohjes reciproke midis dy shteteve, kërkesë e parashtruar nga presidenti amerikan Xho Bajden në 7 shkurt 2021 në komunikimin me shkrim me presidentin e Serbisë Vuçiç.

Janë dy parametra thelbësorë dhe themelorë diplomatikë, që tregojnë rrugën e zgjidhjes dhe të marrëveshjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve, ku duhet të arrijë dialogu midis dy shteteve. Ky objektiv i qartë i diplomacisë dhe i qeverisë amerikane të presidentit Bajden për dialogun Kosovë- Serbi është pikënisja, pikëmbarimi dhe baza e çdo dialogu politik në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

Jashtë formulës amerikane të mësipërme nuk ka arsye që kryeministri i Kosovës të zhvillojë takim për hir të takimit me presidentin e Serbisë, përderisa Beogradi nuk është gati të ulet për të diskutuar mbi bazën e formulës amerikane të dialogut të qendërzuar në njohjen reciproke. Dialogu politik Kosovë-Serbi ka 10 vjet që zhvillohet në Bruksel midis dy shteteve dhe ka prodhuar vetëm disa marrëveshje teknike, sepse Serbia dhe diplomacia e BE bashkë me të nuk e futën asnjëherë dialogun në thelbin e normalizimit real, që është njohja reciproke midis dy shteteve. Çdo manual fillestar diplomacie shpjegon që dy shtete pranojnë njohjen midis tyre dhe pastaj ulen dhe diskutojnë për të gjitha problemet e hapura midis tyre. Që të arrihet në një dialog të vërtetë dhe të frutshëm politik midis Kosovës dhe Serbisë dhe të fillojë dialogu i vërtetë politik midis tyre, duhet që dy aktorë politikë dhe diplomatikë, diplomacia e BE dhe Serbia, të ndryshojnë qendrimet e tyre restriktive për përmbajtjen dhe objektivin e dialogut.

Së pari, duhet të ndryshojë qendrimin e saj diplomacia e BE dhe konkretisht dy përfaqësuesit e saj të ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi, të cilët për fat të keq vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, dy shtete që nuk e njohin Kosovën dhe janë të ngarkuar me paragjykimet proserbe të shteteve të tyre. As Borrell dhe as Lajçak nuk janë prononcuar kurrë se BE përkrah pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Të dy zyrtarët e lartë të BE kanë inkurajuar në sensin negativ pozicionin intransigjent serb të llogores diplomatike të metropolit kolonial. Është e papranueshme në planin diplomatik, që përfaqësuesi i lartë i BE, spanjolli Borrell shkon për vizitë në Beograd në 25 janar 2022 dhe duke pasur në krah kryeministren serbe harron neutralitetin e rolit të ndërmjetësit dhe akuzon se “Kosova ka treguar më shumë mungesë dëshire për të marrë pjesë në dialog”. Nuk kuptohet se çfarë lloj diplomacie ndërmjetësimi është kjo, kur arbitri apo ndërmjetësi i dialogut publikisht mban anën serbe dhe sulmon Kosovën dhe inkurajon Serbinë në obstruksionizmin e saj kolonial. Nuk e di askush se ku e pa spanjolli Borrel gatishmërinë e Serbisë për dialogun, kur Beogradi vjeshtën e kaluar dy herë me rradhë mobilizoi forcat ushtarake në kufijtë me Kosovën dhe kërcënoi me luftë, duke pasur përkrahjen direkte ruse. Nuk e di askush, madje as serbët vetë, se çfarë hapi apo lëshimi ka bërë Beogradi, kur Serbia nuk ka ndërmarrë as gjestin më të vogël për pranimin e realitetit politik të shtetit të pavarur të Kosovës, të sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2010 me vendimin e saj për përputhjen e pavarësisë së Kosovës me ligjet ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Përfaqësuesit diplomatikë të BE flasin në mënyrë të vagët për normalizim të marrëdhënieve Serbi-Kosovë pa thënë kurrë se me çfarë duhet të përfundojnë. Është për t’u habitur që as Borrelli dhe as Lajçaku nuk i parashtrojnë Serbisë kushtin e njohur politik të BE që Serbia nuk mund hyjë në BE pa njohur Kosovën. Kancelarja gjermane Angela Merkel në vizitën e saj në 13 shtator 2021 në Beograd ia përsëriti publiksht presidentit serb Vuçiç kushtin se “njohja nga Serbia e pavarësisë së Kosovës është kusht për anëtarësimin e saj në BE”. Nuk kuptohet çfarë e pengon Borrellin dhe Lajçakun t’ia shprehin këtë kusht Serbisë dhe opinionit publik serb se pa njohur Kosovën Serbia nuk anëtarësohet me BE. Kjo do të ishte vërtet qendrim dhe opinion i përbashkët me SHBA dhe me presidentin amerikan Bajden, të cilët me realizmin e tyre të pashoq diplomatik kërkojnë që në qendër të dialogut Kosovë-Serbi të vendoset njohja reciproke midis dy shteteve. Kjo do të ishte dëshmi e ndarjes së të njejtit qendrim të BE me SHBA, që pretendoi Lajçaku në Prishtinë në 31 janar në konferencën e shtypit.

Do të pranohej pretendimi i Lajçakut se BE ndan të njejtin qendrim me SHBA, kur edhe ai njësoj si Escobari të deklaronte se i ashtuquajturi asosiacion i komunave serbe nuk duhet dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Escobar e deklaroi këtë qendrim amerikan në prag të vizitës së tij në Prishtinë. Por emisari diplomatik i BE Lajçak bëri të kundërtën. Në intervistën e tij dhënë një gazete të Kosovës në 30 janar ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes nëse do të ketë asosiacioni kompetenca ekzekutive. Lajçaku e kishte lexuar qendrimin amerikan të Escobarit, me të cilin do të shkonte të nesërmen në Prishtinë. Nuk e shpjegoi ai përse iu shmang qendrimit amerikan. Nuk mund ta klasifikosh ndryshe, veçse si skandaloz faktin që emisari sllovak i BE nuk respekton as linjën zyrtare të Komisionit Europian të BE lidhur me asosiacionin e komunave serbe. Unë jam i sigurt se në shkollën diplomatike të Ministrisë së Jashtme Ruse MGIMO,(që drejtohet nga shërbimi i zbulimit të jashtëm rus), që ka kryer Lajçaku, duhet t’i kenë mësuar se gjëja e parë e emërimit si i dërguar i posaçëm për dialoun Serbi-Kosovë, është njohja me dosjen e vijës zyrtare të Komisionit Europian të BE për asosiacionin. Mendoj se ai e ka patur të detyrueshme të lexojë shkresën zyrtare të përfaqësueses së lartë të BE për politikën e jashtëme, Federica Mogherini, dërguar në 24 gusht 2015 kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, (nr.prot. A/2015/3884141), ku theksohet: ”Në lidhje me Asosiacionin e Komunave serbe dua t’ju konfirmoj që interpretimi i BE është që Asosiacioni, në përputhje me Marrëveshjen e parë dhe me Ligjin e Kosovës, nuk do të ketë fuqi ekzekutive”. Ky është qendrimi zyrtar i Komisionit Europian, pra i qeverisë europiane, të cilin  Lajçak bën sikur harron. Madje emisari sllovak i BE arrin deri atje sa që deklaron se Serbia ka të drejtë të bëjë propozime të reja për marrëveshjen e asosiacionit. Pra kërkon propozime të reja serbe për një marrëveshja të nënshkruar. Kjo don të thotë që i dërguari i posaçëm i BE i lejon Serbisë rivendikime të reja për realizimin e projektit të një “serpska republika” në Veri të Kosovës.

Aktori i dytë, që duhet të ndryshojë qendrim, para se të rinisë dialogu politik, është Serbia, udhëheqësit e së cilës duhet të heqin dorë nga deklaratat e përditëshme se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Pra Beogradi e ka prishur pa u nisur çdo lloj dialogu real politik. Serbia i kundërvihet edhe qendrimit të SHBA për qendërzimin e dialogut në njohjen reciproke, edhe qendrimit të udheheqjes politike të BE se pa njohur Kosovën Serbia nuk anëtarësohet në BE. Kjo don të thotë se Serbia nuk ka presionin e duhur nga diplomacia e BE për kushtin e njohjes si mbyllje e dialogut politik midis dy shteteve. Jo rastësisht Lajçak shprehet në intervistë se parimi i tij në çeshtjen e dialogut është “mos vrapo”. E shpall këtë devizë në një kohë që SHBA i përmbahen qendrimit se dialogu duhet të përfundojë sa më shpejt me njohjen reciproke. Nuk duket rastësi përputhja e devizës lajçakiane me qendrimin e diplomacisë ruse, e cila kërkon që dialogu të mos ngutet, por të vazhdojë pa fund.

Serbia duhet të ndryshojë qendrimin separatist dhe ambicjet për të krijuar një “serpska republika” të re në veriun e Kosovës. Gjithë bota po e sheh se çfarë rreziqesh lufte po shkakton separatizmi i “serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë. Askush nuk ka dyshim se prapa separatizmit të “serpska republikës” qendron Beogradi me planet e tij të bashkimit të saj me Serbinë. Këtë formulë separatiste Serbia synon ta realizojë në Kosovë, duke kërkuar për asosiacionin e komunave serbe statusin e “serpska republikës”. Këtë konfirmoi sëfundi bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit serb dhe kryetari i një komisioni parlamentar në parlamentin e Serbisë, Milan Dreçun, i cili në 28 janar iu kundërvu qendrimit të zëvendësndihmës sekretarit të shtetit Escobar se “Kosovës do t’i ofrohen disa modele të asosiacionit pa kompetenca ekzekutive”. Dreçun deklaroi se për Serbinë është i papranueshëm çdo model i asosiacioinit pa kompetenca ekzekutive. Përballë këmbënguljes tinzare serbe për separatizmin e komunave serbe Kosova duhet të ndjekë këshillën që të mos pranojë ndonjë marrëveshje paraprake për asosiacionin e komunave serbe, qoftë edhe në formën e një OJQ-je, pa arritur marrëveshjen politike të njohjes reciproke me Serbinë.

Zhvillim pozitiv në funksion të një dialogu real politik  duhet konsideruar kursi i ri i kryeministrit Albin Kurti për të kuadruar dialogun politik në tematikën dhe objektivin e duhur për atë nivel, siç e përcakton qartë formula e presidentit amerikan dhe e diplomacisë amerikane. Qeveria e kryeministrit Kurti duhet të ketë parasysh se ajo nuk është aspak e detyruar të vazhdojë precedentët e gabuar të qeverive të mëparshme të Prishtinës, që pranuan asimetrinë e përfaqësimit në tryezën e dialogut duke u marrë udhëheqja politike me çeshtjet teknike. Disa veprime të qeverisë së tanishme të Prishtinës muajt e fundit kanë qenë të drejta dhe të vendosura për të krijuar simetrinë e dialogut dhe të raporteve të dy shteteve sovrane. Drejtësinë e qendrimit sovran konfirmoi moslejimi i zhvillimit të referendumit serb të 16 janarit 2022 në territorin e Kosovës, duke zbatuar praktikën ndëkombëtare të shteteve sovrane. Asnjë shtet i pavarur nuk lejon votimet e një shteti të huaj në territorin e vet, përveçse në ambasadat e shtetit të huaj ose me postë. A mund të imagjinoni absurdin që SHBA të lejojnë Rusinë të zhvillojë zgjedhjet ruse në territorin amerikan me shtetasit rusë atje?. Këtë praktikë të drejtë sovrane qeveria e Prishtinës duhet ta zbatojë edhe për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare dhe presidenciale të 3 të prillit në Serbi për të moslejuar mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës. Precedenti i lejimi i tyre në të kaluarën kaq qenë gabim i madh i Prishtinës. Qendrimi i drejtë i qeverisë Kurti u konfirmua në çeshtjen e targave, që si masë të duhur vendosi në shtatorin e kaluar reciprocitetin e harruar nga qeveritë e mëparshme për një marrëveshje të nënshkruar nga Serbia që në vitin 2016. Me gjithë zhurmën e madhe që ngriti dhe kërcënimet për luftë, Serbia u detyrua tani të ulet në tavolinë dhe të bisedojë për reciprocitetin e targave.

Në këtë linjë sovraniteti del i drejtë edhe qendrimi për të zhvilluar dialog politik në nivelin më të lartë, kur dialogu të merret seriozisht nga presidenti serb, i cili po tallet me dialogun dhe po imiton shefin e tij të dikurshëm Millosheviç, i cili e dërgoi delegacionin e Serbisë në Konferencën për Kosovën në Rambuje në vitin 1999 vetëm për të pirë raki dhe për aheng. Natyrisht ky qendrim parimor i drejtë i qeverisë Kurti për dialogun politik nuk i pëlqen Serbisë, sepse shikon që ditët e asimetrise metropol-provincë kanë perënduar. Aq shumë e ka humbur logjikën Beogradi nga ky formatim i ri raportesh, sa që ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, arriti deri atje sa që në 31 janar në radiotelevizionin shtetëror serb bëri thirrje për një “regime change” në Prishtinë, duke deklaruar:” Derisa qeverinë e Kosovës ta udhëheqë Albin Kurti, dialog midis Beogradit dhe Prishtinës nuk ka dhe nuk do të ketë, përderisa ai i merr vendimet”. Nuk kemi dëgjuar deri tani për këtë deklaratë skandaloze zyrtare serbe ndonjë ragim nga Borrelli dhe Lajçaku, të cilët zakonisht reagojnë edhe për gabimet ortografike në Prishtinë.

Në stanjacionin, ku ndodhet dialogu politik, është vështirë të besohet se ai mund të ecë përpara dhe të ketë rezultat nëse diplomacia e BE dhe Serba nuk pranojnë “perspektivën amerikane”, që parashtroi Escobar në Prishtinë. Pa pranuar këtë perspektivë amerikane të pavarësise dhe të integritetit të Kosovës, do të jetë një humbje kohe çdo lloj dialogu politik i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë. Pa formulën presidenciale amerikane të qendërzimit në njohjen reciproke, një dialog politik i nivelit të lartë do të ishte xhirim rrotash në vend, gjë që i shërben vetëm Serbisë si alibi për avancimin e integrimit në BE. Në Beograd dhe në disa grupe filoserbe dhe filoruse të diplomacisë së BE kanë interes që dialogu formal politik të vazhdojë rutinën dhjetë vjeçare pa finish edhe dhjetë apo njëzet vjet të tjera.

Dialogu politik në nivelin më të lartë pa objektivin konkret dhe pa formulën presidenciale amerikane nuk i duhet Kosovës. Dialogu politik i nivelit të lartë mund të rinisë vetëm nëse Serbia ndryshon qendrimin e saj ndaj çështjes themelore politike midis dy shteteve, që janë njohja reciproke dhe respektimi i pavarësisë dhe i sovranitetit shtetëror të Kosovës./Dita

Rruga Press

YouTube player