Nuk ka mbetje politike më të ricikluar se partia e analistëve në Kosovë
Shkruan Donik Sallova
Nuk ka mbetje politike që të jetë recikluar më shumë në medien kosovare sa ç’është recikluar partia e analistëve PSD.
Po e quaj ‘mbetje politike’ në kuptimin e një gjëje (politike) të padëshirueshme ose të papërdorshme (demokratikisht, meqë nuk është e qasshme elektoralisht). Pra, si çdo produkt tjetër pa dobi dhe funksion: mbetje.
Qëllimet e këtij reciklimi duhet të jenë shumë përtej idealit mediatik për të promovuar interesin publik. Qëllimi nuk duket të jetë as demokratik sepse përmes këtij reciklimi media po i imponon publikut një parti joelektorale e cila refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, ndërkohë sistemi ynë politik demokratik nuk parasheh formë tjetër të ndryshimit të pushtetit përveç përmes zgjedhjeve të lira dhe konkurrente.
Si OJQ apo si ‘shoqëri civile’ promovimi nga media mund t’i bëhej pa problem, duke qenë se ato nuk synojnë marrjen e pushtetit politik, por përmirësimin e tij. Ndërkaq kur një organizim quhet parti, nuk merr pjesë në zgjedhje, por promovohet kundrejt pushtetit në përpjekjen për ta ndryshuar e zëvëndësuar atë, atëherë ky promovim përbëhet prej interesash që s’kanë të bëjnë as me interesin publik e as me demokracinë.
As me motive ideologjike nuk duket kjo mbështetje recikluese, sepse një parti e majtë (as në histori) nuk mbështetet prej manjatësh e kapitalistësh mediatikë. Prandaj, është e qartë, ky reciklim mediatik i kësaj partie jozgjedhore është pjesë e një përpjekje për një reciklim akoma më të madh, e që është reciklimi i pushteteve të së kaluarës që sovrani demokratikisht i hodhi posht para një viti!
Rruga Press