Vetëvendosje Shqipëri: Kur Rama shan e manipulon, tradhton për Detin Jon
Pas dekretit të miratuar nga Kuvendi i Greqisë ditën e 25 dhjetorit për zgjerrim e detit territorial ne 12 milje detare në Detin Jon, ka reaguar Levizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Shqipëri, organizatë e cila ka qenë shumë e zëshme për çështjen e Detit Jon. Më poshtë është deklarata e plotë:
Kryeministri Rama dje bëri publikisht një krahasim mes dekretit të depozituar nga Shqipëria në OKB në vitin 1990, për shtrirjen e ujërave territoriale deri në 12 milje detare (md), dhe dekretit që miratoi Greqia më 25 dhjetor 2020 për shtrirjen me 12 md në Detin Jon. Shumë ekspertë shqiptarë, përfshirë edhe përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kanë shpjeguar publikisht më herët në disa raste se ky krahasim nuk qëndron. Në vitin 1990 dekreti i Shqipërisë nuk bëri zgjerimin, por ngushtimin nga 15 md në 12 md, për të qenë në linjë me Konventën mbi të Drejtën e Detit. Më tej, në përcaktimin e ujërave të saj territoriale Shqipëria ka përdorur si vijë bazë dheun e saj kontinental dhe ishullin e Sazanit që është brenda Gjirit të Vlorës që nuk ka përballë në hapësirën prej 12 md as dheun kontinental e as ndonjë ishull të ndonjë shteti tjetër.
Ndryshe nga dekreti i Shqipërisë në vititn 1990, dekreti i Greqisë ka bërë kësaj radhe zgjerimin e ujërave territoriale greke nga 6 në 12 md. Këtë ekspansion në pjesën veriore të Detit Jon, Greqia po e bazon mbi ishullin e Korfuzit dhe disa ishuj pranë Korfuzit në Detin Jon, e jo mbi dheun kontinental të saj. Në të drejtën ndërkombëtare, dheu kontinental prevalon mbi dheun ishullor. Ishujt në veri të Detit Jon nuk është e thënë të marrin efekt të plotë për shtrirje të ujërave territoriale deri në 12 md, dhe as sa i përket zonës ekskluzive ekonomike që përllogaritet pas ujërave territoriale, sepse nuk kanë efekt të barabartë me dheun kontinental shqiptar. Nga mediat greke, publiku shqiptar ka mësuar se me dekretin e fundit Greqia i ka konsideruar të gjithë ishujt në veri të Detit Jon si një kompleks (një lloj arqipelagu), duke i dhënë këtij “kompleksi” të drejta të barabarta me dheun kontinental shqiptar. Një qasje e tillë e Greqisë është kontestuar nga shumë ekspertë shqiptarë publikisht në dhjetëra raste.
Për sa më lart, Kryeministri Rama është padyshim i informuar. Megjithatë ai ka zgjedhur sërish të shajë e ofendojë të gjithë ata qytetarë dhe ekspertë që janë sinqerisht të shqetësuar për dekretin e Greqisë, në vend se të bëjë transparencë. Qeveria e Shqipërisë e ka për detyrim të kërkojë me urgjencë zbardhjen e plotë të koordinatave, hartave, vijave bazë e të tjera të dhëna që duhen bërë publike për këtë dekret të Greqisë. Deri më sot publiku shqiptar nuk ka parë asnjë dokument zyrtar ku mbështetet dekreti i Greqisë. Në një terr të plotë informativ, shqetësimi që ky zgjerim i Greqisë ndërhyn në ujërat territoriale shqiptare dhe më tej edhe e zvogëlon zonën ekonomike dhe shelfin kontinental që i takon Shqipërisë në Detin Jon, është shqetësim legjitim për çdo qytetar. Sakaq, kryeministri Rama ende nuk ka asnjë përgjigje për pyetjen pse Greqia nuk e ka bërë këtë ekspansion më herët.
Mosveprimi i qeverisë Rama për të bërë transparencë është një qasje antikombëtare, dhe nuk mund të mbulohet me deklarime se çështja do të shtrohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në Hagë, palët nuk do të mund të shtrojnë çështje për të cilat nuk bien dakord paraprakisht. Kryeministri Micotaqis dhe Ministri i Jashtëm Dendias, kanë deklaruar publikisht se në Hagë do shtrohen vetëm çështjet që lidhen me zonat ekonomike, por jo edhe zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë nga 6 në 12 md. KM Rama nuk i ka kundërshtuar kurrë këto deklarata. Nëse Shqipëria shkon në Hagë, pa bërë njëherë transparencë të plotë mbi dekretin e fundit grek, dhe pa përdorur të gjitha mekanizmat e ligjit ndërkombëtar (përfshirë Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit) për shqyrtimin dhe kontestimin e këtij dekreti, atëherë Shqipëria rrezikon të humbasë edhe ujëra territorale edhe zonë ekonomike në Detin Jon.
Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që merr rolin e avokatit të Greqisë e që shan të gjithë qytetarët që kërkojnë transparencë dhe trajtim të drejtë të çështjes. Nuk ka nevojë për një kryeminstër që i jep të drejtë palës greke apriori, dhe që hesht kur pala greke tregon publikisht se ka mbi 6 muaj që bëhen negociata për këtë çështje, të cilat janë mbajtur të fshehta nga publiku. Kemi nevojë për një kryeministër që e mbron Shqipërinë nga politikat ekspansioniste të Greqisë dhe që respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Detin Jon. Në rast të kundërt, kryeministri bëhet kolaboracionist në këtë ekspansion grek, duke treguar se ai vetë është në mes të një tentative për tradhti kombëtare.
Tiranë, 27 dhjetor 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Shqipëri
Rruga Press