Blinken: Pasoja masive për Rusinë nëse pushton Ukrainën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi të mërkurën, më 5 janar, se Rusia duhet të largojë presionin ndaj Ukrainës nëse dëshiron progres, pasi ai rikonfirmoi një paralajmërim për “pasoja masive” në rast të pushtimit.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë bisedime javën e ardhshme në Gjenevë pasi Moska grumbulloi dhjetëra-mijëra trupa në kufirin ukrainas dhe i kërkoi Perëndimit garanci kundër zgjerimit të aleancës së NATO-s.
Nëse bisedimet “do të tregojnë përparim të vërtetë, kjo do të kërkojë depërshkallëzimin”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Duke vënë në dukje shpresat e Rusisë për përparim në fusha të tilla si kontrolli i armëve, Blinken tha se “është shumë e vështirë të bësh përparim aktual në ndonjë nga këto fusha në një atmosferë përshkallëzimi dhe kërcënimi me një armë të drejtuar nga koka e Ukrainës”.
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se agresioni i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të kishte pasoja masive dhe kosto të rënda si përgjigje”, tha Blinken.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, duke bërë vizitën e saj të parë në Uashington që nga marrja e detyrës, u pajtua me nevojën për “pasoja të rënda” nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë në mosmarrëveshje për vite me radhë mbi projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, i cili do të hapë dhe dërgojë gazin rus drejtpërdrejt në ekonominë më të madhe të Evropës.
“Nga këndvështrimi ynë, është shumë e vështirë të shihet që gazi që rrjedhë përmes atij tubacioni, të bëhet operacional, nëse Rusia vazhdon agresionin e saj”, tha sekretari Blinken, raporton agjencia AFP.
Edhe pse prodhoi kritika në vend, administrata e Presidentit Joe Biden ka refuzuar të vendosë sanksione mbi gazsjellësin Nord Stream, duke thënë se ishte praktikisht i përfunduar.
Por administrata amerikane vitin e kaluar arriti një marrëveshje në të cilën Gjermania premtoi ndihmë për Ukrainën dhe paralajmëroi Rusinë kundër përdorimit gazsjellësit për avantazhe gjeopolitike.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e pyetur nëse Gjermania ishte gati të anulonte gazsjellësin, tha vetëm se qeveria e re mbështeti marrëveshjen e vitit të kaluar me Shtetet e Bashkuara.
Qeveria e re “u pajtua që ne të marrim masa efektive së bashku me partnerët tanë evropianë nëse Rusia përdor energjinë si armë,” tha ajo./REL
Rruga Press