Lajme

Çështja e të zhdukurve – Serbia refuzon hapjen e të gjitha arkivave

Dialogu pa rezultate konkrete ka vazhduar edhe gjatë takimeve të radhës në Bruksel, për të cilat ka folur në një konferencë për media zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Sipas tij, për një moment ka pasur dakordim për hapjen e të gjitha arkivave në funksion të identifikimit të varrezave masive, por që pala serbe është tërhequr

Çështja e vetme rreth së cilës palët kanë arritur pajtim për një moment në Bruksel ka qenë ajo për hapjen e të gjitha arkivave, përfshirë ato ushtarake dhe të UÇK-së, që do të ndihmonte në identifikimin e varrezave masive. Por, sipas asaj që ka thënë zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, pala serbe që përfaqësohej nga Petar Petkoviq më pas është tërhequr.

I pyetur nëse ekzistojnë arkiva të UÇK-së të cilat Qeveria është shprehur e gatshme t’i vërë në dispozicion, Bislimi ka folur për pretendimet e gabuara të Serbisë.

“Serbia në vazhdimësi ka nxjerrë pretendime për arkivat e UÇK-së duke iu referuar një fusnote të librit të një veprimtari me emrin Nysret Pllana. Sipas tyre, ekziston një libër brenda të cilit në fusnotë thuhet se informata me të cilën masandej operohet në atë libër është nxjerrë nga arkivat e UÇK-së. Paraprakisht kam marrë konfirmimin se informata u referohet arkivave shtetërore për UÇK-në, jo arkivave të UÇK-së. Në qoftë se pala serbe e nxjerr një fusnotë si fakt, kjo nënkupton se ata në detaje kanë analizuar punimin e zotëri Nysret Pllanës dhe rrjedhimisht nuk e kontestojnë vërtetësinë e këtij libri për arsye se e nxjerrin si fakt qoftë edhe një fusnotë”, ka thënë Bislimi.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Do të thotë ata paraprakisht duhet të pranojnë si fakt krimet serbe në Kosovë dhe si fakt është një fusnotë që flet për ekzistimin e arkivit të UÇK-së. Mirëpo, për fat të mirë në faqen fillestare të librit thuhet se dokumentet janë të bazuara në informatat e nxjerra nga Arkivi Shtetëror i Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe ne kemi ofruar qasje të plotë në këto arkiva”.

Sipas Bislimit, është ofruar qasje e plotë në arkivat shtetërore të Kosovës teksa e ka ftuar t’i vizitojë ato edhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë vlerëson se hapja e arkivave, qofshin ato ushtarake apo të shërbimeve sekrete, do të ndihmonte në identifikimin e lokacioneve të varrezave.

“Mirëpo nuk e di se sa do të zbatohet kjo, se sa mund të presim në këtë moment që të hapen arkivat, ndërsa për arkivat e UÇK-së këtë e shpjegoi zëvendëskryeministri Bislimi. Edhe unë nuk besoj se ka ndonjë arkiv të UÇK-së, mirëpo arkiva shtetërore e Kosovës e ka sigurisht një pjesë, përkatësisht një departament për UÇK-në dhe është dashur që të hapen edhe ato arkiva që të zbardhet nëse kanë informacione mbi personat e zhdukur që të gjenden ata apo të zbardhet fati i tyre”, ka thënë Blakaj.

“Si përfaqësues i një organizate që ka kërkuar shumë vite më parë që në dialog të jetë çështja e personave të zhdukur, ne mirëpresim diskutimet. Megjithatë, gjatë mbledhjes për gazetarë të zëvendëskryeministrit nuk kemi parë më shumë se për çka krejtësisht janë dakorduar. Po ashtu, janë përmendur arkivat. Jam interesuar dhe kam hulumtuar nëse ka deklaruar pala tjetër diçka, mirëpo përfaqësuesi i Serbisë nuk ka folur për arkiva. Nuk jam i sigurt se për çka janë diskutuar, megjithatë është mirë që po diskutohet dhe po trajtohet me prioritet. Por ato që u përmendën me dorëzimin e trupave nga varrezat masive kjo nuk është diçka e re, pasi edhe në të kaluarën është vepruar kështu. Kurdo që janë identifikuar trupat ato janë dorëzuar, kjo nuk është marrëveshje e re, pasi ekziston nga viti 2002-2003”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Sa u përket çështjeve të tjera të diskutuara, sipas Bislimit, kanë argumentuar se nuk ka arsye të vazhdojë marrëveshja për targa.

“Në takimin ku është diskutuar për targa ne kemi deklaruar që afati përfundon në shtator të vitit 2021 dhe nuk shohim arsye për zgjatjen e marrëveshjes. Përdorimi i targave KS ka filluar me marrëveshjen e vitit 2011 dhe gjatë implementimit palët kanë devijuar dhe kanë dashur ta imponojnë si marrëveshje të përhershme”, ka theksuar Bislimi.

Ndërsa për çështjen e energjisë është kërkuar ndihmë prej BE-së që të ndihmojë në zbatimin e saj.

“Në takimin bilateral ku është diskutuar për çështjet e energjisë ne kemi bërë të qartë se mandati i BE-së është që krahas ndërmjetësimit të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe mandati për implementimin e marrëveshjeve të deritanishme. Çështja që është trajtuar më së shumti ka pasur të bëjë me licencimin e operatorit ‘Elektroserver’”, ka thënë Bislimi.

Sa i përket çështjes së vizitave të zyrtarëve, përkatësisht me moslejimin e Petkoviqit në Kosovë, sipas zëvendëskryeministrit ai në vazhdimësi ka tejkaluar agjendat e lajmëruara dhe ka përdorur gjuhë provokuese./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *