Lajme

Kryetari i komunës në Mal të Zi paditet për mohim të gjenocidit të Srebrenicës

Prokurorët akuzuan kryetarin e komunës së Nikshiqit në Malin e Zi, Marko Kovaceviç, për nxitje të urrejtjes etnike, racore dhe fetare pasi ai mohoi se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid.

Zyra e Prokurorit të Shtetit ngriti të mërkurën një aktakuzë duke akuzuar kryetarin e komunës së Nikshiqit, Marko Kovaceviç, për nxitje të urrejtjes kombëtare (etnike), racore dhe fetare për vërejtjet që ai bëri për mediat, duke hedhur dyshime mbi gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në 1995.

“Pas mbledhjes së provave të nevojshme, Prokuroria e Lartë në Podgoricë ngriti një aktakuzë dhe Gjykata e Lartë në Podgoricë do të duhet ta konfirmojë atë”, tha prokurorja e shtetit Lepa Medenica për faqen e lajmeve CDM.

Në një intervistë për stacionin televiziv serb Kurir më 19 qershor, Kovaceviç tha se gjatë operacionit ushtarak të forcave serbe të Bosnjës në Srebrenicë në korrik 1995 nuk u krye asnjë gjenocid ndaj boshnjakëve.

Pas marrjes në pyetje nga prokurorët shtetërorë më 18 gusht, Kovaceviç tha për mediat se ai ishte “viktimë e një fushate anti-serbe”.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

“Kjo është pjesë e një aksioni më të gjerë kundër serbëve. Ka dëshmi se mijëra serbë u vranë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, por asnjë nga kriminelët e luftës nuk është ndëshkuar. Vetëm serbët janë fajtorë”, tha Kovaceviç.

Kovaceviç është një zyrtar i Frontit Demokratik pro-serb, forca më e madhe në koalicionin qeverisës në Mal të Zi, e cila vazhdimisht ka refuzuar të pranojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare që i klasifikojnë vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.

Në korrik 1995, më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica u vranë në një seri masakrash nga forcat serbe të Bosnjës dhe mbi 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan.

Krimi u klasifikua si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish -Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Më 17 qershor, parlamenti i Malit të Zi shkarkoi Ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave Vladimir Leposaviç pasi ai gjithashtu shprehu dyshime në lidhje me vendimet e Gjykatës së Hagës që i kanë kalsifikuar masakrat e Srebrenicës si gjenocid.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Shkarkimi i tij u mbështet nga votat e deputetëve të opozitës dhe ligjvënësve nga koalicioni E Bardha në të Zezë, i cili është gjithashtu pjesë e aleancës qeverisëse. Dy blloqet e tjera nga shumica në pushtet, Për të Ardhmen e Malit të Zi dhe Paqja është Kombi ynë, nuk e mbështetën shkarkimin e tij.

Po atë ditë, parlamenti malazez miratoi gjithashtu një rezolutë për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës, e cila u mbështet nga deputetët e opozitës dhe nga dy blloqe të shumicës qeverisëse, Paqja është kombi ynë dhe E zeza në të bardhë.

Rezoluta bën thirrje për ndalimin e mohimit publik të gjenocidit në Srebrenicë dhe u bën thirrje institucioneve shtetërore të hetojnë dhe të ndjekin penalisht krimet e luftës.

Fronti Demokratik dhe partitë e tjera nga blloku më i madh në shumicën qeverisëse, Për të Ardhmen e Malit të Zi, votuan kundër rezolutës, duke e quajtur atë një provokim që synonte serbët e vendit./balkaninsight/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *