Ministrja Gërvalla: Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe t’i pranojë krimet e bëra
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës në Republikën e Shqipërisë tha se Serbia duhet ta pranoj realitetin e Kosovës së pavarur dhe po ashtu të pranoj të vërtetën për krimet e kryera në të kaluarën.
Gërvalla në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, me temë “Politika e Jashtme e Kosovës”, tutje ka shpjeguar qëndrimet dhe parimet e palës së Kosovës në këtë dialog i cili ka thënë se duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.
“Njëkohësisht dialogu duhet të trajtojë palët si të barabarta në tryezën e diskutimit. Zgjidhjet që ofrohen nga ky dialog duhet të jenë reale, të dobishme dhe të nevojshme për qytetarët tanë”, ka nënvizuar ajo.
Ministrja e Punëve të Jashtme më tej tha se Republika e Kosovës, falë ndihmës së aleatëve të saj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve të tjera, ka arritur të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me shumë vende të botës.
Në këtë drejtim ka theksuar se është tepër e përkushtuar që të rrit numrin e njohjeve të reja, anëtarësimet në organizata e nisma të ndryshme ndërkombëtare. Por ka përmendur edhe përpjekjet për tërheqje të investitorëve të huaj të cilat do të shkonin në favor të hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës.
Krahas çështjes së dialogut, Kosova si shtet i ri, ka thënë se ka një sërë detyrash me të cilat po merret për të përmbushur agjendën evropiane dhe për të forcuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar.
Ajo ka shpjeguar se Qeveria e re e Kosovës krahas përkushtimit për forcim të shtetit ligjor, zhvillim ekonomik, barazi dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës, është shumë e fokusuar në forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar përmes integrimit e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përmirësimit të shërbimit të jashtëm, strategjisë së lobimit për njohje të reja dhe promovimit diplomatik, kulturor dhe ekonomik.
“Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke i kontribuuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Në këtë frymë Republika e Kosovës ka rifilluar edhe bisedimet me Serbinë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjen e njohjes reciproke”, ka thënë ajo.
Ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal. Në këtë pikë ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj arritjes së marrëveshjeve të përbashkëta në dobi të qytetarëve në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili duke pasur BE-në përbrenda ofron një siguri dhe qëndrueshmëri më të madhe se sa çdo iniciativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gërvalla ka shtuar se Kosova është anëtare në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Gjithashtu ka përmendur faktin që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE -në.
“Aspiratë kryesore krahas integrimit në BE, mbetet anëtarësimi në NATO”, ka thënë Gërvalla ndër të tjera, duke u ndalur edhe tek të drejtat e pakicave dhe standardet e larta që Kosova aplikon për trajtimin e tyre e që shihen si shembull pozitiv.
Më tej ministrja Gërvalla i është përgjigjur interesimit të lartë të pjesëmarrësve në forum lidhur me çështje të bashkëpunimit konkret Kosovë-Shqipëri, bashkëpunimin rajonal, dialogun Kosovë-Serbi, ecurinë e procesit zgjedhor e shumë çështje të tjera të politikës së jashtme.
Rruga Press