40 shtete kanë bllokuar fluturimet me Britaninë, OBSH: Covid-19 jo jashtë kontrollit
Varianti i ri i Covid-19, vijon që të alarmojë botën. Gjithmonë e më shumë vende, po vendosin të mbyllin dyert për Britaninë e Madhe. Mbi 40 shtete kanë bllokuar fluturimet dhe lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar, dhe BE-ja po zhvillon bisedime për nje reagim të koordinuar. Një vendim nuk pritet para pasdites, por një prej opsioneve që po vihet në tryezë, është që tu kërkohet testi negativ të gjithë të ardhurve nga Britania e Madhe.
Suedia, mbylli dyert edhe për pasagjerët nga Danimarka, pasi raste të mutacionit të ri u zbuluan edhe atje. Një sërë shtetasish kanë mbetur të bllokuar në aeroporte, ndërsa qindra kamionë janë parkuar anës rrugës kryesore, për në portin më të rëndësishëm për tregtinë me Europën, ai i Doverit, pasi qeveria franceze mbylli kufijtë për britanikët.
Boris Johnson tha se po punonte me presidentin Macron për të zhbllokuar tregtinë. ”Miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtare, dua të them se i kuptojmë shqetësimet tuaja dhe shpresoj se të gjithë po e shihni, se menjëherë sapo qeveria u informua mbi transmetueshmërinë e lartë të varianit të ri, morëm të gjitha masat për të frenuar përhapjen”, u shpreh ai.
Rruga Press