Orari i ri kufizues, reagon Imzot George Frendo: Vendim i nxituar dhe diskriminues
Kisha Katolike e Shqipërisë, përmes një letre drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve kundërshton vendimin e marrë një ditë më parë nga ana e tyre për kufizim të orarit të lëvizjes nga ora 20:30 duke nisur nga data 24 dhjetor.
Në letrën e hapur që i drejtohet kryetares së Komitetit Teknik, Mira Rakaciolli, Kisha Katolike e cilëson vendimin për nisjen e kufizimit natën e Krishtlindjeve si të nxituar dhe diskriminues.
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, imzot George Frendo shpjegon në letrën e tij se kisha i kishte marrë masat që të kremtonin meshat në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, orare që sipas tij t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.
“Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit natën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjten në orën 20.00.
Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë”, mbyllet letra e publikuar në faqen në Facebook të Kishës Katolike.
Rruga Press