Bandat politike terror anëtarëve të Shoqatës Rajonale në Korçë, presion për votën!
Terror politik ndaj anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Korçë. Vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është angazhuar personalisht me bandën e tij politike, duke u bërë presion dhe duke kërcënuar anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit në Korçë, që të mos marrin pjesë në Asamblenë e Shoqatës.
Mësohet se kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, me urdhër nga eprorët e tij politikë, ka thirrur në takim kryetarë e bashkive të Pogradecit, Maliqit dhe Devollit, duke u bërë presion që të manipulojë votat për në Asamblenë e SHRF të Korçës. Politika është hedhur fuqishëm në sulm me presione dhe shantazhe ndaj anëtarëve të shoqatave rajonale, duke i kërcënuar me largime nga puna.
Një situatë mjaft e rënduar, me komunitetin e futbollit që gjendet në një trysni të madhe nga bandat politike në të gjithë vendin. Këto presione vinë në një kohë që Bashkia e Tiranës prej disa javësh ka ndërmarrë një sulm ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe komunitetit të futbollit, për të penguar procesin zgjedhor në të gjitha shoqatat rajonale të futbollit dhe në organet drejtuese të FSHF-së.
Rruga Press