Bota

“Po dëmton eksportet”, BE padit Kinën në Organizatën Botërore të Tregtisë, Lituania ‘molla e sherrit’

Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se ka paraqitur në Organizatën Botërore të Tregtisë një padi ndaj Kinës për praktikat e saj diskriminuese ndaj Lituanisë, e cila njohu rishtazi përfaqësimin diplomatik të Tajvanit. BE-ja thotë se mosmarrëveshja e Kinës me këtë vend baltik po dëmton edhe eksporte të tjera të Bashkimit Evropian.

Njoftimin në emër të BE-së e bëri Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, njëkohësisht edhe Komisioner për Tregtinë, Valdis Dombrovskis.

“Në fillim të dhjetorit, Kina vendosi masa shtrënguese ndaj eksporteve lituaneze dhe ndaj eksporteve të produkteve të BE-së që përmbajnë komponentë lituanezë. Kina po ndërpret edhe eksportet e saj drejt Lituanisë. Ne besojmë se praktikat e zbatuara në këtë rast janë në shkelje të rregullave të OBT-së”, tha zoti Dombrovskis.

Lituania theu traditën e deritanishme diplomatike duke rënë dakort që zyra e Tajvanit në Vilnius të mbajë emrin Tajvan dhe jo Taipei kinez, një term i përdorur nga vende të tjera për të mos ofenduar Pekinin.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

“Lituania dëshiron marrëdhënie më intensive ekonomike, kulturore dhe shkencore me Tajvanin. Kjo ishte njoftuar në programin e qeverisë dhe nuk duhet të kishte qenë surprizë për askënd”, tha Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj që nuk gëzon të drejtën e akreditimit diplomatik. Pekini dëboi ambasadorin lituanez dhe tërhoqi ambasadorin e tij. Muajin e kaluar, Lituania mbylli ambasadën e saj në kryeqytetin kinez.

Tregtia e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian menaxhohet nga Komisioni Evropian, që thotë se ka përpiluar evidencën e duhur për shkeljet e Kinës. Komisioni thotë se nga vetë statistikat e doganave kineze rezulton se ka një rënie prej 91% të tregtisë me Lituaninë.

“Dua të jem i qartë. Këto masa përbëjnë rrezik për integritetin e tregut të përbashkët të BE-së. Ndikojnë tek tregtia brenda BE-së dhe tek zinxhiri i furnizimit të BE-së, dhe kanë një efekt negativ ndaj industrisë së BE-së. Prandaj po e çojmë çështjen në OBT. Kina mbushi rishtazi 20 vjet anëtarësim në OBT, ku ra dakort të zbatojë rregullat shumëpalëshe. Sot ne i bëjmë thirrje Kinës t’i zbatojë ato rregulla, për hir të sistemit të tregtisë botërore”, tha zoti Dombrovskis.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Pekini reagoi nëpërmjet ministrisë së jashtme duke thënë se Kina veproi në përputhje me rregullat e OBT-së dhe se mosmarrëveshja e saj me Lituaninë është politike.

Faza e parë e procesit në Organizatën Botërore të Tregtisë parashikon fillimisht konsultime me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë miqësore. Nëse nuk arrihen rezultate brenda 60 ditëve, BE-ja mund të kërkojë që mosmarrëveshjen ta zgjidhë një komision i OBT-së.

Rruga Press

YouTube player