“Cineuropa”: A mundet “Zgjoi” të bëjë histori përsëri?
Në ditën kur nisën votimet e anëtarëve të “Academy Awards”, mediumi evropian dedikuar filmit ka publikuar një artikull për “Zgjoin” nën regji të Blerta Bashollit. Ka thënë se filmi është duke marrë vëmendje përpara se të përfundojnë votimet për “Academy Award”
Gazetari dhe kritiku i filmit, Vladan Petkoviq, shkrimet e të cilit shpeshherë zënë faqet e mediumit evropian dedikuar filmit, “Cineuropa”, të enjten ka nisur një diskutim nëse “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, mund të bëjë histori, përsëri. Fillimisht ka treguar se filmi që është kandidati i Kosovës për “Oscars” fillimisht ka bërë histori kur dha premierën vitin e kaluar në “Sundace Film Festival”. U bë i pari film që fitoi tri çmimet kryesore në këtë festival prestigjioz. Mori Çmimin e publikut, atë për regji dhe të audiencës.
E pas një viti, artikulli tregon se filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli është i pari nga Kosova, shteti më i ri evropian, që ka arritur të futet në listën e ngushtë të “Academy Awards” për filmin më të mirë ndërkombëtar. Garon me 14 filma të tjerë për të qenë në mesin e pesë të nominuarve.
Votimi nis të enjten dhe përfundon më 1 shkurt. Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”, kurse më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar. Më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore.
Në artikull tregohet se dhjetorin e kaluar ishin Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus, që iu bashkuan ekipit të filmit si producente ekzekutive në mënyrë që kompania e tyre “Love & Squalor Pictures” t’i japë filmit një mbështetje në kampanjën për “Oscars”.
Janë cituar edhe fjalët që dyshja kishte thënë për “Deadline”, e cila kishte bërë të ditur lajmin. Atëherë Moss dhe McManus kishin potencuar se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm.
“Portretizimi i detajuar i betejës së një gruaje drejt pavarësisë na shtyn të kuptojmë mundësinë për ndryshim, dhe tregimi i fuqishëm i Blertës kap me mjeshtëri vetëvendosjen e individëve në të gjithë botën për t’i tejkaluar vështirësitë”, janë fjalët e dyshes për “Deadline” të cituar edhe nga “Cineuropa”.
Shkrimi tutje tregon se filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe ndjek jetën e Fahrije Hotit (e portretizuar nga ylli në ngritje, Yllka Gashi), e cila si shumë gra të tjera në fshat (v.j. Krushë e Madhe), kanë jetuar me shpresën që zbehej dhe dhimbjen që rritej pasi burrat e tyre ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Petkoviq tregon tutje se në mënyrë që të ndihmojë familjen e saj, Fahrija bën bashkë edhe gratë e tjera të komunitetit për të nisur një biznes, për të shitur ushqime vendore, përkundër rezistencës së thellë të shoqërisë patriarkale.
“Në vend që t’i dorëzohej dhimbjes, Fahrije Hoti vendosi që të fshinte lotët dhe të vazhdonte tutje. Sa herë që ne hasnim në vështirësi gjatë realizimit të filmit, unë mendoja për të. Ajo ka qenë dhe gjithmonë do të jetë modelistja ime për të ecur përpara dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë”, ka thënë Basholli për “Cineuropa”.
Në shkrim, po ashtu, tregohet se edhe regjisorja Jasmila Zhbaniq – filmi i së cilës “Quo Vadis, Aida?” ishte në mesin e pesë të nominuarve vitin e kaluar në “Oscars” dhe së fundi mori çmimin si filmi më i mirë evropian nga Akademia Evropiane e Filmit – po ashtu u ka dalë në mbështetje.
“Bukuria dhe fuqia e këtij filmi shtrihen në faktin që regjisorja dhe aktorja, por edhe i gjithë ekipi arrijnë që të shfaqin të padukshme, të thonë atë që nuk mund të thuhet. Si zhurma e bletëve në zgjua, filmi u mbetet në mendje për një kohë të gjatë pasi që ta shihni”, citohet të ketë thënë Zhbaniqi.
Në shkrim tregohet se që nga triumfi në “Sundance”, “Zgjoi” ka fituar çmime në më shumë se 15 festivale në Varshavë, Hamburg, Montpellier, Berkshire, Osnabrück, Mal të Zi, Prishtinë dhe në “Cinedays” në Shkup, përderisa Gashi mori çmimin si aktorja më e mirë edhe në Valladolid dhe Scottsdale.
Po ashtu, aty theksohet se “LevelK” përgjegjëse për shitje ndërkombëtare të filmit e ka shitur atë pothuajse në të gjithë botën.
“Filmi shfaqet nga Australia e Zelanda e Re deri në Kinë, Amerikën Latine dhe Karaibe e po ashtu edhe në Kanada dhe SHBA, ku është shpërndarë nga ‘Zeitgeist Films’ në bashkëpunim me ‘Kino Lorber’. Të drejtat për t’u shfaqur janë blerë edhe në shumë territore evropiane, po ashtu edhe në Turqi dhe Izrael”, ka treguar “Cineuropa”.
Të mërkurën ekipi i filmit kërkoi mbështetje edhe nga publiku. Kërkuan që në rrjetet sociale të shpërndajnë materiale të ndryshme për “Zgjoin”. Synojnë që nëpërmjet tyre sa më shumë të figurojë emri i filmit. “Bashkë për Kosovën drejt ‘Oscars 2022’”, ka shkruar aktorja Yllka Gashi. Ndër të parët që iu përgjigjen kësaj thirrjeje qenë edhe kryeministri Albin Kurti e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./koha/
Rruga Press