Bota

DW: Fonde të fshehura në Itali, DYSHOHET se ryshfetet kanë gjetur rrugë të reja

Italia është përmirësuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Por ekspertët dyshojnë që ryshfetet janë me të vërtetë në rënie – ato kanë gjetur rrugë të reja.

Beppe Grillo fillimisht punoi si aktor, më pas themeloi lëvizjen Pesë Yjet. Lufta kundër korrupsionit në politikë – ky ishte slogani që i siguroi atij dhe mbështetësve të tij një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018. Ai vetë tani është i dyshuar për korrupsion: ai me sa duket loboi për një kompani transporti për gati një çerek milion euro, prokuroria e Milanos po heton.

Alberto Vanucci, autor librash dhe politolog në Universitetin e Pizës, është i bindur se korrupsioni është i përhapur. “Korrupsioni është një fenomen që nga natyra është sekret. Duke qenë se është pothuajse gjithmonë diçka e paligjshme, protagonistët e tij priren ta mbajnë të fshehur.”

Më shumë transparencë në prokurimet publike

Zbulimi i kësaj të panjohure – ky është misioni i autoritetit antikorrupsion ANAC, i cili e ka nisur punën që nga viti 2012 dhe është pajisur me shumë para dhe pushtet. Autoriteti duhet të sigurojë që në administratën publike të respektohen të gjitha rregullat. Pikërisht në dhjetë vitet e fundit, Italia ka miratuar një sërë ligjesh kundër korrupsionit, që kanë lehtësuar kontrollet dhe kanë përforcuar sanksionet.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Transparency International e konsideron Italinë në rrugën e duhur: sipas Indeksit të saj të Perceptimit të Korrupsionit, vendi ka përjetuar përmirësim të vazhdueshëm dhe të ndjeshëm. Për ANAC, transparenca është kryefjala, bashkëpunëtorët e saj këshillojnë dhe monitorojnë. Pra, korrupsioni as që duhet të jetë i mundur.

“Ne kemi një element kyç: bazën e të dhënave të prokurimeve publike. Pjesa më e madhe e shpenzimeve publike bëhet përmes kontratave. Ne jemi gjithashtu autoriteti që e rregullojmë këtë dhe falë digjitalizimit të tenderave kemi mundësinë të kontrollojmë të gjithë tenderat. Këtë mund ta bëjnë edhe të gjithë qytetarët”, shpjegon presidenti i ANAC, Giuseppe Busia, duke iu referuar faqes në internet së autoritetit: të gjithë qytetarët mund të ndjekin aty se çfarë ndodh në bashkinë e tyre dhe si shpenzohen paratë publike.

Korrupsioni u përshtatet rrethanave

Me këtë strategji, Italia po përpiqet të frenojë më tej abuzimin me pushtetin. Por në të njëjtën kohë, natyra e korrupsionit po ndryshon. Ai përshtatet me rrethanat e reja dhe ndryshon fytyrën e tij, beson Vanucci: për shembull, ryshfeti nuk u paguhen më politikanëve personalisht, por fondacioneve politike si financim formal dhe i rregullt – “Aty politikani ka një funksion kontrolli dhe për këtë arsye mund të përdorë fonde për karrierën e tij, suksesin e tij. Dhe më pas ndodh rastësisht që këta sipërmarrës përfitojnë mjaft rregullisht nga vendimet e këtij politikani”.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Kjo është ajo që e vështirëson punën e hetuesve. Kreu i ANAC Busia përmend vazhdimisht rrezikun e infiltrimit kriminal: duke pasur parasysh fondet evropiane nga fondi i rindërtimit të koronas, rreziku është veçanërisht i lartë. Italia merr rreth 200 miliardë euro.

Edhe këtu Busia insiston për parandalim. Në të njëjtën kohë, ai sheh në këtë rrezik një shans për punë panevropiane kundër korrupsionit, sepse Italia mund të aplikojë këtu modelin e zhvilluar për luftën kundër korrupsionit: “Tashmë kemi mundësinë të garantojmë transparencën se si shpenzohen paratë. Dhe kjo, përtej kufijve”./ DW

YouTube player