Pas Britanisë, edhe Holanda do të zbusë masat kundër koronavirusit duke filluar nga sot
Qeveria e Holandës ka thënë se do të zbusë kufizimet e vendosura për ta luftuar përhapjen e COVID-19, nga e mërkura, njofton BBC.
Baret, restorantet dhe muzetë, u mbyllën në Holandë që nga 18 dhjetori për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron.
Por, përkundër kufizimeve, rastet me COVID kanë vazhduar të rriten, duke shkuar tash deri në 60 mijë raste ditore.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në konferencë për media ka thënë se shteti po “merr rreziqe” dhe po i zbut masat.
Rutte, që është përballur me thirrje të vazhdueshme për zbutje të masave në javët e fundit, pas rënies së numrit të vdekjeve dhe pranimeve në kujdes intensiv, ka shtuar se rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 8 mars.
Kafenetë, baret dhe restorantet do të lejohen të qëndrojnë hapur deri në ora 22:00, mirëpo do të kërkohet nga klientët të paraqesin dëshminë e vaksinimit apo se kanë kaluar së fundi virusin.
Klubet e natës do të mbesin të mbyllura, ndërsa kapacitetet në ngjarjet sportive e kulturore do të limitohen në 1250 persona.
Rruga Press