BE ndryshon kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19
Ministrat e Bashkimit Evropian, gjatë takimit të mbajtur të martën, pranuan propozimin e Komisionit Evropian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19 për udhëtim brenda bllokut evropian.
Kjo certifikatë ishte vendosur në pranverën e vitit të kaluar me qëllim që të lehtësojë lëvizjen brenda BE-së në kohën kur kishte nisur procesi i vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19.
Por, tash rrethanat kanë ndryshuar dhe BE-ja ka rekomanduar ndryshimin e kritereve për përdorimin e kësaj certifikate. Tash më shumë do të merret parasysh gjendja shëndetësore e personit, të dhënat për vaksinim apo shërim nga virusi, sesa gjendja epidemiologjike e shtetit apo rajonit prej nga ai vjen.
Sipas rekomandimeve të reja, certifikata COVID-19 do të jetë e vlefshme nëse përmban të dhënat se bartësi i saj është i vaksinuar me së paku dy doza. Kjo certifikatë vlen nëntë muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërkaq për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar, së paku derisa nuk ka të dhëna të reja shkencore që tregojnë për kohëzgjatjen e mbrojtjes që ofron kjo dozë.
Të vlefshme do të jenë edhe certifikatat që dëshmojnë se bartësit e tyre e kanë kaluar virusin jo më vonë se para gjashtë muajve. Për bartësit e këtyre certifikatave, BE-ja ka propozuar që të mos ketë asnjë kufizim shtesë apo detyrim për testim ose vetizolim.
Në kohën kur shtetet e BE-së po regjistrojnë shifra rekorde të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit Omicron, megjithatë blloku evropian sugjeron lehtësime për udhëtime duke marrë parasysh suksesin që kanë arritur disa shtete me fushatën e vaksinimit të qytetarëve të tyre.
Megjithatë, mes shteteve të BE-së ka dallime të mëdha sa i përket nivelit të vaksinimit. Për shembull, në Belgjikë dozën përforcuese e kanë marrë më shumë se 70 për qind e qytetarëve të moshës madhore, ndërkohë në Bullgari dhe Rumani gjysma e qytetarëve ende janë të pavaksinuar.
Këto janë vetëm rekomandime të BE-së, pasi secili shtet anëtar do të vendosë për zbatimin e tyre në shtetet përkatëse. BE-ja tha se shpreson që anëtarët do të zbatojnë këto rekomandime me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve./rel/
Rruga Press