BallinaLajme

Manastirliu paralajmëron masa të reja në prag të festave të fundvitit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar sot masa të reja për festat e fundvitit, për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Nga Qendra Shëndetësore nr. 9, ajo tha se kufizimi i kontakteve është shumë i rëndësishëm për fundvit: “Rekomandimet që do të marrim do të bëhen me dije për qytetarët edhe për strategjinë tonë për festat e fundvitit. Kufizimi i kontakteve është shumë i rëndësishëm. Le të festojmë në familje këtë vit”.

Manastirliu u ka bërë apel qyetarëve të shmangin grumbullimet dhe të festojë brenda familjes së tyre të vogël, për të kufizuar përhapjen e infeksionit: “Është shumë e rëndësishme tashmë që vijnë edhe festat e fundvitit, të jemi të gjithë sa më shumë vigjilent dhe të impenjuar për të ruajtur masat e distancimit social, vendosjen e maskës, ruajtja e higjienës”.

Ndërkohë, ajo bëri me dije se testimi i shpejtë ka nisur në 6 pika në Qendra Shëndetësore në Tiranë dhe rezervimi për kryerjen e tyre tashmë do të bëhet nga mjekët e familjes.

Lexo më shumë  Konjufca: 28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë

“Sot, kemi filluar me testimin e shpejtë në Tiranë, në komunitet, në 6 pika të identifikuara për të kryer testimet në komunitet sipas një sistemi të mirorganizuar me mjekun e familjes, me regjistrin elektronik të fashave orare, ku qytetarët të cilët janë pjesë e indikacioneve, pra për 5 ditët e para të sëmundjes dhe ku mjeku i familjes vlerëson se duhet kryer testimi i shpejtë, vijnë në këto qendra shëndetësore”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se vijon fuqizimi i kapaciteteve dhe se përfshirja e testimit të shpejtë krijon më shumë akses dhe përgjigje më të shpejtë, Manastirliu tha se testimi i shpejtë do të vijojë në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që bëri me dije 6 pikat e testimit të shpejtë në Tiranë. 

“Sigurisht, do të vijojë në gjithë Shqipërinë, në qendrat e testimit, në komunitet. Në Tiranë, kemi filluar me 6 pika: Në qendrën shëndetësore nr. 9, qendrën shëndetësore nr.10, në qendrën shëndetësore të Kombinatit, në qendrën shëndetësore Qyteti Studenti, në qendrën shëndetësore Kodër-Kamëz dhe gjithashtu edhe në pikën e Brrakës, në qendrën shëndetësore nr. 4”, bëri me dije Manastirliu.

Lexo më shumë  Hoti: Serbia për ta zvarritur marrëveshjen për të zhdukurit po tenton ta përfshijë UNMIK-un

Ministrja e Shëndetësisë tha se pavarësisht përfshirjes së testit të shpejtë, testimi me metodën klasike të PCR do të vijojë: “Nga ana tjetër, testimi nëpërmjet metodës klasike të PCR vazhdon. Grupet e epidemiologëve  janë në terren për vijimin e testimit përsa i përket testeve të cilat kryhen direkt nga numri 127, pra rastet e hetimit epidemiologjik dhe gjurmimit në terren”.

Të gjithë mjekët e familjes do të referojnë për testim në qendrën që tashmë kanë të përcaktuar. Është mjeku i familjes, i cili, nëpërmjet sistemit të referimit elektronik, e referon qytetarin për “rapid test” në fashat orare 10:00-16:00, nga e hëna në të shtunë. Pacienti paraqitet në pikën e testimit në ditën dhe orën e caktuar, ndërsa përgjigjen e merr sërish nga mjeku i familjes.

Rruga Press

YouTube player