Financial Times: Rimëkëmbja ekonomike e Eurozonës po i mbijeton valës Omicron
Financial Times
Sipas analizës së të dhënave me frekuencë të lartë nga Financial Times, varianti Omicron po shkakton shumë më pak dëme në ekonominë europiane krahasuar me valët e mëparshme të Covid-19, kryesisht për shkak të normave të larta të vaksinimit dhe përmirësimit të aftësisë së shoqërisë për të jetuar me virusin.
Megjithëse shifrat e infektimeve në të gjithë eurozonën janë rritur në nivelet e tyre më të larta që nga fillimi i pandemisë, shitjet e biletave të kinemasë, rezervimet e hoteleve, postimet për vendet e lira të punës dhe të dhënat e lëvizshmërisë kanë rënë shumë më pak krahasuar me periudhat e rritjeve të mëparshme të infektimeve të shkaktuara nga koronavirusi.
Në këtë periudhë të vitit të kaluar, vizitat në dyqane, bare dhe restorante kishin rënë më shumë se 40 për qind nën nivelet para pandemisë. Ndërsa këtë vit, vizitat kanë rënë me më pak se gjysmën e kësaj shifre, sipas të dhënave të lëvizshmërisë nga Google.
“Ndikimi ekonomik i pandemisë po zbehet,” tha Bert Colijn, ekonomist në ING. “Nivelet relativisht të larta të lëvizshmërisë janë pozitive për aktivitetin ekonomik.”
Kjo reflektohet edhe në parashikimet e ekonomistëve për rritjen ekonomike. Silvia Ardagna, ekonomiste në Barclays, parashikon se pavarësisht Omicron, ekonomia e bllokut do të jetë rritur me rreth 0.2 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021. Rritje do të ketë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Ajo gjithashtu parashikon një “rritje solide në periudhën e viteve 2022-2023, që do të nxitet nga kërkesa e brendshme”.
Gjithashtu, ka shumë pak shenja që Omicron mund të ketë dëmtuar ndjeshëm tregun e punës, sipas të dhënave nga Indeed, një faqe interneti për kërkimin e punës. Papunësia në eurozonë kishte rënë që në muajin nëntor nën mesataren e saj të vitit 2019, periudhë kjo përpara fillimit të pandemisë.
Papunësia “do të bjerë në nivele që nuk i kemi parë ndonjëherë” në eurozonë, tha Claus Vistesen, ekonomist në Pantheon Macroeconomics. Ai ka pritshmëri që tregjet e kontraktuara të punës, kombinuar me rimëkëmbjen ekonomike, mund të nxisin inflacionin në eurozonë, i cili arriti një nivel rekord prej 5 për qind në muajin dhjetor.
Megjithatë, rritja eksponenciale e infektimeve ka dëmtuar aktivitetin ekonomik, pasi kufizimet i kanë detyruar njerëzit të izolohen dhe të mos marrin pjesë në tubime publike. Kjo ka goditur veçanërisht sektorin e shërbimeve për konsumatorët.
Në fundjavën e parë të janarit, të ardhurat e kinemave në katër ekonomitë më të mëdha të BE-së ishin rreth 20 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Rezervimet e restoranteve në Gjermani ishin gjithashtu 30 për qind më të ulëta gjatë mesit të janarit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Po kështu, turizmi dhe udhëtimet ndërkombëtare mbeten në gjendje të vështirë. Numrat e fluturimeve janë ulur me 35 për qind krahasuar me normat e vitit 2019, përpara fillimit të pandemisë. Gjithashtu, rezervimet e hoteleve kanë rënë përsëri në nivelet e fundit të pranverës të vitit 2021, sipas të dhënave nga Sojert, një platformë e marketingut dixhital. Megjithatë, ka një përmirësim të dukshëm krahasuar me këtë periudhë të vitit të kaluar, kur prenotimet ranë shumë më tepër.
Analistët thonë se një ndryshim i dukshëm gjatë kësaj vale të re është se kufizimet, të tilla si lejet Covid-19 që kërkohen në vende si Franca dhe Italia për të hyrë në hotele apo ambiente argëtimi, janë aplikuar kryesisht ndaj të pavaksinuarve dhe atyre që ende nuk e kanë kaluar infektimin. Duke qenë se kjo pjesë e popullsisë përbën pakicën, pjesa tjetër e ekonomisë mund të mbetet e hapur.
“Rastet e Covid janë rritur në të gjithë Europën, janë aplikuar kufizime dhe lëvizshmëria ka rënë,” tha George Buckley, ekonomist në Nomura. “Megjithatë, ka arsye për të qenë optimist”, shtoi ai, duke parashikuar një rimëkëmbje të shpejtë në pranverë.
“Në përgjithësi, Omicron ka të ngjarë të shkaktojë më pak dëme sesa valët e mëparshme të pandemisë,” tha Paul Donovan, drejtues i ekonomistëve në UBS Global Wealth Management. “Njerëzit kanë mësuar të përshtaten dhe kjo minimizon shumë dëme.”/ MONITOR