”Le Monde” analizon veprën e Ismail Kadaresë
Kadare vjen i përkthyer në gjuhën frënge, nga violinisti i njohur, Tedi Papavrami.
Me botimin në frëngjisht të kësaj vepre të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, prestigjiozja ”Le Monde” i bën një analizë veprës së tij, që zë fill me ngjarjen e vitit 1934, me telefonatën e famshme të udhëheqësit sovjetik Josif Vissarionovich Stalin me shkrimtarin nobelist, Boris Pastërnak.
Telefonata ka në qendër poetin rus Ossip Mandelstam, i cili, Stalini e konsideronte si ‘malokun e Kremlinit’.
Stalini e di, se Pastërnaku dhe Ossip Mandelstam janë miq dhe për këtë arsye, ai kërkon një lloj aprovimi prej tij, teksa ky i fundit i përgjigjet se, thjesht, janë të ndryshëm. Një përgjigje sa diplomatike, aq edhe lloj ‘tradhtie’ e tij, Pastërnakut, ndaj mikut të tij. Megjithë qëndrimin nga ana e tij, gjatë kohës që Stalini fliste me Pastërnakun, miku i tij poet, Ossip Mandelstam ishte dënuar.
”Le Monde” shtron pyetjen sesi do të ishte sjellë Kadareja në një situatë të tillë, nëse do të ishte në vendin e Pastërnakut dhe çfarë e tërhoqi shkrimtarin shqiptar ndaj këtij episodi, për të shkruar “Kur sunduesit grinden”.
”Le Monde” shkruan:
Së pari, faktet ose sa pak dimë rreth tyre.
Skena zhvillohet në Moskë, në vitin 1934. Pasditen e 23 qershorit, shkrimtari Boris Pasternak (1890-1960) – autori i ardhshëm i romanit të famshëm ”Doktor Zhivago” (1957) dhe Nobelist në Letërsinë më 1958 – merr një telefonatë të papritur, nga shoku Stalin.
Udhëheqësi suprem i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dëshiron të flasë me të, për poetin rus, Ossip Mandelstam (1891-1938). Ai e di se dyshja, Mandelstam dhe Pastërnaku, janë miq. Disa muaj më parë, në vjeshtën e vitit 1933, Mandelstam kompozoi Epigramin e tij të famshëm kundër Stalinit, me titullin “Xhelat dhe vrasës i muzhikëve”.
Poeti rus Ossip Mandelstam, e konsideronte dhe e përshkruante Stalinin, si “malokun e Kremlinit”. Madje, ai gjeti fjalë të tilla, si: Gishtat e tij janë të yndyrshëm si krimbat/ Fjalët e plumbave i bien nga buzët./ Mustaqet e kacabunjtë që përqeshin/ Dhe lëkura e çizmeve që i shkëlqen.”
Kur Stalini telefonon Pastërnakun, Mandelstam sapo është arrestuar dhe dënuar. Poeti do të vdesë katër vjet më vonë, në një kamp tranzit, gjatë rrugës për në Kolyma.
Por, le të kthehemi në vitin 1934, te kjo telefonatë mitike – që e hasim trajtuar nga pena e shumë autorëve sovjetikë që shkruan për epokën e Stalinit.
Kësa here është shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, ai që shkruan për këtë temë, gati nëntëdhjetë vjet pas ngjarjes. Autori i romanit ”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (1963) i shpjegon mosmarrëveshjet që në krye. Kadare ishte vetë student në Moskë, në vitet 1950. Aty, në Institutin Gorki, dëgjoi për herë të parë për këtë telefonatë, mes Stalinit dhe Pastërnakut. Prej atëherë, ai nuk ka reshtur së menduari për të. A e vulosën fatin e poetit, ato tre-katër minuta komunikim në telefon? Pse e telefonoi Stalini, Boris Pastërnakun? A kishte ai dyshime për fatin që do t’i rezervohej Mandelstamit, në një kohë kur “emri i poetit lakohej dhe përgojohej nga të gjithë”? A donte ta vinte në provë Pastërnakun? A e kishte tradhtuar ai, mikun e tij? Pastërnaku, ishte i befasuar nga telefonata?
Thuhet se kur Stalini e pyet Pastërnakun, se: “Çfarë mendon për Mandelstamin?”, ai supozohet të jetë përgjigjur: “Thjesht, ne jemi të ndryshëm, shoku Stalin.” Të ishte kjo, provë e mospranimit nga ana e tij? Çfarë do të kishte bërë Kadare në vend të tij? Dhe çfarë e tërhoqi kaq shumë, Kadarenë, në ato pak minuta që e ndoqën edhe në ëndrrat e tij?
Trembëdhjetë versione:
Apriori, struktura e tregimit është e thjeshtë; në fillim të librit, e shohim autorin në pleqëri, duke tentuar të shkruajë romanin e këtij episodi.
Duke ia përshkruar botuesit që ka plot mëdyshje: “Poeti dhe tirani, nuk duhet të gjendeshin kurrë në të njëjtën anë. Pastaj, Kadare e lë mënjanë dhe zbërthen versionet e ndryshme që ai mundi t’i bashkonte kësaj telefonate. Jo më pak se trembëdhjetë: KGB-ja, zonja dhe miqtë e Pastërnakut dhe shkrimtarë të tjerë… Çdo herë, nuk është as i njëjti version dhe as krejt i ndryshëm. Asnjë prej tyre, nuk duket as krejtësisht i rremë, as plotësisht i besueshëm. Më i çuditshmëm, apo më ironik është fakti se, Stalini ia mbylli telefonin Pastërnakut si të ishte dikush që mishëronte një lloj “rreptësie morale”: “Je një shok shumë i keq, shoku Pastërnak! /KultPlus
Rruga Press