BallinaLajme

Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019

Janë ndarë çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019 ku si romani më i mirë 2019, është zgjdhur “Diktatori në kryq”, i Mira Meksit.

Motivacioni: “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më”.

Përkthimi më i mirë 2019, “Iliada”, Llambro Ruci

Motivacioni: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.

Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Matteo Mandala

Motivacioni: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.

Përmbledhje me tregime më e mirë 2019, “Mikrobus”, Romeo Çollaku

Motivacioni: “Për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri”.

Vëllimi poetik më i mirë 2019, “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, Alisa Velaj

Motivacioni: Libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.

Letërsia për fëmijë më e mirë 2019, “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli

Motivacioni: Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë.

Natasha Lako, kryetare e jurisë

Fjala e mbajtur gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve

Krijimtari letrare, apo prodhim artistik i vitit 2019, janë qindra faqe të reja të autorëve shqiptarë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në konkursin kombëtar të organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe për paraqitjen e veprave të tyre para një publiku të gjerë meritojnë një falënderim të veçantë.

Dhe në një moment të tillë të shpalljes së fitueseve, kur në fund të vitit të famshëm 2020 sapo ka filluar vaksinimi i parë kundër Covid-19, meqë jemi në sferën krijuese, më lejoni së pari të përmend një kredo impresionuese që ka udhëhequr punën e kërkuesve të grupit Karizma dhe çiftin më të falshëm që arriti rezultate të mëdha se “çdo ditë që ju shkoni në punë jeni duke parë se e sotmja bëhet gjithnjë më e mirë se e djeshmja” … Dhe këtu flitet për përgjegjësi.

Direksione letrare plot arritje artistike që shprehin epoka të ndryshme, në sfidat e tyre janë krejt të ndryshme nga ato të shkencës. Dhe në përgjegjësitë e tyre mund të lidhen po aq realisht me thënien e njohur të Bernard Shout, se edhe për krijimtarinë letrare, lipset një për qind talent dhe 99 për qind punë. Dhe, në rastin shqiptar, edhe për vitin 2019 kjo lidhet me vepra të një letërsie që hedh rrënjë në një realitet sa të përcaktuar aq edhe universal.

Dhe, rrjedhimisht, ndër dhjetëra e dhjetëra emrave, të sprovuar dhe të rinj veçanërisht në prurjet më të shpejta dhe më të reja poetike, herë të kumteve të para të fuqishme, herë të mbushura me humor deri në proverba, të nderuara dhe të freskëta deri te përkthimi letrar. Do të duhej të paktën edhe 0,0001% punë ngulmuese e një jurie, që shpesh e ka pasur të vështirë, në qindra e qindra faqe të marrë vendime para veprave që qëndrojnë shumë pranë njëra-tjetrës, përderisa shprehin një individualitet të veçantë, kontribut gjithnjë e më të profilizuar, si edhe zgjidhje artistike dhe estetike, të cilat synojnë të krijojnë orbitat e veta.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Me bindjen e plotë që nga veprat e mira do të lindin gjithnjë në letërsinë shqipe vepra të mira, duke uruar gjithnjë shëndet njerëzor, më lejoni që në emër të jurisë dhe Qendrës së Librit, të ndiejmë së bashku edhe si lexues sadisfaksion, për këto përpjekje për shëndet artistik, të arritur plot mund dhe sakrifica, por ndonjëherë edhe me përshpejtësi të madhe, për vepra të një diversiteti të këndshëm, ngandonjëherë të qashtër e ndonjëherë të mbushur plot mendim a karaktere njerëzore që, për t’i shtuar diçka thënies së të grindurit për mirë Bernard Show, plotësohen vetëm në sajë të profesionalizmit të ushtruar në liri. Me urime për punë të mbarë për të gjithë autorët e letrave të sotme shqipe, të cilët trashëgojnë një traditë të madhe artistike është kënaqësi që në këtë fundviti të shpallim dhe urojmë në mënyrë të veçantë fituesit e konkursit kombëtar të vitit 2019, për arritjet e tyre sa në një gjuhë të pasur individuale, sa në shprehjen e një pulsi të përbashkët shoqëror.

Rruga Press

YouTube player