Kuriozitete

Mashtruesi që shpiku një shtet

Gregor MacGregor lindi në Skoci në 1786 dhe vdiq në Venezuelë në 1845, ishte një ushtar aventurier dhe një mashtrues i fuqishëm. Ai shpiku shtetin e Poyais, një vend në Amerikën Qendrore që nuk ekzistonte, por që e shpalli veten sundimtar të tij.

Në vitin 1822 në Londër, MacGregor arriti të bindë disa qindra njerëz për të kaluar Oqeanin për të shkuar në Poyais, duke shkaktuar vdekjen e shumicës së tyre. Edhe sot ai konsiderohet “Mbreti i Mashtruesve”, njeriu që arriti të krijojë gënjeshtrën më të madhe të krijuar ndonjëherë.

Ai ishte djali i një kapiteni detar i Kompanisë Britanike të Indisë Lindore, i cili u rrit duke folur galeishten skoceze dhe vetëm më vonë mësoi anglisht në shkollë.

MacGregor ka pretenduar se ka studiuar për disa kohë në Universitetin e Edinburgut, por në lidhje me këtë nuk ka asnjë provë dhe duke pasur parasysh karakterin e tij është e lehtë të dyshosh në të.

Dihet me siguri që në moshën 16-vjeçare, pak para se të fillonin Luftërat Napoleonike, ai u regjistrua në ushtrinë britanike. Ai u martua me Maria Bowater, vajzën e një admirali të pasur dhe gjithashtu falë parave dhe famës së familjes së saj, bëri një karrierë të shpejtë ushtarake. MacGregor u bë kapiten në një kohë shumë të shkurtër dhe më pas gjeneral.

Pas disa vitesh në Gjibraltar, ai la ushtrinë në 1810 dhe u kthye në Mbretërinë e Bashkuar. Sidoqoftë, në 1811, vdekja e gruas së tij i ndryshoi perspektivën e jetës. Pa paratë dhe mbështetjen e familjes së saj u detyrua në vitin 1812 të nisej për në Venezuelë, në kohën kur po zhvillohej një revoltë kundër spanjollëve. Atje ai u martua me një kushërirë të revolucionarit Simon Bolivar dhe përsëri bëri një karrierë ushtarake, këtë herë në radhët e ushtrisë së Republikës së Venezuelës.

Ai shënoi disa suksese dhe u bë i njohur si themeluesi i Republikës së Floridas, e cila zgjati si republikë vetëm disa muaj.  Në verën e vitit 1821, një dekadë apo më shumë pas largimit të tij, MacGregor u kthye në Mbretërinë e Bashkuar.

Atij iu bashkua edhe bashkëshortja e cila kishte mbërritur nga Amerika e Jugut në Evropë. Ai tha se ishte kthyer në Londër, për të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit George IV, në emër të shtetit të Poyais. Kishte prodhuar dokumente të ndryshme, monedhë, stemë dhe një flamur. Madje arriti të shkruajë edhe një libër për atë vend të largët, të nënshkruar me pseudonimin Thomas Strangeways.

Duket absurde, por ndoshta nga frika se do të humbisnin investimin e duhur apo thjesht u mashtruan nga disa premtime, shumë njerëz arritën të blenin bonot Poyais të shpikura nga MacGregor. Referuar vlerësimeve të bëra nga The Economist, mendohet se bonot, të gjitha së bashku, kapin vlerën e katër miliardë eurove. Shumë nga personat që u mashtruan ishin skocezë.

Ndërsa interesi për vendin rritej, MacGregor rriti çmimet dhe filloi të shesë tokë dhe madje përfundoi duke organizuar udhëtime drejt Poyais. Ai arriti të mbushë dy anije prej 250 personash që u nisën në shtator të 1822 dhe në janar të 1823. Udhëtimi zgjati dy muaj dhe ata që pretendonin se do të gjenin Poyais, fatkeqësisht nuk gjetën asgjë.

Shumë vdiqën nga uria ose nga malaria, por disa falë edhe kontakteve me popullsinë vendase dhe mbështetjes së anijeve që kalonin, arritën të largoheshin. Shumë vdiqën rrugës në kthim, të tjerë u ndalën në vende të ndryshme të Amerikës Latine, por vetëm rreth pesëdhjetë njerëz arritën të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar.

Ishte e qartë se kishin jetuar në kushte ekstreme dhe dukeshin si fantazma dhe kufoma”, shkruante një gazetë skoceze e kohës.

Lajmi se shteti i Poyais nuk ekzistonte u përhap me shpejtësi, duke ndihmuar kështu në anulimin e nisjes së anijeve të tjera, lajm ky që detyroi MacGregor të arratisej në Paris, por që edhe aty u përpoq përsëri të shiste idenë e Poyais, por me shumë pak sukses.

Ai u arrestua në Francë, por në një gjyq të zhvilluar më vonë u shpall i pafajshëm. MacGregor u kthye në Skoci dhe përsëri u mundua të përfshihej në disa mashtrime që kishin lidhje me Poyais. Më 1838, ai u largua për në Karakas, ku u mirëprit përsëri si qytetar venezuelian dhe vdiq atje në vitin 1845.

Rruga Press

YouTube player