-17°C dhe dëborë, ARRSH apel shoferëve: Akset rrugore ku duhet të bëni kujdes
Veriu, verilindja dhe një pjesë e juglindjes së vendit janë “pushtuar” nga dëbora.
Autoriteti Rrugor Shqiptar paraqet një gjendje të akseve rrugore ku ka rënë dëborë dhe u bën apel drejtuesve të mjeteve që të kenë shumë kujdes.
Gjatë orëve në vijim priten temperatura të ulëta deri në -17°C në zonat malore.
“Gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe dëbore në zonat malore.
Reshje dëbore ka pasur në: Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, Fushë Stude-Klenjë, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, pa sjellë probleme me qarkullimin.
Kontraktorët kanë punuar gjatë natës me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Apel për drejtuesit e mjeteve:
“Gjatë orëve në vijim priten temperatura të ulëta deri në -17°C në zonat malore, duhet të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore” mbyllet njoftimi i ARRSH.
Rruga e Kombit është tërësisht e kalueshme, por rënia e temperaturave mund të sjellë ngrica e akull në orët në vijim.
Java që vjen pritet që të jetë akoma më e vështirë me temperatura shumë të ulëta.
Rruga Press