Opinion/Aktualitet

Pengesat e rritjes, shkopinjtë në rrotat e ekonomisë shqiptare në 2022

Ekonomia u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, pas rënies me 4% në vitin pandemik 2020, që ishte më e forta që nga kriza e piramidave të ’97-s. Nivelet e parakrizës u arritën që në tremujorin e parë 2021, sipas të dhënave nga INSTAT.

Rritja u ndihmua nga disa faktorë, si lehtësimi i ndjeshëm i masave kufizuese (ndryshe nga shumë shtete të Europës), një sezon i mirë turistik, gjallërimi i konsumit, që çoi në rritjen e fortë të importeve, ndërtimi i apartamenteve, si të reja ashtu dhe në funksion të rindërtimit, dhe aktiviteti i lartë i pasurive të paluajtshme.

Vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare janë që ekonomia të jetë rritur me rreth 8% në vitin 2021, me ritme më të larta sesa parashikimet e tyre fillestare.

Për fat të keq, kjo rimëkëmbje ishte në kurriz të shëndetit. Të dhënat e reja të Eurostat tregojnë se nga marsi 2020 deri në shtator 2021, vdekshmëria shtesë në vend është rritur me 35%, në raport me mesataren përkatëse 2018-2019, shifër që, ashtu si në vitin 2020, mbetet më e larta në Europë.

Vendi i  dytë me rritjen më të lartë pas Shqipërisë për periudhën përkatëse është Bullgaria, me 22% (për 2021 nuk janë ende të disponueshme të dhënat për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën). Numri i ulët i mjekëve në raport me popullsinë (16.5 mjekë për 10 mijë banorë, sa gjysma e mesatares europiane), ritmet ndër më të ulëtat të vaksinimit në Europë, mosmarrja e masave më minimale kufizuese, së bashku me nivelin e ulët të ndërgjegjësimit nga popullata, ishin disa nga faktorët kryesorë që përkeqësuan treguesit e vdekshmërisë në vend.

Ndryshe nga Shqipëria, ku normaliteti i ri i pandemisë është indiferenca ndaj jetës, përhapja e variantit në ri Omicron ka shtuar pasiguritë për vitin 2022 kudo në botë. “Rreziku i parë në mendjen e të gjithëve është trajektorja e ardhshme e pandemisë. Shfaqja e varianteve rezistente ndaj vaksinave, ose e shpërthimeve të lokalizuara në Shqipëri, për shkak të shkallës relativisht të ulët të vaksinimit, paraqet një rrezik të madh negativ”, tha për “Monitor”, Yan Sun, shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë.

-Inflacioni: Çmimet e larta mbeten pengesa e dytë. Në dhjetor, ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit arriti në 3.7%, niveli më i lartë në 11 vjet. Inflacioni i lartë në Europë dhe rritjet e kostove të bizneseve prodhuese e të shërbimeve dhe atyre bujqësore nuk pritet të sjellin çmime të ulëta për konsumatorët, të paktën në një afat të shkurtër. Në kahun tjetër, kjo do të ndikojë në frenimin e konsumit, që deri tani ka qenë një faktor i rëndësishëm i rritjes.

Presionet nga inflacioni i importuar, që sipas Bankës së Shqipërisë ndikojnë në gati gjysmën e formimit të këtij treguesi në vend pritet të jenë të larta. Në dhjetor, inflacioni në Eurozonë kërceu në 5%. Ky është një nivel i ri rekord që kur u krijua monedha e përbashkët më shumë se dy dekada më parë, duke ngritur pikëpyetje se sa shpejt do të lehtësohen presionet inflacioniste këtë vit.

Rritja e inflacionit mund të detyrojë Bankën e Shqipërisë që të fillojë shtrëngimin e politikës monetare për herë të parë në një dekadë, duke rritur koston e parasë në ekonomi.

Energjia është problemi tjetër. Çmimet në bursa kanë arritur deri në 500 euro për kvh, duke ushtruar presion të fortë mbi financat e Operatorit shtetëror të Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) dhe shtetit që ka dalë garant për të.

Konsumatorët nuk do të preken direkt nga kriza energjetike globale, por do ta ndiejnë përmes transferimit të kostos në çmimet e produkteve e shërbimeve nga bizneset. Ndonëse procesi i liberalizimit, që do të nxirrte në treg të lirë rreth 7400 biznese, u shty me 6 muaj, sërish ata nuk do t’u shpëtojnë çmimeve më të larta nga janari. Ato do ta blejnë energjinë me tarifa të rregulluara, të cilat pritet të arrijnë 18-22 lekë/kvh, nga 11-14 lekë që e blejnë sot, me pothuajse dyfishim.

Ndërsa nga qershori, këto biznese do të dalin në treg të lirë, ku aktualisht çmimi në nëntor 2021 arriti në 38 lekë/kvh. Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, thotë se rritja e parashikuar e çmimit të energjisë pritet të frenojë investimet e eksportuesve dhe do të zhysë në kolaps financiar shumë sipërmarrje, ndërsa do të rrisë çmimet dhe do të nxisë importet.

Zhvillimet demografike dhe emigracioni: Për të dytin vit radhazi, sipërmarrësit shfaqin si një nga problemet kryesore mungesën e fuqisë punëtore. Eva Laro, aksiorere dhe administratore e fabrikës së prodhimit të këpucëve “Prodyn”, po përballet me një kërkesë të pazakontë nga klientët europianë, e cila nuk po përballohet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Sektori i shërbimeve, sidomos turizmi, ka të njëjtin problem. Fermerët e kanë të vështirë të bindin fëmijët e tyre të punojnë në bujqësi. Vende si Gjermania dhe Italia, që kanë të njëjtin problem, po kërkojnë të tërheqin punonjës nga jashtë, duke joshur sidomos të rinjtë. Erald Pashaj, drejtor i “EPPC Albania & Kosovo”,  kompani e specializuar për punësimin, pohon se punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës, gjë që pritet të ndikojë në rritjen e pagave, sidomos për ata sektorë që sot paguajnë pak, si shërbimet.

Ndryshimet klimatike: ngrohja globale po nxit një seri ngjarjesh jo normale, të cilat ndonëse priteshin, ishin abstrakte, deri kur arritën në një pikë që filluan të ishin të dukshme nga bujqësia, që po ndikohen negativisht nga përmbytjet tek energjia.

Por, tashmë është pak vonë, sepse po na gjejnë të papërgatitur. “Disa rreziqe nuk mund të zbuten, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për t’u marrë me to, për shembull përmirësimi i infrastrukturës për të zvogëluar ndikimin e përmbytjeve dhe investimi në ujitje për të reduktuar ndikimin e thatësirës në bujqësi”, thotë Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

“Shqipëria është një nga vendet me ekspozimin më të lartë ndaj ndryshimeve klimatike në Europë, ndaj presim që këto rreziqe vetëm të rriten me kalimin e kohës”, shton ai. Tashmë shoqëritë duhet të mësojnë të jetojnë me rrezikun. Ndërsa shtohen ndryshimet klimatike dhe rreziqet natyrore, vendet duhet të jenë në gjendje të përballen dhe të rimëkëmben nga goditjet.

Konsolidimi i vonuar fiskal: Sun e FMN-së e shpreh hapur shqetësimin për ritmin e ngadaltë të konsolidimit fiskal, që po ndiqet nga financat. “Buxheti i vitit 2022 gjithashtu përfshin rregullime shumë të kufizuara fiskale. Edhe nëse arrihet një bilanc primar fiskal në vitin 2024 e më tej, pa përpjekje shtesë rregulluese, borxhi publik parashikohet të qëndrojë mbi 70% të PBB-së në periudhën afatmesme, dukshëm më i lartë se niveli para pandemisë.

Nevojat për financim bruto të qeverisë do të mbeten të konsiderueshme në rreth 21% të PBB-së në vit”. Barra e shtuar fiskale nga projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP) është një tjetër rrezik, teksa institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar se nuk është e qartë se sa është ekspozimi real i tyre.

“Ne rekomandojmë që Qeveria të rishikojë me kujdes mësimet e nxjerra nga portofoli ekzistues i PPP-ve në Shqipëri. Për të siguruar që instrumenti PPP të përdoret mirë, proceset e përzgjedhjes dhe monitorimit të PPP-ve duhet të forcohen më tej dhe ato duhet të kryhen në një mënyrë shumë transparente dhe konkurruese”, thotë Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

 Nga do të vijë rritja

Pas rimëkëmbjes së shpejtë në 2021, ekonomia pritet t’i rikthehet gradualisht normalitetit. FMN parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real të rritet me 3.8% në vitin 2022. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon që këtë vit, rritja ekonomike të jetë 3.7%.

Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht.

-Bujqësia, e cila vijon të ketë peshën kryesore në aktivitetin ekonomik, me rreth 19% të totalit, do të përballet me shumë të papritura, si kapriçot e motit, apo sjellja e fermerëve pas ndryshimeve fiskale jofavorizuese për ta, si heqja kompensimit prej 6% të TVSH-së dhe vendosja e TVSH-së 10% për lëndët e para. Fermerët kanë pohuar në intervistat për “Monitor” se kanë mbjellë më pak në serra. Shkak janë bërë çmimet e larta të mbjelljeve të dyta dhe borxhet e larta në furnitorët e inputeve.

-Tregtia, turizmi: Tregtia dhe shërbimet pritet të jenë sektorët kryesorë që do të nxisin rritjen. Turizmi pritet pozitiv këtë vit. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, thotë se janë mbyllur kontratat me polakët, çekët, ukrainasit, rusët, izraelitët dhe nordikët. Edhe turistët gjermanë dhe zviceranë pritet të rikthehen në numra më të lartë.

Industria pritet të vuajë pasojat e rritjes së kostove të lëndëve të para dhe energjisë, që nga njëra anë mund ta bëjnë industrinë jokonkurruese dhe nga ana tjetër, mund të nxisin importet.

-Ndërtimi është një nga sektorët që ka pasur ecurinë më të mirë vitet e fundit, i ndikuar dhe nga procesi i rindërtimit. Krahas tij, ndërtimet rezidenciale pritet të vijojnë vrullshëm në kryeqytet, të ndikuara dhe nga hyrja e parave informale.

Sipas INSTAT, për 9-mujorin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë, u rrit me 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë, duke iu afruar rekordit më të lartë të më shumë se një dekade, që u arrit në 2019-n, duke qenë vetëm 4.5% më e ulët.

Edhe hotelet në bregdet po tërheqin investime, pas kthimit të vendit në një destinacion të preferuar turistik. Zhvillimi i ndërtimit po tërheq dhe industritë mbështetëse, kryesisht mobiliet dhe pajisjet hidrosanitare, ndërsa sektori i tullave parashikon vështirësi, për shkak të rritjes së kostove.

Real Estate. Ashtu si ndërtimi, paratë informale po i japin hov sektorit, duke e bërë një ndër aktivitetet me rritjen më të shpejtë në vend.

-Aktivitetet profesionale pritet të kenë ecuri pozitive, e nxitur nga rritja e konsumit dhe kërkesës për shërbime.

-Informacioni dhe Komunikacioni: Pritet përqendrim i tregut në telekomunikacione, pas hyrjes së hungarezëve të 4iG, të cilët kanë blerë së fundmi dy operatorë, One dhe Albtelecom. Teknologjia e informacionit pritet të vijojë vrullin që mori që nga pandemia, duke u kthyer në një burim punësimi për të rinjtë, pas interesit të lartë të sipërmarrjeve të huaja për të kryer një pjesë të shërbimeve në Shqipëri.

-Arte, argëtim do të vijojë tendencën pozitive për sa kohë që nuk ka kufizime.

-Aktivitetet financiare i rezistuan mirë krizës dhe u rimëkëmben me shpejtësi në 2021. Tendenca pritet të vijojë. “Viti 2022 pritet të jetë vazhdimësi e vitit 2021. Përvoja e grumbulluar do të jetë bazë për më shumë dhe më mirë. Duke filluar që me nisjen e vitit, në treg do të ofrohet kryerja e pagesave në Euro, brenda vendit, me  kosto të reduktuar, brenda ditës.

Në varësi nga ecuria e ekonomisë dhe projektet publike, bankat janë gati që me likuiditetin që kanë, të mbështesin çdo kërkesë që plotëson kriteret e analizës së riskut, duke shtuar këtu edhe riskun mjedisor. Mbështetja financiare e zhvillimit të ekonomisë është jetike për veprimtarinë bankare”, thotë Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Varësia nga ekonomia europiane

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ecuria e ekonomisë së vendit ka varësi të lartë nga zhvillimet globale, kryesisht Europa, ku kemi dhe partnerët kryesorë. Ekonomia e BE-së po rimëkëmbet nga kriza e pandemisë më shpejt se sa parashikohej, ndonëse të papriturat janë shtuar, pas përhapjes së variantit të ri të virusit, që mund të ngadalësojë rritjen.

Komisioni Europian parashikon që ekonomia e BE-së parashikohet të vazhdojë të zgjerohet, duke arritur një normë rritje prej 5%, 4.3% dhe 2.5%, përkatësisht në vitet 2021, 2022 dhe 2023. Ky skenar varet kryesisht nga dy faktorë: evolucioni i pandemisë COVID-19 dhe ritmi me të cilin oferta do të përshtatet me rimëkëmbjen e shpejtë të kërkesës në ekonomi.

Italia, partneri kryesor ekonomik i vendit, pritet të ketë zgjerim të qëndrueshëm këtë vit, falë lehtësimit të mungesave në furnizim, mbështetjes buxhetore paraprake dhe veçanërisht investimeve të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF). Por, perspektiva mbetet e varur nga rreziqet negative të lidhura me pandeminë, duke përfshirë mungesat në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore.

Për Gjermaninë, KE parashikon se kufizimet e ofertës po ngadalësojnë prodhimin dhe po pengojnë rimëkëmbjen e eksporteve dhe investimeve. Mungesa e materialeve ka të ngjarë të rrisë presionin e inflacionit në muajt e ardhshëm, së bashku me efektet e rritjes së çmimeve të energjisë. Megjithatë, ekonomia dhe tregu i punës janë drejt rimëkëmbjes.

Eksportuesit, shumica janë pesimistë

Eksportet u rimëkëmbën me shpejtësi në 2021, pas tkurrjes së fortë në vitin pandemik. Për 11-mujorin 2021, shitjet jashtë vendit u rritën me 35% në raport me janar-nëntor 2020, ndërsa ishin dhe gati 22% më të larta se 11-mujori 2019, përpara se të fillonte pandemia.

I vetmi sektor, që ishte poshtë nivelit të parakrizës, është “tekstile dhe këpucë”, me 7% më pak. Por, për vitin 2022, prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve, që zënë 30% të totalit të eksporteve në vend, janë më optimistët. Ata presin rritje dyshifrore për shkak të shtimit të kërkesës, të lidhur si me rritjen e konsumit, ashtu dhe me zhvendosjen e prodhimit nga shtetet e largëta drejt vendeve më të afërta, ku Shqipëria pritet të jetë përfituese.

“Materialet e ndërtimit dhe metalet”, grupi i dytë më i madh, me 22% të totalit, udhëhoqën rimëkëmbjen në vitin 2021, me pothuajse dyfishim për 11- mujorin, duke reflektuar shtimin e kërkesës nga vendet e rajonit dhe shtrenjtimin e çmimeve.

Për 2022, aktorët kryesorë të tregut nuk janë dhe aq optimistë. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i prodhuesit të çelikut, “Kurum International”, eksportuesit më të madh në vend, parashikon se shitjet e hekurit të tkurren me 5-10% këtë vit, pas rritjes me 95% në vitin 2021. Shtrenjtimi i kostove të energjisë është arsyeja kryesore e këtij pesimizmi, duke e bërë kompaninë jokonkurruese në tregjet e jashtme.

“Natyrisht po tkurret dhe kërkesa për hekur, si rrjedhojë e çmimeve të larta”. Edhe industria e tullave pritet të vijojë të vuajë pasojat e rritjes së kostove, që u rritën me 70% që në vitin 2021. Përfaqësuesja e “KID-Alb”, Ilda Baraj, shprehet se kjo situatë e ka bërë prodhimin shqiptar më pak konkurrues në rajon dhe i ka vendosur këto biznese në kufijtë e mbijetesës, duke parashikuar një vit të vështirë për sektorin.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, me 19% të totalit, pas rritjes së fortë në 2021-shin, këtë vit luhatet mes optimizmit e pesimizmit. “Bankers Petroleum”, eksportuesi i dytë më i madh në vend, pas “Kurum”, pret ecuri konstante të aktivitetit për sa kohë që çmimet e naftës do të vijojnë të jenë të larta.

Më pesimist është sektori minerar. Dr. Sokol Mati, ekspert për sektorin minerar, parashikon se “sektori minerar do të goditet fort nga kriza e energjisë, disa subjekte mund të mbyllen”. Ndërsa ecuria e energjisë, si gjithnjë është e varur nga reshjet e shiut.

“Ushqimet, pijet dhe duhani”, që kontribuojnë në 12% të eksporteve, kanë shënuar rritje të qëndrueshme vit pas viti. Për 2022, rritja pritet të hasë pengesa që lidhen me çmimet e larta të inputeve bujqësore, apo heqja e skemës së subvencionit.

“Makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” ishin një ndër grupet me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, pas hapjes së disa fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.

Në Shqipëri janë aktive kompani si “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation” dhe “SEWS Cabind Albania”, të cilat prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si “Mercedez Benz”, KIA, “Hyundai”, “Peugot”, “Renault”, “Fiat Group”, apo të tjera si “Sumitomo Electric Industries”.

Për vitin 2022, përfaqësuesit e këtyre kompanive janë pesimistë, pasi industria pritet të vuajë globalisht problemet me zinxhirin e furnizimit, duke ndikuar në porositë e reja për eksportuesit vendas.

 Sa gjithëpërfshirëse është rritja

Ndërsa Shqipëria iu gëzua një rimëkëmbjeje të shpejtë, në një pjesë të madhe ajo ishte e nxitur nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Është e vështirë të matet se sa gjithëpërfshirëse ka qenë kjo rritje.

“Për çdo tregues të mirë makroekonomik publik ka shumë histori vështirësish që nuk do t’i lexojmë kurrë në lajme. Është e rëndësishme të mos ngushëllohemi shumë nga treguesit makroekonomikë dhe të kujtojmë se ka shumë për të bërë për të siguruar prosperitet të përbashkët për popullin e Shqipërisë”, thotë Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Ekaterina Solovova, e cila ka marrë drejtimin e zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Shqipërinë, thotë se adresimi i pabarazive duhet të jetë në krye të listës prioritare, pasi kriza përkeqësoi ndjeshëm tendencat ekzistuese, të cilat jo vetëm kanë ndikim të dëmshëm në kohezionin social, por edhe në potencialin e përgjithshëm të rritjes së ekonomisë. (MONITOR)

YouTube player