Qeveria miraton rritjen e pagës minimale, nga 1 janari 30 mijë lekë
Qeveria Rama ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale, i cili hyn në fuqi nga 1 janari i vitit që vjen.
Në VKM e publikuara në faqen e Kryeministrisë sqarohet se tashmë rroga minimale do të jetë 30 mijë lekë të rinj.
“Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Vendimi nr.809, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021”, thuhet në vendim.