Demiraj: Policia e politizuar rrezikon seriozisht zgjedhjet e 21 prillit
Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ngre shqetësimin se politizimi i policisë dhe mungesa e një qasje të qeverisë për ta depolitizuar atë mund të rrezikojnë seriozisht zgjedhjet e 21 prillit. Demiraj u shpreh skeptik për mundësitë dhe aftësitë e policisë së shtetit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
”Fatkeqësisht unë nuk e di se si do të shkohet në zgjedhje me këtë polici, e cila është militante, dhe jo për sa i përket sasisë së efektivëve poshtë, por për sa i përket lidershipit, është e papranueshme që po shkojmë drejt vitit 2021 dhe që një pjesë e madhe e drejtuesve të policisë janë njerëz që kanë mbaruar shkollën e sigurimit [Sigurimit të Shtetit], janë njerëz që kanë qëndruar dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite të paangazhuar në polici, pra në zanat”,-u shpreh ish-ministri Demiraj për ”Euronews”.
Sipas ish-ministrit, i cili është specialist i forcave të sigurisë dhe forcave ushtarake, në rast se qeveria nuk do të reflektojë për të përmirësuar situatën në polici atëherë zgjedhjet e ardhshme mund të rrezikohen.