Kapja e shtetit, eksperti tregon skemën se si bëhen “ligjet me porosi” në Shqipëri
“Transparency International” në raportin e publikuar ka vërejtur se Turqia dhe Shqipëria janë vendet, ku bëhen më së shumti “ligje me porosi”.
Në Shqipëri për fenomenin e kapjes së shtetit përmenden raste si ligji për lojërat e fatit dhe propozimi për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, ndërsa si një prej shkaqeve për këtë situatë citohet gjendja e parlamentit shqiptar.
Drejtori i hulumtimit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Gjergji Vurmo tregoi detaje në Euronews Albania se si përgatitet një ligj me porosi.
Ai theksoi se ligje të tilla kalojnë të gjitha procedurat ligjore, por shtoi se atyre në thelb u mungon integriteti.
Kjo skemë u shpreh Vurmo bëhet për t’iu shërbyer një grupi njerëzish dhe interesave që ato përfaqësojnë.
“Shqipëria së bashku me Turqinë, ku janë identifikuar dy vendet, ku janë identifikuar ligje të bërë me porosi, pra ligje që i shërbejnë një individi dhe një grupi të vogël individësh dhe interesave të tyre private. Një ligj me porosi bëhet nëpërmjet një procedurë tereshit ligjore. Ajo që i mundon procedurës është integriteti. Rregullat janë bërë në mënyrë të tillë, që nga propozimi e deri tek faza finale miratimi kalon nëpër të gjitha hallkat ligjore, dhe hidhen në ligj interesat, ose miazmat që mbrojnë interesat e një grupi njerëzish”, tha ai.
Si rast ilustrimi për të kuptuar si funksionon kjo strategji, z. Vurmo përmendi “Ligjin për Lojërat e Fatit”, ku sipas tij 24 orë para miratimit u bënë ndryshime në amendamente, që në thelb u shërbejnë “porositësve” .
“Janë dhënë disa shembuj. Psh, shumë interesant është ligji për lojërat e fatit. Shumica e ligjeve të bëra me porosi, fillesën ose problematikën kryesore e kanë pasur tek pjesa e hartimit të ligjit, që ndodh tek qeveria. Ky projektligj e ka pasur problematikën kryesore në Parlament. 24 orë para miratimit në seancën plenare janë shtuar disa amendime, që kanë bërë krejt të kundërtën, nëse ligji parashikonte një distancë prej 200 metrash nga shkollat, amendimet që u shtuan 24 orë para seancës bën krejt të kundërtën. Problematikat fillojnë që në krye të herës”, tha ai.