Shuhet novelisti John le Carre në moshën 89-vjecare
BRITANI– Ka humbur betejën nga një sëmundje e rëndë pneumonie në moshën 89-vjeçare novelisti i njohur britanik, John le Carre. Le Carre, emri i vërtetë i të cilit është David Cornwell vdiq në mbrëmjen e 12 dhjetorit, njoftoi menaxheri i tij. “Ne kemi humbur një figurë të shkëlqyer të letërsisë angleze, një njeri me zgjuarsi të madhe, dashamirësi, humor dhe inteligjencë. Unë kam humbur një mik, një mentor dhe një frymëzim“, tha Jonny Geller.
Le Carré lindi në vitin 1931 dhe studio në Universitetin e Bernës dhe më pas të Oksfordit. Ai gjithashtu shërbeu si agjent në Inteligjencën Britanike gjatë Luftës së Ftohtë. Tre librat e pare I shkroi ndërsa punonte për MI5 dhe MI6 të Britanisë dhe u bë autor me kohë të plotë pasi u përfshi në skenën globale me botimin e romanit e tretë, “Spiuni që u kthye nga i ftohti” në 1963.
Le Carré shkroi gjithsej 25 romane dhe shiti më shumë se 60 milion kopje të veprave të tij në të gjithë botën. Romani i tij i fundit “Agjenti që vrapon në fushë”, u botua në Tetor 2019. Shumë prej veprave të tij janë ekranizuar, si “Spiuni që u kthye nga i ftohti”, “Rrobaqepësi i Panamasë” etj.
Në fillim të vitit 2020, ai fitoi çmimin “Olof Palme” për “mendim tërheqës dhe humanist në formën letrare në lidhje me lirinë e individit dhe çështjet themelore të njerëzimit”. Disa nga veprat e përkthyera në shqip të Le Carre janë “Kopshtari i paepur” dhe “Spiuni që u kthye nga i ftohti”.