Miratohen ligjet e PD-LSI, SPAK ‘merr’ krimet zgjedhore: Të shtohen hetuesit
Çdo person që për llogari të ndonjë partie apo ndonjë kandidati, synon të blejë vota, duke dhënë para ose duke premtuar vende pune, tashmë do të hetohet nga Prokuroria Speciale SPAK.
Kjo kërkesë e PD dhe LSI në Këshillin Politik mori dritën jeshile në Komisionin e Ligjeve dhe do të miratohet në Kuvend këtë të enjte. “Ka dy palë në korrupsion, një që merr dhe një që jep” tha Ulsi Manja. “Të kalojnë të dyja, edhe aktivi dhe pasivi.
Nuk i ndajmë dot” tha Arben Kraja.
Kjo nënkupton që SPAK do të hetojë po ashtu edhe ata qytetarë që kërkojnë para apo favore të tjera në shkëmbim të votës. Prokuroria Speciale ka pranuar këtë barrë shtesë që i jep dakordësia politike e 5 qershorit, por për këtë kërkon që ky ndryshim “të shoqërohet me rritjen e numrit të prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të hetimit, me qëllim që të përballohen hetimet e nevojshme”.
Një tjetër ndryshim ligjor e detyron SPAK-un dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të informojë KQZ me ecurinë e hetimeve të krimive zgjedhore, por pa cënuar sekretin.
Po ashtu, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe ndryshimet në Kodin Penal, që fal, dhe zhvesh nga përgjegjësia penale, këto që shet ose blen vota, por bashkëpunon me drejtsinë për zbulimin e krimeve zgjedhore.
Në këtë mënyrë, 5 qershori quhet i kompletuar dhe palët shkojnë drejt 25 prillit me ndryshime ligjore që synojnë të heqin dyshimet për abuzime.