Regjisori i famshëm iranian, Asghar Farhadi: Mediat ekstremiste janë përpjekur të më shkatërrojnë
Është ndaluar në aeroporte dhe i kanë thënë të mos kthehet më në Iran. Por, regjisori refuzon të hesht për fyerjet që bëhen në vendin e tij dhe në Perëndim. A mund t’i kushtojë kjo me një tjetër Oscar këtë? Shkrimin e gazetarit Steve Rose, Telegrafi e sjell më poshtë.
Tërheqja e filmit nga çmimet Oscar do të ishte vetëvrasje në karrierën e shumicës së regjisorëve, por në nëntor, Asghar Farhadi u duk se e bëri pikërisht këtë. Menjëherë pasi bordi i filmit – i kontrolluar nga shteti i Iranit – e shpalli filmin e tij “A hero” (Heroi) si kandidat për Oscar në garën për filmin më të mirë të huaj, Farhadi e lëshoi një deklaratë në Instagram duke thënë se është “ngopur” me pretendimet në mediat iraniane se është dashamirës ndaj linjës së ashpër të qeverisë së vendit. “Nëse prezantimi juaj për filmin tim për çmimet Oscar ju ka çuar në përfundimin se jam borxhliu juaj”, shkroi ai, “po e deklaroj në mënyrë eksplicite, që tash, se nuk e kam asnjë problem që ta ktheni mbrapsht këtë vendim.”
Farhadi, mund të thoni ju, mund ta përballojë një veprim të tillë. Tashmë i ka fituar dy çmime Oscar – për “A Separation” më 2012 dhe “The Salesman” më 2017 – dhe shumë çmime të tjera përveç (“A Hero” fitoi çmimin Grand Prix, vitin e kaluar në Kanë). Arritjet e tilla në mënyrë të pashmangshme ia japin statusin e heroit kombëtar. Në të njëjtën kohë, duket se ka shkelur një vijë të kujdesshme kur bëhet fjalë për regjimin shtypës të vendit të tij. Regjisorët tjerë iranianë, si Jafar Panahi dhe Mohammad Rasoulof, kanë paguar çmim të rëndë për kritikat ndaj aspekteve të shoqërisë iraniane, që nga dënimet me burg dhe arrestet shtëpiake, e deri te ndalesat për të udhëtuar. Farhadi duket se është kursyer nga trajtimi i ngjashëm. Nga kjo rrjedhin akuzat se është “proqeveritar”.
Në deklaratën e tij, Farhadi nuk pajtohet me këtë: “Si mundet të më lidh dikush me një qeveri, mediat ekstremiste të së cilës nuk kanë kursyer asnjë tentim për të më shkatërruar, për të më margjinalizuar dhe stigmatizuar?” Ai shkroi se si i është konfiskuar pasaporta dhe se si është marrë në pyetje në aeroporte, se i kanë thënë të mos kthehet në Iran dhe se ka qëndruar i heshtur përballë “akuzave dhe sharjeve” të qeverisë. Deri tash.
Duke folur nga Parisi përmes një përkthyesi, Farhadi nuk e ka ndërmend të hyjë në detaje të mëtejshme. “Ka qenë një rast shumë i ndërlikuar,” thotë ai. “Nuk jam i sigurt se cilin përkthim e keni lexuar. Për njerëzit që nuk dinë për vendin tim, kjo mund të shkaktojë keqkuptim, por populli iranian e kuptoi qartë. Ishte veç për qëllime të brendshme.”
Ka padurim në tonin e tij. Duket si i dorëhequr për faktin se duhet të diskutojë gjithmonë statusin e tij si regjisor iranian po aq sa edhe punën e tij aktuale. Por, gjithashtu, ndoshta ekziston dijenia se çdo gjë që ai thotë mund të përdoret kundër tij në shtëpi. Fama ndërkombëtare është “me dy tehe”, thotë ai. “Ajo ju mbron, në një farë mënyre, por i bën [autoritetet iraniane] më të ndjeshme. Çfarëdo që të thuash, çfarëdo që bën, ndodhë duke qenë nën qendër të vëmendjes.”
Për ironi, “A Hero” është film për rolin e medias në krijimin dhe përmbysjen e heronjve. Subjekti i tij është Rahimi, një baba i shkurorëzuar miqësor. Në një lirim dyditor nga burgu, Rahimi dhe e fejuara e tij gjejnë një çantë me monedha ari. Fillimisht përpiqen t’i shesin, por më pas, Rahimi – i luajtur nga Amir Jadidi – vendos të gjejë pronarin e çantës dhe ta kthejë atë. Historia del në shesh dhe Rahimi njihet si hero. Një ekip televiziv shkon për ta bërë një storje për të në burg dhe një organizatë bamirëse lokale organizon mbledhje fondesh për ta ndihmuar shlyerjen e borxhit të tij.
Por, më pas, një seri gjysmë të vërtetash rreth incidentit bëhen rrjetë e ngatërruar mashtrimi në të cilën të gjithë të përfshirët e gjejnë veten të bllokuar. “Vërtet,” thotë Farhadi, “ajo që ishte në qendër të filmit ishte ngritja dhe rënia e papritur e një personi. Dhe, kjo është diçka që ne e vërejmë shpesh në shoqërinë tonë këto ditë: njerëzit që dalin shpejtë në qendër të vëmendjes, po aq shpejtë dalin nga ajo.”
Filmat e Farhadit kanë një aftësi për ta bërë jetën e zakonshme të duket si thriler suspance. Janë aq realiste sa mund të tingëllojnë si dokudrama, por janë plot tension, befasi e mister. Depërtimi i tij me filmin “About Elly” ka të bëjë me zhdukjen e pashpjegueshme të një gruaje nga një pushim në grup. “The Salesman” varet nga sulmi seksual i një gruaje nga një autor i paidentifikuar. Po kështu, tek “A Hero”, Rahimi duhet ta kërkojë gruan misterioze që ka marrë çantën e humbur në mënyrë që të vërtetojë historinë e tij (i gjen zgjidhjet që e vendosin në më shumë telashe).
“Ajo që më intereson vërtet dhe me të cilën dua të merrem është jeta e zakonshme, e përditshme”, shpjegon Farhadi. “Kjo për mua ka vlerë. Por, e di gjithashtu rrezikun e të qënit i mërzitshëm dhe me plot detaje të përsëritura ku askush nuk dëshiron të fokusohet. Pra, duhet të jetë e gjallë e me një element suspance që intrigon audiencën.”
Si zakonisht në veprën e Farhadit, asgjë nuk është bardh e zi te filmi “A Hero”. Nuk ka karaktere të qarta “të mira” ose “të këqija”. Pas natyrës së tij të lehtë, Rahimi rezulton të jetë propozim i rrëshqitshëm. “Si regjisor, nuk i gjykoj personazhet,” thotë Farhadi. “Nuk është se mendoj se ata nuk duhen gjykuar: krejt e kundërta – është ftesë për t’u gjykuar. Por, këtë e lë të hapur për publikun. Nuk dua ta imponoj pikëpamjen time.”
Farhadi pranon se filmat e tij janë më pak politikë se disa nga veprat e homologëve të tij. Vepra e fundit e Mohammad Rasoulofit, “There Is No Evil”, ishte akuzë për dënimin me vdekje dhe rekrutimet. Rasoulof – i cili u ndalua të bënte filma dhe u dënua me një vit burg më 2020 (deri tash i është shmangur burgut) – iu desh të përdorte taktika guerile duke përdorur emra dhe skenarë të rremë teksa xhironte në vende të largëta rurale. Farhadi, përkundrazi, është operator global. Gjithashtu ka bërë filma në Francë (“The Past”) dhe në Spanjë (“Everybody Knows”), me aktorët si Penélope Cruz dhe Tahar Rahim. Në Iran, shpjegon ai, varet se çfarë lloj filmi bën. “Nëse subjekti juaj ose mënyra juaj e rrëfimit të historive është më pak drejtpërdrejt ndaj sociales ose politikës, atëherë mund të ketë më pak probleme. Punoni me kufizimet, për aq sa mundeni. Por, varet edhe nga fakti nëse dëshironi që filmat e juaj të shfaqen në Iran apo jo. Ky ka qenë gjithmonë prioriteti im.”
Megjithatë, nuk e ka të lehtë. Përveçse kritikohet si “proqeveritar”, vazhdimisht kritikohet se është e kundërta e kësaj. “Vjen gjithmonë nga linjat e ashpra dhe nga mediat e tyre. Jam kritikuar për dhënien e një ‘imazhi jorealist’ të vendit. E, nuk jam dakord. Pavarësisht situatave komplekse që përshkruaj në filmat e mi, ka gjithmonë një imazh shumë fisnik të njerëzve, të personazheve e të marrëdhënieve. Nuk e kuptoj për çfarë ‘imazhi jorealist’ flasin.”
Në jetën publike, Farhadi ka qenë i hapur kundër elementëve të vijës së ashpër të Iranit. Ishte një nga disa regjisorët që e shoqëruan Rasoulofin në gjykatë për të kundërshtuar dënimin e tij me burg. Dhe, përmes Instagramit, ia ka bërë të qarta qeverisë qëndrimet e tij për gjithçka, që nga rrëzimi aksidental i një aeroplani udhëtarësh ukrainas në janar 2020 e deri te “diskriminimi mizor i grave dhe vajzave” dhe “mënyra se si vendi ka lejuar që koronavirusi të masakrojë njerëzit e vet.”
Në të njëjtën mënyrë, Farhadi ka pasë qëndrim kundër ekstremizmit perëndimor. Refuzoi të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve Oscar më 2017, në shenjë proteste ndaj ndalimit të diskutueshëm të udhëtimit – të qeverisë Trump – kundër shtatë vendeve me shumicë myslimane, përfshirë Iranin. Fjalimi i tij u lexua nga inxhinierja iranio-amerikane, Anousheh Ansari. “Ndarja e botës në kategoritë ‘ne’ dhe ‘armiqtë tanë’ krijon frikë, justifikim mashtrues për agresionin dhe për luftë,” shkroi ai. Ai mund të ketë folur ose për ShBA-në ose për Iranin.
“Ka ngjashmëri të madhe mes të gjitha llojeve të ekstremizmit,” thotë ai. “Janë pak a shumë të njëjtë.” Farhadi beson se kultura mund të jetë armë kundër kësaj. Pavarësisht se ku janë vendosur filmat e tij, i trajtojnë cilësitë dhe dobësitë universale njerëzore: krijojnë, siç thotë ai, ndjeshmëri mes “nesh” dhe “atyre”. Ky ka qenë gjithmonë misioni i tij. A mendon ai se kultura po e fiton këtë betejë? “Nuk e di, por mendoj se ka një element kohe. Mendoj se ndikimi i artit, i letërsisë dhe kinemasë është afatgjatë.”
Ai duket se e mbijetoi këtë betejë të veçantë: “A Hero” megjithatë mbetet propozimi iranian për Oscar. Ndryshe nga Rahimi, nga protagonisti i filmit, historia e Farhadit nuk është as moralisht e paqartë dhe as një rritje-rënie e shpejtë. A e konsideron veten hero? “Aspak,” thotë ai. “Gjithmonë kam thënë se nuk jam gjë tjetër përveçse një regjisor. Nuk dua të jem asgjë tjetër.”
Rruga Press